E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tek historia e Gërdecit shumë gjëra stonojnë”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Shumë gjëra stonojnë, u bë një kontratë me një djalosh të papërgjegjshëm për sasi të mëdha paresh dhe për një transaksion të rëndësishëm si ai i eksportimit të armëve në Afganistan. Jam i sigurt që çështja do të sqarohet atje”

Republikani Sabri Godo deklaron se shumë struktura kanë përgjegjësi për ngjarjen e Gërdecit. Publikimi i fakteve të reja për trafikun e armëve nga Shqipëria, sipas tij, tregon gjithashtu se shumë gjëra stonojnë në këtë tragjedi. Presidenti i Nderit i republikanëve pohon më tej se është Prokuroria ajo që do të saktësojë nëse kemi të bëjmë me një përgjegjësi juridike apo politike. Por, sipas tij, duhet të ishte bërë shumë më tepër edhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Republikani, madje, shton se Parlamenti duhet të kishte ngritur një komision të posaçëm për të hetuar këtë tragjedi. Presidenti i Nderit i republikanëve, i kërkon Prokurorisë të thellojë hetimet. I pandehur për çështjen "Gërdeci" është marrë edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që drejton Partinë Republikane.
Deklarata
“Doemos që përgjegjësi ka. Ç lloj përgjegjësie, nëse është problem politik apo se cilat janë aspektet e saj juridike, këto janë gjëra me të cilat duhet të merren organet hetimore. Edhe Kuvendi duhet të ishte marrë me këtë çështje, duhet të kishim bërë një komision parlamentar që të hetonte çështjen”, - pohoi dje Godo në një deklaratë publike. Sipas tij, kjo tragjedi është shumë e rëndë për vendin tonë, prandaj dhe meriton më shumë vëmendje. Por Godo thekson më tej se kanë dalë shumë fakte të reja, të cilat nxjerrin shumë paqartësi, edhe pse sipas tij, gjithçka do të sqarohet në Kongresin Amerikan. “Shumë gjëra stonojnë, u bë një kontratë me një djalosh të papërgjegjshëm për sasi të mëdha paresh dhe për një një transaksion të rëndësishëm si ai i eksportimit të armëve në Afganistan. Jam i sigurt që çështja do të sqarohet atje. Mbase jo me atë ngut që i bëjmë gjërat ne”, - tha ai.
Faktet e reja
Katër zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes dhe Agjencisë së Prokurimit të Armëve kanë dëshmuar dy ditë më parë në Kongresin Amerikan mbi veprimtarinë e kompanisë AEY në Shqipëri. Dëshmia pasoi një letër që kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve, demokrati Henri Uaksman, nga Kalifornia, i dërgoi sekretares Amerikane të Shtetit, Kondolisa Rajs, në të cilën ai thotë se zyrtarët e ambasadës amerikane në Tiranë, përfshirë edhe vetë ambasadorin Uidhers, patën gisht në fshehjen e origjinës kineze të municioneve të shitura nga AEY. Komisioni thirri për të dëshmuar edhe ndihmëssekretarin e përkohshëm të Shtetit për çështjet ushtarake e politike, Mitçëll Hauëll dhe zyrtarin e lartë të Departamentit të Mbrojtjes, Stivën Mull. Ndërkohë ka rënë në sy mungesa e dëshmisë të "protagonistit", Efraim Diveroli.
Ky lajm është publikuar: 26/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›