Gjahtarët e viruseve, Indiana Jones që na shpëtojnë jetën
“Në zemër të një pylli në Kamerun, një gjarpër helmues nuk është takimi më i keq që mund të ndodhë”. Kështu thotë Natahan Wolfe, 40 vjeç, me profesion “gjahtar virusesh”, i cili për gjashtë muaj ka qenë shkencëtar në Stanford, ndërsa për gjashtë të tjerë “Indiana Jones” në pyjet afrikane. Të shmangë gjarpërinjtë dhe insektet, si dhe të kërkojë “armiq të padukshëm”, është misioni i kërkimeve të Wolfe. E ka fjalën për viruset që lindin mes kafshëve, para se të transferohen në fshatrat e banuar nga njerëzit për t’u shpërndarë më pas në të gjithë botën në formën e pandemive. Wolfe do t’i tregojë aventurat e tij në konferencën “Virus, the invisible enemi”, që do të zhvillohet në Venecia, i organizuar nga tre fondacione që mbajnë emrat e Umberto Veronesi-t, Silvio Tronchetti Provera dhe Giorgio Ciani. Ndërkohë, drejtori i institutit “San Francisko” tregon strategjitë e përdorura për të rënë në gjurmët e një virusi para se të bëhet epidemi. “Rreth 60 për qind e viruseve të rrezikshme për njeriun transmetohen nga kafshët, sekreti është të kërkosh në vendet ku kontakti është intensiv si pyjet afrikane, ku ushqehen me specie të egra dhe tregjet aziatike, ku zogjtë shiten të gjallë. Aty kam kaluar pjesën më të madhe të 15 viteve të fundit”, tregon ai. Pandemia e gripit të derrit vitin e kaluar nuk ishte e dhunshme. Por na gjeti të gjithë të papërgatitur. “Për fat të mirë arritëm të dilnim mirë përballë një virusi beninj”, shpjegon Robin Weiss, virolog i “University College London”, një tjetër nga të ftuarit e konferencës. “Me viruset duhet të presim gjithmonë të pamundurën”. Ja se çfarë tregon Dorothy Crawford, pedagoge në Universitetin e Edinburgut, e cila ka shkruar edhe një libër me titullin “Armiku i padukshëm” për viruset. “E prisnim që pandemia e re të vinte nga Azia. Por ajo erdhi nga Meksika dhe me një virus shumë të ndryshëm nga parashikimet tona. Duhet të investojmë më tepër në kërkim, nëse duam të arrijmë të parashikojmë pandeminë e ardhshme”, shprehet ajo. Nga bota e këtyre mikroorganizmave njohim vetëm majën e ajsbergut. “Në peshë dhe vëllim luftojnë të gjitha qeniet e tjera të gjalla të marra së bashku. Nëse do të rreshtonim të gjitha viruset që ekzistojnë në botë, do ta mbulonim gjashtë herë galaktikën tonë”, shpjegon Crawford. “Sot kemi më pak infeksione dhe më pak vdekje se 50 vjet më parë, por nuk duhet të harrojmë se disa viruse janë të lidhura me forma të veçanta kanceri dhe se duke luftuar këto mikroorganizma mund të parandalojmë një tumor në gjashtë raste të tilla. Pjesërisht, po arrijmë t’ia dalim mbanë falë vaksinave kundër hepatitit B dhe virusit të papillomës”, shton Weiss. Diferenca mes një virusi dhe një gjarpri në thelb është kjo: “Dimë rreziqet e gjarprit, por jo të virusit. Nuk dimë se sa janë viruset që mund të infektojnë njeriun”, shpjegon Wolfe. Por të imagjinosh një mikroorganizëm që trondit stilin tonë të jetesës nuk është e vështirë për asnjë prej shkencëtarëve që merret me infeksionet. “Viruset kanë modeluar njerëzimin gjatë gjithë historisë së tij”, tregon Crawford. “Nuk besoj se do të zhduken ndonjëherë nga faqja e dheut. Edhe mes njerëzve ekzistojnë shumë diversitete. Dhe do të jetë gjithmonë, siç ka ndodhur në të kaluarën, dikush që do të jetë në gjendje të marrë nga një infeksion dhe të çojë përpara specien”.
çfarë është një virus?është një nga mikroorganizmat më të vegjël dhe më të thjeshtë që ekzistojnë. Prej shumë njerëzve nuk konsiderohet as një qenie e gjallë, sepse nuk është në gjendje të riprodhohet vetë. Nga viti 1940 deri në 2008 janë regjistruar te njeriu 335 sëmundje të reja virale. Në 60 për qind të rasteve, ai e kishte pasur origjinën nga një kafshë dhe më pas kishte kaluar te njerëzit.
Si shumohet?Virusi ngjitet pas receptorëve të membranës qelizore. Membrana e virusit “shkrihet” me atë të qelizës dhe virusi absorbohet. Virusi lëshon materialin e tij gjenetik (ARN), që hyn në bërthamën e qelizës dhe më pas nis të shumëfishohet. Kur dy viruse infektojnë të njëjtën qelizë mund të përziejnë materialin e tyre gjenetik, duke i dhënë jetë një lloj të ri virusi. Viruset e reja mund të kontaminojnë qeliza të tjera. Ai mbështillet nga një lloj “guaske” që përbëhet nga proteina. Disa prej këtyre proteinave i shërbejnë virusit për të njohur dhe infektuar qelizat. Bërthama përmban materialin gjenetik që mund të jetë ADN-ja ose një molekulë më e thjeshtë, ARN-ja.
Të pandalshëmUdhëtojnë në avionë, ndonjëherë edhe në bordin e pasagjerëve, ose të fshehur në mbajtëset e anijeve. Përshkojnë mijëra kilometra rrugë deri sa vijnë në Europë, ku më pas infektojnë njerëzit. Viruset dhe bakteret janë pasagjerë të frikshëm, për të cilët nuk ekziston kontrolli i pasaportës. Për të mbajtur nën kontroll këtë fluks të madh virusesh e bakteresh, sytë e ekspertëve janë drejtuar nga Lindja. Në Lindje, kushtet e këqija higjienike dhe administrimi i dobët mjekësor kontribuojnë në formimin e rezervave të agjentëve infektivë. Në Lindje "jetojnë" dy viruse: gripi dhe tuberkulozi, por janë të pranishme edhe pjesa më e madhe e 49 infeksioneve "të quajtura speciale": prej tyre, 21 e kanë rritur influencën me kalimin e viteve. Këtu mund të përmendet klamidia dhe hepatiti C. Përveç këtyre rasteve emergjente, ka të tjera që për momentin nuk ngjallin alarm, por thjesht duhet të tregojmë kujdes. Për shembull, në vitin 2007, në Europë ra një epidemi e quajtur "Chikungunya". 166 persona u prekën nga simptoma të ngjashme me ato të gripit, me temperaturë të lartë, dhembje koke, të vjella dhe sidomos dhembje trupi. Virusi erdhi në Europë me avion. Ai vinte nga vendet ku jeton mushkonja tigër, në Indi, Malajzi dhe Indonezi.
#