E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis hartimi i listës, 430 barna me rimbursim për vitin 2012

SHKRUAN: Jonida Tashi 13-12-2011 11:48

Lista gati brenda muajit dhjetor, parashikohet të shtohen 10 medikamente të reja për të sëmurët kronikë. Ministria e Shëndetësisë miraton listën me çmimet e barnave të regjistruara për vitin 2012, me rimbursim

Specialistët e Shëndetësisë kanë nisur hartimin e listës së barnave me rimbursim për vitin 2012, në të cilën parashikohet të shtohen 10 medikamente të reja për të sëmurët kronikë.

Burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se aktualisht procesi i hartimit të listës së është drejt përfundimit, dhe brenda këtij muaji ajo do të kalojë për miratim edhe në komisionin e posaçëm në këtë dikaster, për t’u depozituar më pas për miratim edhe në qeveri. Autoritetet e Shëndetësisë sqarojnë se po punohet fort për hartimin e listës së re, në mënyrë që ajo, ndryshe nga një vit më parë, të hyjë sa më shpjet në fuqi. Sipas parashikimeve të bëra nga Ministria e Shëndetësisë, të reflektuara edhe në buxhetin e vitit 2012, skema e medikamenteve me rimbursim për vitin e ardhshëm do të zgjerohet nga 420 barna që janë aktualisht në listë, në 430 për vitin 2012. Për të përballuar shtimin e 10 barnave të reja në listën e rimbursim, shpenzimet e ISKSH-së janë parashikuar të rriten në masën 1.2 miliardë lekë për vitin 2012, duke kapur nivelin 28.9 miliardë lekë, nga 27.7 miliardë lekë në buxhetin e rishikuar 2011. Aktualisht, specialistët e Shëndetësisë kanë përcaktuar listën me çmimet CIF dhe të fabrikimit të barnave të regjistruara (të rimbursueshme) për vitin 2012. Nga kjo listë, që përbëhet nga 1147 alternativa medikamentesh, do të përzgjidhen edhe barnat që do të jenë pjesë e listës së re me rimbursim. E po kështu janë përcaktuar edhe çmimet CIF të barnave me paketim spitalor për vitin 2012. Për sa i përket masës së rimbursimit, ajo do të vazhdojë të jetë e njëjtë, duke variuar nga 50%-100% sipas kategorive. Për pensionistët, masa e mbulimit të çmimit të barnave për alternativën e parë në listën e barnave të rimbursueshme do të jetë 100%. Po kështu, barnat e listës do të ofrohen falas për fëmijë 0-12 muajsh, invalidët e plotë, veteranët me sëmundje kronike, të verbrit dhe jetimët, si dhe për një sërë personash të tjerë, si për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, sklerozës multiple, talasemisë major. Ndërsa kategoritë e tjera do të përfitojnë rimbursim të pjesshëm, në përqindje të ndryshme, por jo më pak se 50% e medikamentit. Lista e barnave të rimbursueshme përfshin shumë lloje ilaçesh, nga më të lirat e deri tek ato që konsiderohen me një çmim të kripur për xhepat e qytetarëve. Lista mbulon një variant shumë të mirë të preparatit, por që është me çmimin më të lirë. Pastaj, nëse pacientët duan të zgjedhin preparatin më të shtrenjtë, që në njëfarë mënyre konsiderohet si luks, mund të shtojnë sasinë përkatëse të lekëve. Një vit më parë, vonesat e krijuara me miratimin e listës që u kalua nga qeveria në datën 1 qershor, bënë që ajo të hynte në fuqi në fillim të muajit korrik, ndërsa përfituesit trajtoheshin me medikamentet e listës së vjetër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›