Shqipëria me 60 mijë përdorues droge, më të vegjlit 14 vjeç
Pas prodhimeve të kanabisit, më e përdorur rezulton marijuana, ndërkohë që janë në rritje kërkesat për ekstazi
Shqipëria numëron rreth 60 mijë përdorues drogash, ku “pre” e lëndëve narkotike kanë rënë edhe 14-vjeçarët. Shqetësimi për rritjen e numrit të përdoruesve ilegal ngrihet nga drejtues të Shëndetësisë, të cilët thonë se droga më e përdorur është marijuana. “Ashtu si në çdo vend të botës, përdorimi dhe abuzimi me substancat ilegale është një fakt i pamohueshëm dhe numri i përdoruesve të drogës është në rritje. Llogaritet që në vendin tonë janë rreth 40.000-60.000 përdorues të drogave ilegale, ku droga më e përdorur rezulton marijuana dhe më pas vijnë heroina, kokaina apo droga të tjera”, - thotë drejtori i Përgjithshëm i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Lëndët narkotike që përdoren janë kanabis, gjë që paraqitet problematike në shkollat e mesme, heroina (tymosje, injektim, e përzierë, shkëmbim shiringash, më shumë injektim), kokaina (tymosje), si dhe po vihen re dhe kombinime (Diazepam, Alkool, Ketaminë, etj.) Ndërsa, substancat psikoaktive që përdoren më masivisht janë prodhimet e kanabis (rreth 65 %); përdoruesit e opiateve, kryesisht heroinë janë 20-25% (një pjesë e konsiderueshme e të cilave administrohet intravenoz, duke përbërë një kërcënim potencial për sëmundje të transmetueshme); rreth 10% janë përdorues të kokainës. Por, vëzhgimet konstatojnë edhe një rritje të preferencave për substanca sintetike, veçanërisht e stimulantëve të tipit të amfetaminës (ekstazi etj.). Grupet vulnerabël konsiderohen të rinjtë, nën 34 vjeç, kryesisht të papunë, 14-17 vjeç, të cilët nuk shkojnë në shkollë, por dhe nxënës. Në grupet e rrezikuara përfshihen dhe punëtoret e seksit (prostituta, travestitë, etj.), romët, të rikthyerit e zhgënjyer nga emigracioni, personat që kanë tentuar disa herë abstinencën. Por, nga ana tjetër, studimet e ndryshme kanë treguar se të rinjtë janë ata që eksperimentojnë më shumë me drogat, edhe pse me një rritje të lehtë gjatë viteve. Shërbimet e parandalimit dhe trajtimit të personave adiktiv edhe pse të kufizuara janë prezente në vendin tonë. “Në krahasim me vendet e tjera të botës apo të rajonit, për sa i përket infeksioneve fatale si HIV, apo Hepatiti C është nën kontroll, por me një tendencë kohët e fundit të rritjes së rasteve me Hepatit C tek përdoruesit e drogave intravenoze, kjo për shkak të shkëmbimit të shiringave, apo mjeteve të tjera të injektimit”, - pohon Pipero. Lidhur me shërbimet ndaj drogës, qeveria ka parashikuar zgjerimin e atyre ekzistuese si dhe hapjen e qendrave të reja. “Ka një vullnet politik për këtë çështje dhe shumë shpejt ne do të hapim Qendrën Kombëtare të Adiksionit dhe do të ngremë shërbime të tilla në 12 prefekturat e vendit. Gjithashtu, jemi në përpjekje për zgjerimin dhe hapjen e programeve të reja të trajtimit me agjent farmakologjik si metadoni, apo buprenorphina për përdoruesit e drogave, kryesisht ata të opiateve”, - shprehet më tej Pipero. Por, sipas tij, situata kërkon jo vetëm vullnet politik, por mbi të gjitha një përgjigje dhe mbështetje të gjithanshme. Zvogëlimi i dëmit për përdoruesit e drogave (terapia zëvendësuese me metadon) është një ndër mënyrat, nëpërmjet të cilave synohet parandalimi i përdorimit të drogave.
65 % përdorues të prodhimeve të kanabis
20-25%, përdoruesit e opiateve, kryesisht heroinë
10% janë përdorues të kokainës me tymosje