Studimi, 38% e shqiptarëve duan të emigrojnë
Emigrimi, rrjedhja e trurit dhe mungimi i brendshëm janë tre fenomene që kanë prekur thellë shoqërinë shqiptare. Jashtë vendit është larguar 35% e popullsisë së aftë për punë. Përpos kësaj, 60% e të diplomuarve jashtë nuk punojnë në profesionin e tyre. Kjo edhe kur kthehen në atdhe. Jo më pak i rëndësishëm e në nivele të larta mbetet edhe migrimi nga rrethet e vendit drejt qyteteve të mëdha. Pikërisht këtu është fokusuar studimi i British Council, i realizuar nëpërmjet Qendrës për studime ekonomike e sociale. Pjesë e tij këtë vit janë bërë 8 qytete të ndryshme të Evropës, ku bëjnë pjesë Tirana, Athina, Bukureshti, Stambolli. Nikosia e jugut dhe veriut, si dhe tre qytete në Mbretërinë e Bashkuar. Clare Sears, drejtoresha e British Council, e cilësoi studimin të veçantë për nga metodologjia që është përdorur. “Studimi bazohet në intervista me individë të afektuar nga emigracioni në mënyra të ndryshme. Mes tyre emigrantë të kthyer, familje emigrantësh, të huaj që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, si dhe studentët dhe intelektualë me përvojë evropiane që kontribuojnë në vend”, tha Sears. Ndërsa Shila Bramely, e ngarkuar me punë në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar pohoi se migracioni është një fenomen i prekshëm në çdo vend. “Duhen marrë masa për pasojat negative që ai sjell por nga tjetër duhen vlerësuar anët pozitive. Kjo sepse vendi i Shqipërisë është në bashkimin evropian, ku kufijtë janë të sheshuar”, tha Bramely. I pranishëm në takimin e djeshëm ishte edhe zëvendëskryeministri i vendit Genc Pollo. Ai theksoi se Shqipëria është ndër vendet me shifra më të larta në rajon për emigrimin, por edhe për nivelet e larta të migrimit brenda vendit”. Ne si qeveri e kemi prioritet jo vetëm marrjen e masave për integrimin e tyre në vendet pritëse por edhe të krijojmë kushte për të mundësuar kthimin e tyre në vend. Kjo pasi kontributi i tyre është i nevojshëm për zhvillimin e tij”, tha Pollo. Sipas të dhënave të studimit, rreth 38% e popullsisë, nga mosha 18-40 vjeç, që nuk kanë emigruar deri tani duan ta bëjnë këtë gjë. Aspekt pozitiv i emigracionit është investimi i kursimeve të emigrantëve brenda vendit. Nga anketimi dhe intervistat në Tiranë, emigrantët e rikthyer i investojnë kursimet e tyre në 46.8% të rasteve për të mbuluar shpenzimet e jetesës, në 37.85 të rasteve në biznes dhe për të blerë një pronë në 12.3% të rasteve. Pjesa më e madhe e tyre në rreth 60% zgjedhin vetëpunësimin.
Statistikat
35% e popullsisë së aftë për punë në emigracion
60% e të diplomuarve jashtë s’punojnë në profesionin e tyre
38% e popullsisë do të emigrojë
46.8% e emigrantëve të rikthyer mbulojnë jetesën me kursimet
37.85 i investojnë në biznes
60% zgjedhin vetëpunësimin.