Vetëvritet me armë gjahu, ishte i dehur
ELBASAN – Shkon në shtëpinë e kushëririt dhe atje i jep fund jetës së tij. Një 54-vjeçar ka gjetur vdekjen pasi ka zbrazur çiften drejt vetes. Viktima ishte në gjendje të dehur kur ka vendosur t’i japë fund jetës. Sipas burimeve policore, shtetasi Astrit Muzhaqi, 54 vjeç, lindur në fshatin Polis të Librazhdit dhe banues në qytetin e Elbasanit, ka gjetur vdekjen pasi është vetëvrarë me armë gjahu. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme, pasi 54-vjeçari kishte darkuar në shtëpinë e të afërmve të tij. Ai marrë armën e zjarrit në gjendje të pavetëdijshme, duke e shkrehur në ajër. Pasi ka hyrë në dhomën e gjumit ai ka shkrehur përsëri armën. Por këtë radhë drejt vetes së tij, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Trupi i viktimës u gjend nga zonja e shtëpisë.
Ngjarja
Shtetasi Astrit Muzhaqi ka shkuar për vizitë te kushërinjtë e tij në fshatin Polis të Librazhdit. Ai ka darkuar bashkë me të afërmit me të ngrënë dhe të pirë. 54-vjeçari kishte konsumuar një sasi të madhe pije alkoolike, sa kishte arritur në gjendje të dehur. Në ato momente ai kishte dalë jashtë kontrollit duke rrëmbyer armën e zjarrit dhe duke e zbrazur atë në ajër. Sipas të afërmeve, para se të flinte, ai ka dalë jashtë banesës dhe ka qëlluar në ajër me armë 3-4 herë e më pas është shtrirë për të fjetur gjumë. Por, kur ka hyrë në dhomën e gjumit, me vete ka marrë edhe armën e zjarrit, e cila ishte e mbushur. Në orët e para të mëngjesit e zonja e shtëpisë ka dëgjuar një krismë, e cila vinte nga dhoma e viktimës. Menjëherë ajo ka vrapuar drejt derës së dhomës së gjumit. Në momentin që ajo e ka hapur, e ka gjetur 54-vjeçarin të shtrirë dhe të mbuluar nga gjaku. Ajo ka kërkuar ndihmë nga pjesëtarët e tjerë të familjes, por ka qenë e kotë, se 54-vjeçari Muzhaqi kishte ndërruar jetë. Menjëherë ka mbërritur policia e Librazhdit në vendngjarje për të këqyrur situatën. Nga ana e policisë po punohet për dokumentimin e plotë dhe sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Është sekuestruar arma e gjahut në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit Elbasan për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes”, parashikuar nga Neni 99 i KPP.
Rastet
Para disa muajsh një person tjetër është vetëvrarë në gjendje të dehur në Fier. Viktima ka gjetur vdekjen si pasojë e një plumbi të vetëm marrë në gushë. Burimet policore në qarkun e Fierit sqaruan rrethanat e ngjarjes së 10 shkurtit, që ndodhi në fshatin Karbunarë e Vogël të Lushnjës, ku shtetasi Bashkim Koçi, 58 vjeç, banues në fshatin Karbunarë e Vogël, është vetëvrarë me armë gjahu. Nga kryerja e veprimeve hetimore rezulton se shtetasi Bashkim Koçi, duke qenë në gjendje të dehur, në korridorin e banesës së tij, në afërsi të derës, ka qëlluar veten në pjesën e poshtme të mjekrës me armë gjahu teke. Goditja e vetme ka qenë fatale për 58-vjeçarin për shkak edhe të hemorragjisë së madhe. Dërgimi i tij në Spitalin civil të Lushnjës ka qenë pa dobi. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e para hetimore. Sipas burimeve jozyrtare mësohet se shtetasi është baba i 6 fëmijëve dhe nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
15 Dhjetor 2009