E Diel, 1 Nëntor 2026

Asgjësimi i ilaçeve të skaduara në QSUT, mblidhet grupi i punës

Ministria e Mjedisit nuk lejon djegien dhe groposjen e barnave në landfillin e Sharrës

Pas shumë debatesh mbi asgjësimin e stokut të barnave të skaduara që gjendet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Ministria e Shëndetësisë, ajo e Mjedisit dhe Bashkia e Tiranës janë mbledhur për të vendosur mbi mënyrën e eliminimit të tyre. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, jo të gjitha medikamentet mund të cilësohen mbetje të rrezikshme. Ndërsa sipas specialistëve të Ministrisë së Mjedisit, në ligj nuk ka ndonjë ndarje për barnat. Ndaj ato cilësohen të gjitha të rrezikshme dhe nuk duhen groposur apo djegur në icenerator. Megjithatë, QSUT-ja e sheh ende si një mundësi groposjen e tyre.

Por, autoritetet e Mjedisit e përjashtojnë djegien dhe groposjen e tyre në landfillin e Sharrës, një praktikë kjo që është ndjekur më parë, megjithëse nuk është e ligjshme.

Në këto kushte, drejtues të Mjedisit kërkojnë që Ministria e Shëndetësisë të gjejë zgjidhje ligjore për asgjësimin e barnave të skaduara, një nga të cilat mund të jetë përdorimi i iceneratorit me lejen mjedisore përkatëse për kryerjen e këtij aktiviteti. Po kështu, sipas autoriteteve të Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë, mund të komunikoj edhe me palë të treta të pajisura me leje mjedisore për asgjësimin e këtyre medikamenteve. Aktualisht, në dy dhoma të depos së barnave në QSUT janë të depozituara me qindra ilaçe të skaduara dhe që mbahen stok që prej vitit 2008. Sipas drejtuesve të QSUT-së, duhet bërë më parë ndarja e barnave që do të digjen apo groposen. Për këtë, Ministria e Shëndetësisë duhet të lëvrojë një fond të posaçëm për eliminimin e tyre. Ndërkohë që i takon Ministrisë së Mjedisit të kujdeset për ndikimin që kanë këto barna të skaduara, për vendin ku do të depozitohen. Por, para se gjithash duhet që Bashkia e Tiranës të përcaktojë një vend të përshtatshëm për groposjen dhe djegien e tyre. Për barnat e skaduara të tregut të hapur është përgjegjëse edhe Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave, e cila ka operuar duke i groposur ato në landfillin e Sharrës.

Sëmundjet e zemrës

Mjekët: Kujdes me ushqimet!

Shqiptarët kanë një zemër të dobët për shkak se keqpërdorin ushqimin dhe seksin. Mjekët kardiologë thonë se shkaqet që çojnë në shtim të numrit të të prekurve me sëmundje të zemrës është stresi, përdorimi i ushqimeve të fast-food-eve dhe përdorimi gjithmonë i makinës në vend të ecjes. Një tjetër shkak që ndeshet më pak, por që sipas bluzave të bardha përbën një shqetësim madhor, është se infarktet shkaktohen nga përdorimi në masë i kontraceptivëve oralë. Ndërkohë që i ftohti i dimrit është një aleat i ngushtë i përkeqësimit të zemrës. Në këto kushte, mjeku kardiolog i Poliklinikës Nr.3, Valer Manushi, thotë se pacientët duhet të kenë ilaçet me vete dhe t’i drejtohen mjekut në rastin më të parë të shfaqjes së krizave. Por ajo që është shqetësuese, sipas mjekëve, është ulja e moshës së të prekurve nga sëmundjet kardiovaskulare. Nëse para viteve ‘90 pacientët e diagnostikuar me sëmundje kardiovaskulare ishin mbi moshën 50 vjeç, vitet e fundit mosha e të prekurve është ulur në 35 deri në 40 vjeç, si për femrat ashtu edhe për meshkujt.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›