E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci", familja padit Mediun për plagosjen e djalit

Autori i Lajmit: Redaksia
Gjykata e Lartë ka kërkuar që ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu të jetë prezent në sallën e gjyqit në datën 25 janar, për të zhvilluar seancën e parë të pajtimit, mes tij, dhe të dëmtuarve nga shpërthimi në Gërdec.
Padia është ngritur nga familja Durda, djali 12-vjeçar i të cilëve është i dëmtuar rëndë nga shpërthimi. Akuza që është ngritur mbi Mediun është plagosje e rëndë, ndaj 12-vjeçarit, Roxher Durda. Gjykata vendosi që procesi të niste me një seancë pajtimi, ku avokatët e Mediut janë paraqitur në gjykatë me një prokurë, e cila është konsideruar e pavlefshme nga Gjykata e Lartë, duke kërkuar prezent në seancë e radhës Mediun.
Rishqyrtimi
Gjykata e Lartë e kishte mbyllur njëherë procesin e gjykimit ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu për tragjedinë e Gërdecit, por është detyruar ta rimarrë sërish në shqyrtim. Herën e parë Gjykata e mbylli këtë çështje me pretendimin se kishin kapërcyer afatet kohore, por edhe me mbylljen e hetimeve nga organi i akuzës. Padia e ngritur nga familjarët e viktimave të Gërdecit, të përfaqësuar nga familja Durda për të afërmin e saj të vdekur në tragjedinë e rëndë është vendosur kështu që të rigjykohet nga ky organ gjyqësor. Trupi gjykues drejtohet nga gjyqtarja Ariana Fullani. Familjarët e viktimave i përfaqëson Feruzan Durda, ndërsa ministrin Mediu, avokati i tij Ardian Visha. Familja Durda akuzon direkt ministrin Mediu si të implikuar në tragjedinë e Gërdecit, duke ngritur padinë se ai ka dëmtuar familjarët e saj përmes kësaj tragjedie.
Ngjarja
Mediu ishte Ministër i Mbrojtjes në kohën kur në Gërdec, pak kilometra larg nga Tirana shpërtheu kantieri i demontimit të armëve që shkaktoi 26 viktima, mbi 300 të plagosur si dhe shkatërrim të dhjetra banesave dhe bizneseve në zonë. Si të pandehur janë marrë 29 persona, shumica ushtarakë. Nga të pandehurit vetëm 4 janë nën masën e arrestit dhe po gjykohen nën akuzën për vrasje masive.

Ky lajm është publikuar: 16/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›