E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në Itali, më 12 maj nis tërheqja e formularëve

Maturantët që kanë planifikuar t‘i ndjekin studimet e larta në universitetet italiane, duhet të nisin nga puna për plotësimin e dokumentacionit. Nxënësit e interesuar për të studiuar në fakultetet e vendit fqinj, duhet të mbajnë shënim afatet për dorëzimin e dokumentacionit, ose tërheqjen e informacionit për procedurat e nevojshme sipas njoftimeve të përfaqësisë italiane në Shqipëri. Ambasada Italiane në Tiranë ka njoftuar dje zyrtarisht se studentët shqiptarë duhet të nisin të grumbullojnë informacionin paraprak, duke nisur nga e marta e javës së ardhshme. Sipas njoftimit të konsullatës italiane, studentët shqiptarë që synojnë të studiojnë në universitetet italiane, mund të tërheqin pranë sportelit, duke nisur nga data 12 maj, formularët, udhëzimet dhe kalendarin për paraqitjen e kërkesave të regjistrimit paraprak për vitin e ardhshëm akademik.

Në njoftim ambasada sqaron se kërkesat për regjistrimin paraprak duhet të paraqiten në kancelarinë konsullore nga data 14 deri 29 maj.

Kushtet

Për t‘u regjistruar në universitetet italiane është e detyrueshme dëshmia e njohjes së gjuhës italiane CELI 3. Nga ky detyrim përjashtohen studentët shqiptarë të liceve dygjuhëshe italo-shqiptare. Ambasada Italiane pritet që të publikojë edhe të dhënat rreth procedurave që do të ndiqen për legalizimin e dokumenteve që do të paraqiten për bursë studimi në Itali.

"Studentët shqiptarë, që synojnë të studiojnë në universitetet italiane, mund të tërheqin pranë ambasadës që prej datës 12 maj 2009, formularët, udhëzimet dhe kalendarin për paraqitjen e kërkesave të regjistrimit paraprak", thuhet në deklaratën e ambasadës. Kërkesat për regjistrimin paraprak duhet të paraqiten në kancelarinë konsullore pranë Ambasadës Italiane, nga data 14 deri në datën 29 maj, sipas kalendarit dhe orareve të botuara. Këto kërkesa duhet t‘u përmbahen kushteve dhe kritereve të vendosura në udhëzimin përkatës. Më tej, përfaqësia italiane sqaron se për t‘iu përgjigjur nevojave të studentëve shqiptarë i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për regjistrimin paraprak është i disponueshëm dhe mund të shkarkohet nga faqja e internetit e ambasadës: www.ambtirana.esteri.it. "Nëpërmjet komunikatave të mëtejshme për shtyp do të botohen të dhënat rreth procedurave që do të ndiqen për legalizimin e dokumenteve, të cilat do të paraqiten për bursë studimi në Itali pranë agjencive rajonale kompetente të të drejtave të studimit, si dhe paraqitjen e kërkesave për vizë studimi/universitar pranë zyrës së vizave", thuhet në njoftimin zyrtar.

Studentët

Shumica e studentëve të huaj që ndjekin studimet në Itali janë shqiptarë. Sipas një studimi të kryer kohët e fundit, në Itali shumica e studentëve janë të huaj dhe jo vendas.

Nga 2004-a në 2006-ën numri i studentëve të huaj që kanë shkuar të formohen në Itali është rritur me 20 për qind. Kjo duke kaluar nga 40 mijë në 48 mijë të rinj. Shqipëria me 8 500 studentë të regjistruar siguron edhe numrin më të madh të studentëve të huaj.

Sipas studimit, numri i tyre është dhjetë herë më i lartë se ai i studentëve francezë dhe njëzet herë më i lartë se i atyre spanjollë. Pjesa më e madhe e studentëve që fitojnë bursa të plota janë në vitin e parë të shkollës. Nga të anketuarit, 60 për qind e të rinjve ka raportuar se faktor për pengesën e studimeve mbetet burokracia.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›