E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Studimi" FMN: Ekonomia botërore bie këtë vit me 1.3%

FMN ka parashikuar në një studim të fundit se ekonomia botërore do të bjerë këtë vit me 1.3%, rënia më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Ky parashikim është shumë më i zymtë sesa ai që FMN bëri në janar. 

UASHINGTON- Ekonomia botërore do të bjerë këtë vit me 1.3 për qind, rënia më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Kështu thuhet në një studim të fundit të Fondit Monetarë Ndërkombëtarë. Në janar, FMN-ja kishte bërë një parashikim tjetër për një rënie më të vogël, rreth 0.5 për qind për vitin 2009.
Britania e Madhe, sipas FMN-së do të bjerë me 4.1 për qind gjatë këtij viti, ndërsa në 2010 do të bjerë rreth 0.4 për qind. Ekonomitë e tjera të mëdha do të bien edhe më shumë.
Gjermania do të ketë një rënie prej 5.6 për qind, Japonia rreth 6.2 për qind, ndërsa Italia 4.4 për qind për këtë vit. Perspektiva për të gjithë ekonomitë e zhvilluara nuk është e mirë edhe për vitin 2010, ku pritet një rrjtje e përgjithshme prodhimi zero. FMN thotë, ky është recesioni më i madh që pas Luftës së Dytë Botërore dhe prodhimi do të bjerë në rreth 75 për qind të ekonomisë botërore.
Parashikimet gjithashtu janë të zymta për tregtinë botërore. FMN parashikon se volumi i tregtisë do të bjerë në 11 për qind në 2009 dhe do të rritet shumë pak në 2010. Rënia e tregtisë godet më shumë vendet kryesore eksportuese, veçanërisht në Azi.
Sipas FMN-së recesioni ekonomik do të jetë më i ashpër në Britaninë e Madhe. Papunësia në këtë vend do rritet në 9.2 për qind në vitin 2010 krahasuar me parashikimet aktuale. Defiçiti buxhetor do të rritet 11 për qind e prodhimit të brendshëm. Humbjet në sektorin financiar sipas FMN-së, llogariten 4 trilion dollarë, katër herë më të larta nga sa ishin parashikuar një vit më parë. por ajo që paralajmëron FMN është se pasqyra apo gjendja aktuale mbetet tërësisht e pasigurt, pasi rreziqe të tjera mund të dalin. FMN thotë se është e rëndësishme të ndërmerren hapa urgjente për të mbështetur bankat dhe për të vazhduar planet fiskale afatshkurtër stimuluese, në mënyrë që të shkurtohet zgjatja e recesionit. Britania e Madhe ka ndërmarrë më shumë masa stimuluese dhe përsëri është një nga vendet më të goditura nga recesioni. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›