Studimi, 1 në 10 të dënuar me probleme mendore
Shkaqet që kanë çuar në shtimin e të sëmurëve nga shëndeti mendor janë qëndrimi i izoluar dhe dhuna e ushtuar tek të burgosurit
Një në dhjetë të dënuar vuan nga problemet mendore në Shqipëri. Këto janë shifrat e publikuara nga Instituti Europian i Tiranës, i cili raporton se rreth 400 të burgosur vuajnë nga problemet mendore, si pasojë e depresionit që sjell qëndrimi brenda katër mureve të ftohta të burgut. Studimi është kryer përgjatë periudhës prill/nëntor 2011nga Instituti Europian, ku shkaqet që kanë çuar në shtimin e të sëmurëve nga shëndeti mendor është qëndrimi i izoluar dhe dhuna e ushtuar tek këta individë. Rasti më i keq është se këta të sëmurë nuk kanë ende një qendër të specializuar ku mund të trajtohen. Lidhur me këtë problematikë, ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi këshillon për përshpejtimin e proceduarave për një trajtim më të specializuar të burgosurve që preken nga sëmundjet e shëndetit mendor. Ndërkaq ai ka kërkuar që në këtë drejtim të kihet kujdes, pasi ka pasur mjaft raste kur në kauzën e një shëndeti mendor të përkeqësuar, të burgosurit kanë lënë qelinë. Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Drejtësisë po përgatit një draft të veçantë për kujdesin e shëndetit mendor në vendet e vuajtjes së dënimit. Ky projektligj kërkon trajtimin e të sëmurëve në burgje në nivel të barabartë si gjithë të tjerët. Sipas monitorimit të IET në vitin 2010, për personat me probleme të shëndetit mendor në sistemin e burgjeve paraqitet situatë problematike. Në kundërshtim me kuadrin ligjor aktual, njerëzit, për të cilët Gjykata ka vendosur masën e trajtimit të detyruar ose te detyruar përkohësisht në një institucion mjeko-ligjor, trajtohen në Spitalin e Burgut Tiranë, pasi në Shqipëri, nuk ekziston ende një institucion i specializuar për të burgosurit. Gjatë një vizite të IET, në Spitalin e Burgut gjendeshin 66 pacientë nën trajtim të detyruar (75% e numrit të përgjithshëm të pacientëve) nën kujdesin e specializuar të një psikiatri të vetëm. Përveç kësaj, të paraburgosurit, të cilët kanë fituar sëmundje të rënda mendore gjatë periudhës së paraburgimit nuk përfitojnë një shërbim të përshtatshëm. Asnjë institucion nuk disponon psikiatër në stafin të tij dhe nuk ka aktivitete të veçanta të planifikuara për ta. Po kështu, ITE konstaton se mundësitë për të paraburgosurit që të kenë një akses sa me të shpejtë në kujdesin e përgjithshëm dhe të specializuar mjekësor ende nuk janë siguruar. Vetëm disa institucione paraburgimi mund t’ju ofrojnë të burgosurve dentistë të kualifikuar dhe pajisjet e duhura përkatëse.