E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefekti i Shkodrës u mbledh rripat kryekomunarëve për kartat e identitetit

Prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu ka mbledhur drejtuesit e njësive vendore, të cilët jo vetëm janë të vonuar për zbatimin e VKM-së që heq taksën disa kategorive për kartën e identitetit, por duken aspak të mobilizuar për të gjithë procesin. Jo vetëm për kategoritë që kanë zbatim falas, por edhe për ato kategori që ju është ulur në mënyrë të ndjeshme çmimi, problemet me shumë komuna kanë qenë të mëdha. Në këtë mënyrë Cungu ka qenë i rreptë me kryekomunarë dhe drejtuesit e këtyre komunave dhe njësive vendore.
Ai ka thënë se sidomos ato bashki e komuna që janë më mbrapa në proces duhet menjëherë të marrin masat e duhura në mënyrë urgjente dhe të përcaktojnë ato struktura përgjegjëse brenda këtyre njësive, për të filluar këtë proçes dhe të bëjnë sensibilizimin e të gjithë personave që përfitojnë nga ky moment. Prefekti ka deklaruar se Bashkitë e Komunat, institucionet, zyrat e punës do të marrin masa dhe të blejnë këto kuponë dhe të pajisin me to personat të cilët do të aplikojnë. Në Prefekturë kanë raportuar edhe institucione të tjera dhe sidomos ato të Sigurimeve Shoqërore duke sqaruar dhe pensionistët për procesin në fjalë. Në takim u tha se edhe pensionistët që mund të kenë aplikuar për pasaportë do të marrin kompensim dhe ju tregua edhe të tjerëve procedura, duke bërë edhe sensibilizimin e duhur. Prefekti Cungu ka urdhëruar të bëhen listat e personave që përfitojnë falas kartat e identitetit në mënyrë që edhe këto persona të votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›