E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në Itali, nis aplikimi

Ambasada Italiane në Tiranë bën publike dokumentet dhe procedurat që duhen ndjekur për të fituar të drejtën e studimit


Kërkesa për studime nis të hënën vetëm për qytetet që janë në varësi të konsullatës italiane në kryeqytet


Maturantët shqiptarë, me banim në zonat me varësi territoriale në konsullatën italiane në Tiranë, të cilët synojnë të ndjekin studimet e larta në universitetet e vendit fqinj, duke filluar nga data 24 maj mund të paraqiten pranë Ambasadës Italiane në kryeqytet, për të tërhequr formularët, udhëzimet, si edhe kalendarin për paraqitjen e kërkesave të regjistrimit paraprak.


Lajmin e bën të ditur Ambasada Italiane në Tiranë, e cila informon të gjithë kandidatët e interesuar, (maturantë ose jo) se kërkesat e regjistrimit paraprak duhet të dorëzohen nga data 7 deri më 21 qershor 2010, në zyrat e ambasadës pranë pallatit të Kulturës në Tiranë, nga ora 14:00 deri në orën 17:00).


Ambasada Italiane vë në dijeni se për t'u regjistruar në universitetet italiane, studentët që kërkojnë të vazhdojnë studimet në vendin fqinj, është e detyrueshme të kenë dëshminë e njohjes së gjuhës italiane "CELI


3. Për arsye organizative, Ambasada Italiane u kujton të gjithë kandidatëve që do të tërheqin formularin e regjistrimit paraprak, se duhet të jenë shumë rigorozë me kalendarin e takimeve, në të kundërt do të humbasin të drejtën për të aplikuar, pasi nuk do të pranohet asnjë takim jashtë ditës së vendosur në kalendar.


Dokumentet që duhen paraqitur


1. Kërkesa e regjistrimit e plotësuar në çdo pjesë, së bashku me dy fotokopje të thjeshta pas plotësimit të formularit në të dy pjesët e tij, përpara dhe prapa. Në kërkesë duhet të tregohet qartësisht vetëm një degë universitare, pasi dega e zgjedhur e studimeve nuk mund të ndryshohet më.


2. Formulari i autentikimit të fotografisë që ndodhet brenda në dosje, i cili duhet plotësuar më të dhënat anagrafike, duke i bërë edhe dy fotokopje të thjeshta pas plotësimit të tij.


3. Titulli Përfundimtar i shkollës se mesme në origjinal (Dëftesë Pjekurie). Studentët që kanë humbur dëftesën origjinale, mund të paraqesin një vërtetim zëvendësues që të përmbajë notat e të gjitha viteve.


Studentët e regjistruar në vitin e fundit, dhe që do të marrin Dëftesën në verën e vitit 2010, duhet të paraqesin një vërtetim notash, që tregon frekuentimin dhe notat e tre viteve të para, si dhe të semestrit të parë të vitit të katërt, me detyrimin për të dorëzuar Dëftesën në origjinal sapo ta marrin atë.


Titujt e studimit duhet të jenë të përkthyer në italisht, të vërtetuara nga noteri dhe të legalizuara pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare, ndërsa pranë Ministrisë së Arsimit duhet legalizuar si titulli i studimit, ashtu edhe përkthimi, pra do të vendosen dy vula.


Firma e Drejtorit të shkollës që i ka lëshuar duhet të vërtetohet nga Drejtori Arsimor i rrethit përkatës dhe firma e këtij të fundit të vërtetohet nga Funksionari i Ministrisë së Arsimit. Ky vërtetim duhet të përkthehet në italisht dhe të legalizohet nga Ministria e Jashtme shqiptare.


4. Kopje e formularit A1 të regjistrimit në 2 provimet fakultative dhe e dëftesës përkatëse të pagesës.
5. Fotokopje e certifikatës së njohjes së gjuhës italiane, lëshuar nga Universiteti i Peruxhas (CELI 3).
6. Dy fotokopje të titullit të studimit dhe të përkthimit përkatës, të të gjitha faqeve, përfshire ato ku janë vendosur vulat e Drejtorisë Arsimore, të Ministrisë së Arsimit dhe të Ministrisë së Jashtme.
7. Fotokopje e pasaportës.
8. Dy fotografi me ngjyra.


Aplikimet për studentët


Këtë vit studentët shqiptarë kanë mundësi të ndjekin ciklin e dytë të studimeve në universitete italiane. Sipas Ambasadës, ata studentë që janë regjistruar në vit të fundit, dhe që do të marrin diplomën brenda verës së vitit 2010, duhet të paraqesin një vërtetim që të vërtetojë regjistrimin në fakultet dhe provimet e dhëna. Këta studentë duhet të paraqesin një kopje të diplomës sapo ta kenë marrë.


Diploma, lista e notave dhe programi i provimeve duhet të jenë të vërtetuara nga noteri dhe të legalizuara pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kjo do të thotë se në dokument duhet të jenë dy vula, e Ministrisë së Arsimit dhe e përkthimi.


Ndërsa kandidatët që do të paraqesin kërkesë për regjistrim për kurset e regjistrimit jo me cikël të vetëm (d.m.th., pjesa e dytë e studimeve dyvjçare, pas sistemit trevjçar) duhet të paraqesin, në vend të diplomës së maturës, titullin e studimit të lëshuar nga një institucion universitar, listën e provimeve dhe programin e detajuar për çdo provim.


Studentët e regjistruar në vit të fundit të shkollës së mesme apo të regjistruar në vitin e fundit të sistemit universitar trevjçar, që do të marrin diplomën brenda verës së vitit 2010, duhet të dorëzojnë titullin përfundimtar të studimit (dëftesën e pjekurisë dhe certifikatën e provimeve me zgjedhje, ose diplomën) brenda datës 10 gusht 2010, ora 12:00, pranë Pallatit të Kulturës në një zarf, ku do të shënohet emri dhe mbiemri i studentit, universiteti, fakulteti, dega e studimit, numri i telefonit dhe adresa e postës elektronike.


Për lëshimin e vizës se studimit, të interesuarit duhet të paraqesin garanci bankare dhe qëndrimi në Itali përmes një llogarie bankare të mbyllur prej rreth 5000 Euro dhe një ftesë apo prenotim hoteli për 15 ditët e para të qëndrimit.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›