Korçë, shkatërronte bunkerët në mal, humbet gishtat e dorës 50 vjeçari
Humb gishtat e dorës duke shkatërruar bunkerët në mal. Kështu ka ndodhur me një 50- vjeçar nga fshati Floq i rrethit të Korçës. Ritvan Rakipi, prej disa ditësh ishte duke nxjerrë hekur nga bunkerët në Malin e Kuq, ndërsa hidhte në erë objektet prej betoni me anë të eksplozivit.
Gjatë shpërthimit të një kapsolle detonatore, 50- vjeçari ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë, madje ka humbur dhe gishtat e njërës dorë. Ngjarja ka ndodhur gjatë mbasdites së të hënës, ndërsa policia ka mësuar për ngjarjen vetëm kur i plagosuri Ritvan Rakipi ka mbërritur në spitalin rajonal të Korçës. Policia ka nisur hetimet, ndërsa i plagosuri do të ndiqet në gjendje të lirë për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve.