Studimet pasuniversitare, Rumania akordon 70 bursa për vendet frankofone
Rumania ka akorduar 70 bursa pasuniversitare për vendet frankofone. Këto bursa për doktoraturë dhe postdoktoraturë, të sistemit “Eugen Ionescu”, jepen për studentët nga vendet frankofone, që vazhdojnë doktoraturën dhe kërkimet shkencore, sidomos atyre me origjinë nga Europa Qendrore dhe e Jugut. Bursat, me një vlerë prej 1 milion euro për secilin vit universitar, kanë një kohëzgjatje nga 3 në 10 muaj, në funksion të shtrirjes së projektit të kërkimit. Ambasada rumune në Tiranë bën të ditur se bursat akordohen nga Rumania, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe administrohen nga Agjencia Universitare e Frankofonisë. Data e fundit për dorëzimin e dokumenteve të kandidatëve është 20 shtatori 2008. Përsa i përket procedurave për dorëzimin e dokumenteve, çdo kandidat duhet të kontaktojë një nga 22 universitetet rumune dhe, pasi është pranuar nga njëri prej këtyre, kandidati mund ta dorëzojë dosjen me dokumente në njërën prej zyrave rajonale të AUF. Të gjitha dosjet e kandidatëve do t’i transmetohen Zyrës Rajonale për Europën Qendrore dhe Lindore të Agjencisë Universitare të Frankofonisë, me seli në Bukuresht. Përzgjedhja shkencore e dosjeve do të bëhet nga një Komision Rajonal Ekspertësh, dhe më pas bëhet përzgjedhja finale e dosjeve, nga një komision i përzier, ku Ministria e Punëve të Jashtme ka fuqinë deçizive. Rumania paguan një kontribut vullnetar në favor të Agjencisë Universitare të Frankofonisë, me qëllim implementimin e sistemit të bursave “Eugen Ionescu”, destinuar për ata që kryejnë doktoraturën dhe kërkuesve që jetojnë në vendet frankofone.
21 Gusht 2008