Berisha: “Në universitete po shiten nota”
Autori i Lajmit: Entela Duraj
“Stop korrupsionit në universitete, pedagogët po u shesin notat studentëve”. Ky ka qenë thelbi i deklaratës së kryeministrit Berisha gjatë pjesëmarrjes së tij në konferencën “Cilësia në Arsimin e Lartë dhe Procesi i Bolonjës, gjendja dhe perspektivat”. Për më tepër kryeministri Sali Berisha ka kërkuar ndryshim të raporteve pedagog-student, pasi vetëm kështu mund të arrihet cilësia. Dje, në një takim me rektorë, dekanë, profesorë, për implementimin e Bolonjës, Berisha u shpreh se rritja e numrit të studentëve është thelbësore, por nuk mund të pranohet raporti ekzistues, kur një pedagog u jep mësim mbi 50 studentëve. Ai u shpreh se ka fakte kur universiteteve u janë trefishuar investimet, por drejtuesit e tyre nuk i kanë përdorur fondet në kohë. “Nuk mund të pranohet në mënyrë absolute standardi 1 pedagog me 50 studentë. Është iluzore cilësia. Ju bëj thirrje të rekrutoni më të mirët”, - tha Berisha. Por kreu i qeverisë u shpreh i bindur se do të luftohet dhe korrupsioni në stafet pedagogjike: “Nuk ka më të rëndë, të papranueshme sesa kërkesa që i bën pedagogu studentit për notën. Kur një akt të tillë e bën një polic, anëtar i policisë rrugore ai bën një krim dhe ndëshkohet. Po kur e bën një anëtar i stafit akademik, i elitës së kombit, kjo është e rëndë”,- argumentoi Berisha. Ndërsa kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj, u shpreh se implementimi i procesit të Bolonjës në universitete do të pasohet dhe nga projekte të tjera, si ai për akreditimin e universiteteve publike dhe jopublike. Sipas ministrit Tafaj, cilësia e shkollimit është një sfidë afatgjatë e sistemit tonë arsimor, i cili ka pësuar ndryshime rrënjësore, në 4-5 vitet e fundit ai është reformuar thellësisht. “Shqipëria sot ka arritur të përmbushë objektin kryesor politik për liberalizimin e AL-ve, për ti dhënë akses, sipas meritës dhe preferencës, në shkollimin e lartë çdo nxënësi që ka përfunduar me sukses arsimin e mesëm dhe dëshiron të vijojë Arsimin e Lartë. Vetëm këtë vit akademik shkollat e larta publike kanë ofruar 37.600 vende studimi për studentë të rinj në të tre ciklet e studimeve (bachelor, master dhe doktoratë) dhe rreth 4000 studentë të rinj kanë pranuar shkollat e larta private“,- tha Tafaj. Duke u ndalur në sektorin privat, ministri Tafaj theksoi se arritjet e deritanishme në AL janë frut i investimeve publike dhe private të bërë në këtë sektor. “Qeveria Berisha e ka vënë arsimin në krye të listës së prioriteve të programit të saj. Investimi në arsim është përcaktues për dinamikën e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit tonë në këtë shekull ku shanset e zhvillimit të çdo vendi përcaktohen se sa shpejtë do të arrij të bëhet vend i ekonomisë dhe shoqërisë së mbështetur në dije“, - tha Tafaj. Gjatë fjalës së tij, ministri Tafaj rikonfirmoi se cilësia e shkollimit arsimor është ajo që do të përcaktojë shanset reale të të diplomuarve në tregun e punës dhe do të bëjë diferencën midis shkollave të larta. Duke renditur faktorët që ndikojnë në cilësinë e AL, ministri Tafaj e ka vlerësuar profesoratin, cilësinë e kurrikulave moderne, kapacitetet në hapësira dhe laboratore si rezultante të tyre. Po kështu në bashkëpunim me BB, MASH shpalli fillimin e projektit të parë për vlerësimin e standardeve akademike të zbatuara në reformën kurrikulare në AL. Ai do të pasohet nga një projekt i dytë për rangimin e universiteteve. Në përfundim të fjalës së tij ministri Tafaj u shpreh : “Cilësia është një rrugë shumë e gjatë dhe atë duhet ta përshkojmë të gjithë bashkë: politika, komuniteti akademik, studentët, biznesi, shoqëria civile, media dhe faktorë të tjerë. Por faktori vendimtar mbeteni ju të nderuar profesorë, studentë dhe drejtues të universiteteve”.
Kompanitë e huaja që do të “masin”
cilësinë e universiteteve
Në këtë Konferencë u diskutua mbi nivelin e Arsimit të Lartë në Shqipëri, si dhe implementimin e Procesit të Bolonjës në Universitetet shqiptare. Konferenca mbi cilësinë në Arsimin e Lartë dhe procesin e Bolonjes, është ndërmarrë nga MASH në kuadër të reformës në këtë nivel arsimi. Miratimi i ligjit të ri për Arsimin e Lartë hapi rrugën për zbatimin e procesit të Bolonjës. Arsimi i Lartë shqiptar nëpërmjet këtij procesi synon të kthehet në një arsim cilësor për tju përgjigjur sa më mirë nevojave të tregut rajonal dhe global të punës. Për këtë kërkohet të përmirësohet cilësia e mësimdhënies, si në përmbajtje (kurrikula) ashtu edhe në metodat e mësimdhënies. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është dhe përgatitja e standardeve të arsimit të lartë sipas cikleve të studimit. Në kuadër të projektit “Cilësi dhe barazi në arsim”, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka kontraktuar kompaninë gjermane DAAD (German Academic Exchange Service) së bashku me kompaninë finlandeze ( Finish Consulting Group, FCG), që të asistojnë Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës për përgatitjen e standardeve të Arsimit të Lartë sipas cikleve të studimit, në përputhje me kërkesat e procesit të Bolonjës. MASH dhe DAAD do të kryejnë një studim të gjendjes aktuale të Arsimit të Lartë dhe për të hartuar standardet progresive, përfshirë këtu edhe kërkimin shkencor, deri në arritjen e standardeve evropiane, duke dhënë rekomandimet përkatëse për arritjen e tyre. Ata do të ristrukturojnë programet në përputhje me standardet evropiane, do të përcaktojnë pajtueshmërinë e kurrikulës universitare me nivele të ndryshme të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, do të hartojnë rezultatet e mësimit për programet e përmendura dhe për të kompletuar kuadrin kualifikimet në nivel qendror dhe departamentit.
Ky lajm është publikuar: 16/01/2010