E Diel, 1 Nëntor 2026

Ikën uji, banorët slejohen të kthehen në shtëpi

Autori i Lajmit: Silvana Balliu

Niveli i ujit në zonat e përmbytura ka shënuar rënie, por sërish situata e emergjencës vazhdon, pasi banorët këshillohen të bëjnë durim e të mos kthehen menjëherë në banesat e tyre.
Apeli vjen nga Shtabi i Emergjencës, që duke punuar në terren ka parë të udhës që fillimisht duhet që banorët të presin edhe ca para se tu kthehen shtëpive. Të njëjtën gjë ka pohuar edhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, deputete e Shkodrës e cila u ka bërë thirrje banorëve të jenë të duruar. "Rreziku ka kaluar, por unë u tërheq vëmendjen që ata të qëndrojnë edhe ca kohë aty ku janë, e të mos kthehem menjëherë nëpër banesa"- ka thënë ajo. Apeli ka si shkak të parë, rrezikun e një epidemie për shkak se uji ka qenë ndotur, pasi uji i shkarkuar nga tre hidrocentralet e lumit Drin është bashkuar me ujërat e zeza. Por, kjo nuk është i vetmi rrezik, pasi shumë prej shtëpive janë bërë gati të pabanueshme dhe ekziston frika e ndonjë shembjeje të mundshme, duke kërcënuar kështu edhe jetët e familjarëve.
Tharja e ujit
Situata në rrethinat e Shkodrës është duke u përmirësuar. Vetëm në 24 orët e fundit janë tharë 2 mijë hektarë tokë. Kështu të paktën raporton Ministria e Brendshme në buletin e saj të fundit. "Vetëm dje kemi tharë 9340 hektarë tokë të përmbytur", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme, ndërsa një ditë më parë kishim plot 11 400 ha tokë të përmbytur. Ministria nuk jep asnjë detaj për mënyrën se si është realizuar largimi i ujit nga fshatrat e përmbytur, por sipas kësaj llogarie i bie që për 4-5 ditë të thahet gjithë Ultësira e Shkodrës, që gjendet prej 14 ditësh në ujë, për shkak të hapjes së portave të hidrocentraleve. Po kështu, Ministria e Brendshme raporton se dje kanë dalë nga uji afro 500 shtëpi. Dje kishim 2649 shtëpi të përmbytura ndërsa dje 2169 të tilla.
Qarku i Shkodrës
Në qarkun e Shkodrës situata e përmbytjeve po shkon drejt normalizimit. Stabilizimi i motit ka ndikuar drejtpërdrejtë në përmirësimin e situatës në zonat që u prekën nga katastrofa e fillim janarit. Megjithëse situata është drejt përmirësit shtabi i emergjencave i këshillon banorët të mos kthehen në banesa, pasi nuk ka përfunduar ende situata e emergjencës. Në lagjet periferike të qytetit të Shkodrës, të cilat u përmbytën nga fryrjet e lumit Buna dhe Drin tashmë ka rënë ndjeshëm niveli i ujit. Niveli i ujit në Liqenin e Shkodrës ka pasur rënie në të gjithë perimetrin e shtrirjes se tij. Në hyrje të Urës së Bunës, qarkullimi i është kthyer normalitetit. Në lagjet e dëmtuara nga përmbytjet si: Bahçallëku, Ajasëm, Kirasi, Livadet dhe “Salo Halili”, ka rënë dukshëm niveli i ujit. Kjo, falë dhe ndërhyrjes së ekspertëve nga Maqedonia dhe Kosova për normalizimin e situatës me pompa thithëse.
Ndërpriten totalisht shkarkimet
Pas Komanit e Fierzës, dje janë ndërprerë shkarkimet edhe në Vaun e Dejës. Sipas burimeve zyrtare të METE shënohet një normalitet i situatës në tre digat më të mëdha të vendit. Referuar të dhënave të mesditës për situatën në HEC-e, niveli i Fierzës është 289.8 metra, nga 296 që është kapaciteti maksimal. Aktualisht prurjet në këtë liqen janë 300 metra kub për sekondë, ndërkohë që nuk ka shkarkime. Në Koman, niveli është 170.75 metra dhe prurjet janë 170 m kub në sekondë. Vau i Dejës shënon nivelin 74.85 metra dhe prurjet janë 70 metër kub në sekondë. Dje ministria e Energjetikës njoftoi se u ndërprenë shkarkimet në hidrocentralin e Fierzës dhe Komanit.

Velipojë

Helikopter për transportin e të sëmurës

Në Velipojë, është dashur ndihma e helikopterit për të transportuar në spitalin e Shkodrës një grua, e cila ishte e sëmurë. Rruga e Dajçit është bërë e kalueshme nga automjetet e mëdha, por jo për mjetet e vogla. Rruga nacionale Shkodër–Tiranë, tek Harku i Bërdicës është plotësisht e lirë dhe mund të qarkullohet me të gjitha llojet e automjeteve. Burime nga Shtabi i Emergjencës pohojnë se në aksin Bërdicë-Dajç (tek Kthesa e Dajçit), niveli i ujit ka shënuar rënie të ndjeshme. Ndërsa, janë të pakalueshme rrugët: Pentar–Velipojë, Mali i Jushit–Velipojë, Ura e Gjolulit (aksi Shkodër-Velipojë) dhe Ana e Malit-Obot.

Niveli i ujit mbi 2 m

Fshati kufi me Malin
e Zi, më i përmbyturi

Fshati Pentar, në kufi me Malin e Zi është ndër më të goditurit nga përmbytjet. I tërë fshati vazhdon të jetë nga 2 deri në 3 metra në ujë. Llogaritja e dëmeve nuk ka filluar ende, por duket se fatura do të jetë shumë e lartë, pasi banorët në këtë fshat kishin investuar në ndërtimin e fermave, si blegtorale ashtu edhe në fruti-kulturë, të cilat janë shkatërruar tërësisht. Shkatërrimtare ka qenë përmbytja për plantacionet e pemëve dekorative të një firmë vendase. Rreth 100 mijë rrënjë të mbjella në 242 dynymë tokë janë dëmtuar plotësisht, duke shkaktuar një dëm kolosal për firmën që prej vitesh importonte bimë në Itali. Ata që kanë shtëpi të vendosura lart nuk kanë pranuar të evakuuohen pavarësisht se katet e para i kanë plotësisht të përmbytura. Pavarësisht se në shumë zona të tjera situata ka nisur të përmirësohet, në Pentarin kufitar asgjë nuk ka ndryshuar.

Pas përmbytjes

BB grup ekspertësh për vlerësimin e dëmeve

Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, Philippe Le Houreou ka parë dje nga afër situatën që kanë lënë pas përmbytjet. Ai ka bërë një inspektim, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në zonat e përmbytura në Shkodër. “Mora informacionin për situatën dhe mbështetja ime shkon së pari për njerëzit dhe bashkohem me banorët e prekur nga përmbytja. Gjithashtu u informova për situatën e emergjencës. Isha shumë i gëzuar se nuk pati asnjë jetë të humbur. Kjo flet për një menaxhim eficient të situatës. Unë kam qenë në disa situata emergjente dhe është shumë e vështirë që në një hark të shkurtër kohor të koordinosh, të reagosh ndaj informacioneve. Të koordinosh është një detyrë shumë e vështirë. Dhe qeveria po koordinon në mënyrë shumë eficiente” u shpreh, Le Houreou. Zv/presidenti i Bankës Botërore, Philippe Le Houreou shtoi në deklaratën e tij se ndërhyrja e Bankës Botërore fillimisht do të konsistojë në asistencën e një grupi ekspertësh për të vlerësuar dëmet e sektorit privat, qytetarëve, por edhe të aseteve publike. Pas vlerësimit të kostos do të fillojmë punën për të rigjeneruar dhe për të filluar përsëri aktivitetin rajonal ekonomik” deklaroi më tej Le Houreou. Zv/presidenti Le Houreou bëri të ditur se Banka Botërore mund të ndërhyjë me projekte për riparimin e infrastrukturës dhe përforcimin e saj që fatkeqësi të tilla të mos përsëriten më. Ministri i Brendshëm Lulzim Basha falënderoi Zv. Presidentin e Bankës Botërore, Le Houreou për ofertën e ndihmës që paraqiti në Shkodër për të dërguar një skuadër me ekspertë të Bankës Botërore për vlerësimin e dëmit, duke filluar nga java që vjen, si dhe gatishmërinë për ndërhyrë me financimet e Bankës Botërore në projektet e rehabilitimit total të kësaj zone për ta shndërruar këtë sfidë një mundësi për të përmirësuar edhe më tej të gjithë parametrat e jetës dhe punës në zonën e përmbytur.

Ky lajm është publikuar: 16/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›