Deti shumë i zi i Luizianës
Gjithçka nisi krejt pa pritur. Në orën 9:45 të së martës, të 20 prillit, sipas orës së Nju Orleansit, në 1 nga 717 platformat që “thithin” si shushunja me sondat e tyre të thella nëntokën e detit në Gjirin e Meksikës, u shfaq një flakë vende-vende e kuqe dhe vende-vende e verdhë, me gjatësi që i kalonte të 300 metrat dhe me gjerësi 200 metra. Shumë shpejt u shfaq edhe një re e dendur e zezë tymi, që sa vinte e merrte nuancë edhe më të errët. Sapo kishte nisur lufta mes ujit dhe naftës, mes së zezës së lëndës djegëse dhe blusë së pastër të ujit.
Sekuencat a para filmike nga zona e katastrofës shfaqën “ishullin” lundrues të shpuesit të naftës të rrethuar nga makineri që shërbejnë për të shuar zjarrin, si dhe mjete të ndihmës së shpejtë që përpiqeshin të ndreqnin një situatë që kishte shkuar për dreq. Shpërthimi që kishte ndodhur te platforma naftënxjerrëse, që ishte edhe shkaku i zjarrit dhe tymit të jashtëzakonshëm, kishte shkaktuar edhe shumë viktima në njerëz. Për ata që nuk janë në brendësi të kësaj situate të rëndë, ky aksident mund të konsiderohet si një “çmim i vogël” që duhet të paguajë natyra për shkak të etjes sonë të shfrenuar për karburante. Por, në fakt, nuk bëhet aspak fjalë për një “çmim të vogël”, por për një katastrofë të përmasave të pallogaritshme natyrore. Në platformën e tragjedisë në të cilën valëvitej flamuri i Ishujve Marshall, që kishte nisur punën në vitin 2001 pasi ishte prodhuar në kantieret detarë të Hunday dhe pagëzuar me emrin e bukur “Horizonti i ujërave të thellë”, në momentin e shpërthimit ndodheshin disa drejtues të lartë të zotëruesve të saj, pra të korporatës “British Petroleum” (BP). Ata kishin ardhur për të festuar funksionimin e saj perfekt, deri në atë moment. Por në vend të festimit, po atë ditë, këta krerë të lartë të BP-së njoftuan Uashingtonin për situatën ekstreme që kishte përfshirë platformën. Të premten, më 23 prill, 72 orë pas shpërthimit të parë, tashmë katastrofa nuk mund të mbahej më e fshehtë nga media, sepse përmasat e saj ishin të jashtëzakonshme. Tashmë as gënjeshtrat dhe as justifikimet e deklaratat se situata ishte në kontroll nuk mund të tjetërsonin faktet. Një robot i nëndetit, që merrej me eksplorimin e thellësisë së ujërave, zbuloi se një arterie e dytë e thithjes së naftës ishte çarë dhe hapur në një thellësi prej 1524 metrash thellësi dhe po derdhte nën det sasi shumë të mëdha nafte. Tashmë bëhej fjalë për dy çarje të mëdha, të cilat po hidhnin në det dyfishin e sasisë së njoftuar zyrtarisht, pra të 1000 fuçive në ditë. Sasia që derdhej ishte 1060 mijë litra, jo shumë krahasuar me 41 milionë litrat e derdhura nga një tjetër kompani shpuese, e famshme për avarinë e nënujit “Exxon Valdez” që ndodhet në Alaskë. Shtimi i sasisë së naftës së derdhur në det sa vinte e po bëhej më i madh, duke u shtuar nga 200 mijë litra në ditë. Ndërkaq, njolla e madhe e zezë, që nisi të pushtonte ujërat e kaltër të hënën më 26 prill, arriti sipërfaqen e shtetit të vogël të Rhode Island, që është edhe shteti më i vogël i vendit. Por me kalimin e ditëve, përmasa e njollës arriti sipërfaqen e West Virginia, shteti i 41-të për nga madhësia e më pas atë të Virginias, shteti i 37. E ndërkaq arteriet e naftës vazhdojnë që të vjedhin helm të zi. Në këto rrethana, paniku arriti kulmin. Nisin lëvizjet politike dhe vetë Obama, që pak ditë më parë kishte çeduar para presionit të kompanive naftëshpuese, duke u ridhënë lejen për të shpuar nëpër brigje, vendosi që të pezullonte çdo vendim në pritje të përfundimit të studimeve për një veprim të tillë. Për sa i përket Kongresit amerikan, ai bëri atë që do të bënte çdo Parlament tjetër në një situatë kur gjërat nuk janë të qarta, hapi një hetim ndaj drejtuesve të lartë të kompanisë BP, të shoqërisë që menaxhonte platformën, si dhe të ndërmarrjeve të tjera të përfshira në lëmin e naftënxjerrjes, mes të cilave edhe e kudondodhura, “Halliburton”, një kompani shumë e dashur për ish-zëvendëspresidentin amerikan, Dik çeni, që si një oktapod i vërtetë ka futur hundët në të gjitha shpimet brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara. Për sa i përket BP, kompania duhet të paguajë gjithçka dhe të gjithë për dëmet që vazhdon të shkaktojë rrjedhja, pra dëmet ndaj ambientit, peshkatarëve, sindikatave, bashkive të zonave, bregdeti i të cilave ka pësuar një ndotje të madhe dhe njerëzve të dëmtuar personalisht. Në këto rrethana, nga Pentagoni u nis një flotë e tërë me 130 avionë “Hercules C130” për të mbajtur situatën nën kontroll. Bëhet fjalë për një flotë ajrore më të madhe se ajo që Gjermania naziste dërgoi në vitin 1940 për të bombarduar Roterdamin në Holandë. Por nuk ka flotë ajrore në botë që të mund të zhbëjë njollën e madhe, gjithnjë e më të madhe të naftës vrastare në det. Ajo është një njollë që sa vjen e përhapet, pasi forcën e merr nga thellësitë e detit, ku vazhdojnë të rrjedhin të çarat. 24 orë nga fillimi i katastrofës kemi mbërritur në datën 30 prill. Tashmë është bërë thuajse e qartë që asnjë masë nuk po arrin që ta vendosë situatën nën kontroll e ndërkohë, aksionet e BP bien dita-ditës. Sipas një studimi gjatë dy javëve të para të tragjedisë, të gjitha ndërmarrjet dhe korporatat e përfshira në këtë gjëmë, duke filluar nga BP e deri te “Cameron”, kanë humbur rreth 31 miliardë dollarë. Më 30 prill, fotot e agjencisë amerikane të hapësirës (NASA) të marra nga hapësira tregojnë se njolla e zezë ka mbërritur tashmë në Deltën e Misisipit, një nga ekosistemet më të brishtë të kontinentit. Pas kësaj nuk numërohen më orët, por tashmë javët e këtij sulmi të zi. Gjatë dy javëve të para, dy të çarat e fundit të detit nxirrnin 200 mijë litra naftë në ditë, ndërsa në javët në vazhdim, kjo shifër shkoi në 500 mijë litra. Ndërkaq ndërmerren shumë tentativa për të ndaluar pasojat e rrjedhjes, por të gjitha dështojnë. Përpjekjet synojnë edhe vendosjen e një tape në të çarat e mëdha, por tapat bien shpejt nga presioni i madh i derdhjeve. Një ide tjetër ishte krijimi i një tubacioni tjetër të posaçëm që do ta merrte derdhjen dhe do ta kanalizonte rrjedhjen në një autobot të posaçëm. Kjo është një teknikë e përdorur tashmë edhe në raste të tjera, herë-herë me sukses, por kurrë më parë në thellësi të tilla të frikshme. 30 ditë pas fillimit të kësaj katastrofe duket sikur Toka thotë: donit naftë? Ja ku e keni, mbytuni në të! Këto ditë, sipas Universitetit të Floridës, sasia e plotë e naftës së “vjedhur” nga thellësia e oqeanit ka kapur një shifër rekord dhe tashmë pa frikë mund të thuhet se ky është rasti më ekstrem i dëmtimit të natyrës nga rrjedhjet e naftës në det. Të tjera metoda përmenden për të ndryshuar situatën, mes të cilave edhe disa me kosto shumë të madhe. Më e lira dhe më e shpejta e tyre është një metodë që do të paktën tre muaj për të dhënë rezultat dhe ka një kosto prej 100 milionë dollarësh. E ndërsa propozohet e provohet, nafta vazhdon të rrjedhë në sasi gjithnjë e më të madhe. Lënda e zezë vazhdon të zaptojë detin dhe të pushtojë përditë e më shumë ndërgjegjen e një kombi të tërë. Një muaj pas fillimit të rrjedhjes, autoritetet ndërmarrin një manovër të dëshpëruar. Këtë herë i drejtohen atit të madh, jo atij të qiejve, por lumit të vjetër Misisipi. Kështu nis ngritja e disa digave për të ndaluar përhapjen e njollës së errët. Por, gjithsesi, bëhet fjalë për një ndërmarrje të dëshpëruar, që nuk do të zgjidhë problemin, por vetë do të pakësojë përmasat e tij, gjithmonë nëse ndërmarrja do të ketë pak sukses. E ndërkaq, për një gjë janë të gjithë në një mendje, që ajo që po ndodh është katastrofa më e madhe që ka prekur ndonjëherë brigjet amerikane, një katastrofë ndikimi i së cilës do të ndihet për një kohë të gjatë tek flora, fauna, njerëzit, ekonomia, atmosfera dhe ambienti i një shteti të tërë.
Kjo duket si një hakmarrje e ashpër dhe e qartë e Tokës, që më në fund pas “thithjeve” të pafund që i janë bërë prej qindra vitesh shtratit të saj gjen mënyrën për t’u kumtuar qenieve njerëzore dhe mbi të gjitha korporatave se një situatë e tillë duhet të ketë një fund.
Pak para shpërthimit më 20 prill, studiuesit e Agjencisë Oqeanografike Kombëtare sapo kishin përfunduar një studim mbi situatën e brigjeve të Alaskës 21 vjet pas derdhjes së madhe të naftës nga “Exxon Valdez”. Në përfundim të studimit doli se edhe pse kishin kaluar 20 vjet nga katastrofa, nafta ishte e pranishme ende me shumicë në ujë. “Nëse një vend i huaj do të na kishte shkaktuar gjithë dëmin që po na shkakton derdhja e naftës në brigjet tona, thotë guvernatori i shtetit Jindal, një gjë është e sigurt, që tashmë këtij vendi do t’i kishim shpallur luftë”.
#