E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në Itali, procedura e pranimit

25/05/2010 Çelen aplikimet për pranimet e 2010-2011-ës, afatet për plotësimin e kërkesës dhe formularit

Përveç certifikatës së gjuhës, kërkohet edhe marrja e notave kaluese në dy provimet e maturës

Kandidatët e interesuar për ndjekjen e studimeve të larta për vitin akademik 2010-2011 pranë universiteteve italiane, duhet të kryejnë pararegjistrimin nëpërmjet dorëzimit të dosjes me dokumentet e kërkuara pranë ambasadës italiane në kryeqytet, si dhe konsullatave në rrethet përkatëse, sipas afateve të përcaktuara. Gjatë ditës së djeshme është publikuar dhe procedura e plotë që duhet plotësuar për të mos u përjashtuar nga e drejta e studimeve. Kështu, studentët që synojnë të regjistrohen pranë universiteteve italiane mund të tërheqin, duke filluar nga dita e djeshme, pranë sportelit të ambasadës një dosje të veçantë për pararegjistrimin, që përmban formularët e nevojshëm dhe udhëzimet përkatëse të plotësimit, si dhe kalendarin për paraqitjen e kërkesave (nga data 7 qershor deri më 21 qershor pranë Pallatit të Kulturës, nga ora 14.00 në orën 17.00).

Pararegjistrimi

Për të kryer pararegjistrimin është e nevojshme të dorëzohet dokumentacioni përkatës, i cili duhet të përmbajë kërkesën e regjistrimit të plotësuar në çdo pjesë, së bashku me dy fotokopje të thjeshta, pas plotësimit të formularit në të dy pjesët e tij, përpara dhe prapa. Në këtë kërkesë duhet të shënohet vetëm një degë universitare që kandidatët duan të ndjekin. Dega e zgjedhur nuk mund të ndryshohet më në fazat e mëpasshme të aplikimit. Po ashtu, dosja duhet të përmbajë edhe formularin e autentikimit të fotografisë, duke e plotësuar me të dhënat individuale, e pas plotësimit duhet të fotokopjohet në dy kopje të tjera shtesë. Dosja duhet të përmbajë edhe titullin përfundimtar të shkollës së mesme në origjinal (Dëftesë Pjekurie). Studentët që kanë humbur dëftesën origjinale mund të paraqesin një vërtetim zëvendësues, që të përmbajë notat e të gjitha viteve. Ndërsa studentët e regjistruar në vitin e fundit, dhe që do të marrin dëftesën në verën e 2010-ës, do të paraqesin një vërtetim notash, që tregon frekuentimin dhe notat e tre viteve të para, si dhe të semestrit të parë të vitit të katërt, me detyrimin për të dorëzuar dëftesën në origjinal pranë ambasadës, sapo ta marrin atë.

Titujt e studimeve

Titujt e studimit duhet detyrimisht të jenë të përkthyera në italisht, të vërtetuara nga noteri dhe të legalizuara pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare. Pranë Ministrisë së Arsimit duhet legalizuar si titulli i studimit, ashtu edhe përkthimi, pra do të vendosen dy vula. Po ashtu nevojitet firma e drejtorit të shkollës që i ka lëshuar, si dhe duhet të vërtetohet nga drejtori arsimor i rrethit përkatës, firma e të cilit më pas duhet të faktohet edhe nga funksionari i Ministrisë së Arsimit. Ky vërtetim duhet të përkthehet në italisht dhe të legalizohet nga Ministria e Jashtme shqiptare. Në dosje duhet të përfshihen edhe kopje e formularit A1 të regjistrimit në 2 provimet fakultative dhe e dëftesës përkatëse të pagesës. Detyrimisht dosja duhet të përmbajë edhe fotokopje të certifikatës së njohjes së gjuhës italiane, lëshuar nga Universiteti i Peruxhas (CELI 3), dy fotokopje të titullit të studimit dhe të përkthimit përkatës të të gjitha faqeve, përfshirë ato ku janë vendosur vulat e drejtorisë arsimore, të Ministrisë së Arsimit dhe të Ministrisë së Jashtme, si dhe fotokopje e pasaportës apo 2 fotografi me ngjyra. Për të gjitha llojet e aplikimeve dokumentet e përmendura duhet të futen në zarf, mbi të cilin të shkruhet qartë emri dhe mbiemri i studentit, universiteti, fakulteti, dega e studimit, numri i telefonit (celular + telefon fiks), mesatarja e notave (vetëm për studentët që e kanë marrë Dëftesën e Pjekurisë), si dhe adresa e postës elektronike (e-mail).

Maturantët e 2010-ës

Kandidatët e regjistruar në vitin e fundit, që do të marrin diplomën brenda verës së vitit 2010, duhet të paraqesin një vërtetim, që të vërtetojë regjistrimin në fakultet dhe provimet e dhëna. Këta studentë duhet të paraqesin një kopje të diplomës, sapo ta kenë marrë. Diploma, lista e notave dhe programi i provimeve duhet të jenë të vërtetuara nga noteri dhe të legalizuara pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare. Pranë MASH-it duhet legalizuar si titulli i studimit, ashtu edhe përkthimi, pra do të vendosen dy vula. Studentët që do të paraqesin kërkesë për regjistrim për kurset e regjistrimit jo me cikël të vetëm (do të thotë pjesa e dytë e studimeve dyvjeçare, pas sistemit trevjeçar) duhet të paraqesin në vend të diplomës së maturës titullin e studimit të lëshuar nga një institucion universitar, listën e provimeve dhe programin e detajuar për çdo provim.

Titujt e studimit e marrja e vizës

Studentët e regjistruar në vitin e fundit të shkollës së mesme apo të regjistruar në vitin e fundit të sistemit universitar trevjeçar, që do të marrin diplomën brenda verës së vitit 2010, duhet të dorëzojnë titullin përfundimtar të studimit (Dëftesën e Pjekurisë dhe certifikatën e provimeve me zgjedhje ose diplomën) brenda datës 10 gusht 2010, ora 12.00. Edhe në këtë rast dokumentet duhet të jenë të vërtetuara nga noteri, të përkthyera dhe të vulosura nga institucionet përkatëse. Dokumentet do të dorëzohen pranë Pallatit të Kulturës në një zarf, ku do të shënohet emri dhe mbiemri i studentit, universiteti, fakulteti, dega e studimit, numri i telefonit dhe adresa e postës elektronike.

Pas datës 10 gusht do të publikohet në adresën e ambasadës kalendari i paraqitjes së studentëve për kërkesën e vizës. Në të njëjtën ditë, studentët do të tërheqin zarfin me dokumentet që do të duhet të paraqesin personalisht pranë sekretarive të universiteteve në Itali për regjistrim. Për lëshimin e vizës së studimit, të interesuarit duhet të paraqesin garanci bankare dhe qëndrimi në Itali përmes një llogarie bankare të mbyllur prej rreth 5000 euro dhe një ftesë apo prenotim hoteli për 15 ditët e para të qëndrimit.

Informacione më të hollësishme për lëshimin e vizës do të jepen në fazat e mëvonshme.

KUJDES!

Për t’u regjistruar pranë universiteteve italiane, duke filluar nga ky vit, është e detyrueshme certifikata e njohjes së gjuhës italiane “CELI 3”, lëshuar nga Universiteti i Peruxhas në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Po ashtu, për të ndjekur studimet e larta në këto universitete është kusht i domosdoshëm marrja e notave kaluese në të dyja provimet fakultative, që janë të nevojshme për regjistrimin në universitetet shqiptare. Kandidatët që nuk kanë mbushur moshën madhore duhet të jenë të shoqëruar nga të dy prindërit ditën e paraqitjes së kërkesës së aplikimit. Këto informacione janë të vlefshme vetëm për juridiksionin e kancelarisë konsullore të ambasadës italiane në Tiranë, saktësisht për ata studentë, të cilët pasaportën e kanë tërhequr pranë komisariateve të rretheve në vijim: Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Bulqizë, Mat, Krujë, Kurbin, Pogradec, Korçë, Devoll dhe Kolonjë. Pjesa tjetër e të interesuarve është e lutur t’i drejtohen përkatësisht konsullatës italiane në Vlorë e Shkodër, sipas juridiksionit përkatës.

Mungesa e barnave

Sigurimi i barnave për shërbimet e QSUT-së

Mungesa e barnave në disa prej shërbimeve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka ardhur prej vonesave në zhvillimin e tenderëve. Pavarësisht ankesave të shumta të bëra nga pacientët, veçanërisht ata Onkologjikut, drejtuesit e QSUT-së kanë pohuar gjatë ditës së djeshme se tashmë janë mbyllur procedurat e tenderëve për sigurimin e tyre. Sipas kreut të QSUT-së, Ilir Dashi, lista e barnave është tenderuar e para si procedurë, në bazë të kërkesave të shërbimeve, e presupozohet të sjellë furnizim më të mirë me ilaçe në krahasim me vitet e tjera. “Mungesat e hasura deri më tani në spital kanë të bëjnë me disa barna specifike për pacientë apo grupe pacientësh të veçantë. Ajo që desha të theksoj është se pavarësisht se mund të jenë të paplanifikuara disa barna, ne do t’i sigurojmë me çdo kusht ato, duke përdorur të ardhurat dytësore e disa rezerva të tjera që do të krijohen gjatë tenderimeve”, ka pohuar Dashi. Sipas tij, për materialet e mjekimit janë marrë masa të shpejta për plotësimin e nevojave më emergjente brenda qershorit, muaj në të cilin përfundojnë procedurat elektronike për të gjithë sasinë vjetore.

Provimi i Letërsisë dhe Gjuhës shqipe

Këshillim maturantëve për temat e paqarta

Mësuesit e shkollave të mesme në vend janë udhëzuar që gjatë kësaj jave të zhvillojnë disa orë konsultime me nxënësit që do të marrin pjesë në provimin e parë të Maturës Shtetërore 2010, që do të zhvillohet më 1qershor. Gjatë këtyre orëve të konsultimit, mësuesit duhet të shpjegojnë të gjitha temat e paqarta që nxënësit mund të kenë. Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve tashmë ka hartuar edhe listat përkatëse me numrat e regjistrimit për secilin maturant. Këto lista u janë shpërndarë shkollave të mesme, të cilat ua komunikojnë nxënësve. Secili prej maturantëve që do të marrë pjesë në provime do të ketë një numër unik identifikimi, i cili do të zbulohet vetëm pasi të jenë korrigjuar testet, për të bërë lidhjen e pikëve të arritura me emrin e kandidatit që është përfshirë në garën e pranimeve për universitet. Në shkollat e mesme të arsimit profesional 3-vjeçar dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2-vjeçare, provimet përfundimtare do të jenë formimi teorik profesional, si dhe formimi praktik profesional. Kjo kategori maturantësh do t’u nënshtrohet rregullave të tjera të provimeve nga ato të shkollave të mesme. Rregullorja e provimeve ka përcaktuar se për këta maturantë përgatitja e tezave të provimit do të hartohet nga vetë shkolla për lëndët që janë të detyruara.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›