TINGUJ QË VIJNË NGA SHEKULLI
Traditat e formacioneve frymore datojnë që në qytetërimet antike Nga shek. XVI-XVIII këto formacione nisin të funksionojnë si pjesë e oborreve mbretërore, si fanfarë me karakter popullor, duke shoqëruar ceremonialet jetësore e ato religjioze. Më pas funksionuan edhe si formacione të njësive ushtarake. Në shekullin XIX këto formacione do të jenë pjesë e jetës militare e civile të shteteve më të qytetëruara, si Anglia, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria e duke u përhapur si të tilla në të gjithë Europën e kontinente të tjera. Që në vitin 1592 hasim në Itali një formacion të bandës frymore. Në Shqipëri, formacionet frymore e forcojnë fizionominë e tyre në prag të viteve ‘20. Në Elbasan shoqëria muzikore “Afërdita” ishte ndër të parat shoqëri patriotike atdhetare të ngritura në këtë qytet, më 16 maj 1909. Që në pikën e parë të rregullores së saj shkruhej: “… Kjo shoqni ka për qëllim të përhapunit e dashunisë, vllaznisë e njisisë ndërmjet vendësve të qytetit e të fshatrave…”. Nga drejtuesit e saj përmenden intelektualë të shquar si Lef Nosi, Fot Papajani, Dhimitër Papajani, Petër Dodbiba, Hysen Ceka, Myrteza Demeti e të tjerë. Shoqëria muzikore “Afërdita” zhvilloi aktivitete të larmishme atdhetare brenda dhe jashtë qytetit të Elbasanit. Spikasin kontributet e saj për mësimin e gjuhës shqipe, për përhapjen e shkollave shqip, përpjekje që kulmojnë në mbajtjen e Kongresit të Elbasanit dhe hapjen e Shkollës Normale. Banda muzikore “Afërdita”, që zhvillonte aktivitetin e saj në kuadër të shoqërisë me të njëjtin emër, nuk ishte thjesht një formacion muzikor. Përmes promovimit të muzikës në përgjithësi dhe të këngëve patriotike e popullore në veçanti, konfirmonte dhe kulturën e shtetit të ri shqiptar me vështrim nga Europa.
Në vitin 1917, banda “Afërdita” do të prezantonte koncertin e saj të parë cilësor për publikun. Ishte një sukses i talenteve të rinj interpretues të bandës, por dhe i shpirtit kulturëdashës dhe dhurues të qytetarëve elbasanas. Ata mblodhën ndihma në të holla, me të cilat Dhimitër Papajani shkoi në Vjenë dhe bleu kompletin e plotë të instrumenteve. Repertori i këtij formacioni muzikor përbënte këngë patriotike, popullore qytetare, orkestrale në formë suitash apo marshesh, me literaturë europiane dhe ballkanike. Në memorien emocionale të qytetit ruhen tingujt muzikorë, kur instrumentistët kalonin rrugë më rrugë e rrugicave duke ekzekutuar muzikë. Dyert e shtëpive hapeshin për të ndjekur këto koncerte “live”, duke dhuruar nën tingujt e këngëve patriotike ndihma për Luftën e Vlorës.
Banda muzikore “Afërdita” e thirrur në Vlorë do të kontribuonte jo vetëm me ndihma, por dhe me prezencën e saj artistike. Artistët elbasanas do të udhëtonin më këmbë në rrugëtimin Elbasan-Belësh-Dragot-Lushnjë-Fier-Vlorë për tri ditë, duke përshëndetur solemnisht me koncertin e tyre fitoren e arritur.
Pjesëtarët e këtij formacioni ishin të rinj në atë kohë, por shumë të qytetëruar e të talentuar. Mjaft prej tyre vazhduan studimet e larta në universitete të njohura të Austrisë e të vendeve të tjera europiane, duke u bërë më pas dhe personalitete të shkencës e kulturës kombëtare.
Ecuria dhe suksesi i bandës “Afërdita” ishin të lidhura ngushtë dhe me mjedisin kulturëdashës të qytetit, të cilën e gjallonte dukshëm dhe Shkolla Normale. Patriotë dhe intelektualë të qytetit si Filip Papajani, Thanas Floqi, Tela, Pobrati, Burburia, Papajani… do të ishin dhe autoritete të mendimit intelektual të kohës. Në vitet ‘30 normalistë si Sofokli Paparisto, Baki Kongoli e të tjerë do të kontribuonin në krijimin e një jete të pasur artistike qytetare.
Pas Luftës së Dytë Botërore, banda “Afërdita” ringjallet sërish, si një orkestër e mirëfilltë frymore, që vazhdimisht ka ngritur nivelin e saj interpretativ e profesional, e repertorit të pasur.
Orkestra frymore “Afërdita”, vazhduese e traditës së bandës muzikore 100-vjeçare me të njëjtin emër, mbetet simbol i qytetit të Elbasanit, të mesit të Shqipërisë. Ajo ka konkurruar me sukses dhe në evente ndërkombëtare, ku do të veçonim atë të vitit 1993 në Kërkrade të Holandës. Anëtarët e këtij formacioni prestigjioz janë ndier dhe ndjehen krenarë që kanë kontribuuar me talentin e pasionin e tyre, çka ka bërë që orkestra frymore “Afërdita” të vazhdojë udhëtimin e saj historik përmes tingujve, mision historik që koha i ka caktuar…
Historia e bandës muzikore “Afërdita”, me tingujt e saj që tashmë vijnë në mbi një shekull, është e lidhur dhe me emrin e kompozitorit e dirigjentit austriak Anton Cimfl.
Muzikanti austriak Anton Cimfl lindi më 1885. Si dirigjent i orkestrës frymore të regjimentit ushtarak të ardhur në Elbasan në fillim të vitit 1916, ai vlerësoi traditat e pasura kulturore të qytetit, u familjarizua me to dhe kontribuoi për çuarjen përpara të tyre. është i njohur dhe i nderuar kontributi që ky zotëri austriak ka dhënë në përgatitjen, aftësimin e muzikantëve të qytetit përgjithësisht dhe atyre të bandës “Afërdita” në veçanti. Koncertin e parë me këtë formacion e realizoi më 28 Nëntor 1917. Ky kompozitor elegant, i cili e deshi Elbasanin dhe vlerësoi shumë traditat e pasura të tij dhe figurat patriotike e atdhetare elbasanas, që i njohu nga afër, në maj të vitit 1916 kishte kompozuar edhe një marsh kushtuar Aqif Pashë Biçakçiun (1860-1926), atdhetar, personalitet politik, burrë shteti, një nga figurat më në zë të lëvizjes kombëtare para dhe pas shpalljes së Pavarësisë, në luftën për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet kombëtar. Ky marsh ruhet në Arkivin Qendror të Shqipërisë dhe me partiturat origjinale të tij vitet e fundit çelet në TOB balloja e fundvitit.
Kompozitori dhe dirigjenti austriak Anton Cimfl shkroi edhe pjesë të tjera për orkestrën frymore “Afërdita” dhe orkestracione të këngëve patriotike të kohës, të cilat personaliteti muzikor elbasanas Ahmet Gashi i shfrytëzoi për koncertet e ardhshme.
Muzikanti austriak Anton Cimfl mbetet i paharruar në kujtesën historike të elbasanasve, të cilët me shumë nderim e kujtuan edhe në 100-vjetrin e orkestrës frymore “Afërdita”, tingujt muzikorë të së cilës vijnë nga shekulli dhe do të kapërcejnë shekujt.
SUZANA ZYRAKJA
#