E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi: Ndërtuesit ndryshojnë kursin, zhvendosin investimet në turizëm e bujqësi



Ervin KOÇI

Kriza ekonomike dhe ajo politike që në tre vitet e fundit e ka lënë pa punë sektorin e ndërtimit, ka bërë që shumë ndërtues të reflektojnë mbi sipërmarrjen e tyre. Edhe pse mund të duket si e çuditshme, shumë prej biznesmenëve të ndërtimit në pamundësi të sigurimit të lejeve të ndërtimit në qytetet kryesore, si dhe duke parë rënien e fluksit të blerjeve të apartamenteve dhe lokaleve, kanë zhvendosur diku gjetkë investimet e tyre. Sipas një studimi, shumë prej tyre po i zhvendosin planet e investimit në degë të tjera të ekonomisë, si në bujqësi apo turizëm. Kjo për shkak se, sektori i ndërtimit është maturuar, tashmë dhe fitimet nuk janë më aq të larta. Ulja e ritmeve të rritjes në sektorin e ndërtimit dhe atij bankar po nxit bizneset në kërkim të aktiviteteve të reja. Bujqësia është një prej sektorëve, ku ekspertët e ekonomisë këshillojnë të orientohen investimet private në këtë periudhë, duke e renditur si sektor potencial edhe turizmin dhe ndërmjetësimin tregtar, ndërsa ndërtimi konsiderohet në fazën e tij të maturimit.

Ndryshimi i kursit
Diversifikimi i portofolit të investimeve apo nevoja për t'u zhvendosur në një aktivitet tërësisht tjetër po bëhet gjithnjë e më i dukshëm për ekonominë shqiptare. Mendimi i shumë prej sipërmarrësve të ndërtimit është se, tregu i banesave nuk është më parësor, sepse vendi e ka kaluar emergjencën e trashëguar të familjeve të pastreha, duke u kufizuar kryesisht në blerjet e çifteve të reja. Sipas ekspertëve të sektorit të ndërtimit, “Shqipëria ka ezauruar tashmë apo po i ezauron, një pjesë të madhe të burimeve ekonomike, që kanë orientuar zhvillimin e deritanishëm”. Rritja e shpejtë e konsumit dhe e investimeve të mbështetura nga rritja e shpejtë e kredisë bankare, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë ekonomitë në tranzicion, e shoqëruar me zhvillimin e vrullshëm të ndërtimit çoi në rritjen e shpejtë të aktivitetit ekonomik. Kompanitë kryesore në ndërtim, por që kanë një portofol të diversifikuar, duken të shëndetshme në bilancet e tyre dhe nuk pritet të dobësohen nga ulja e kërkesës konsumatore në disa sektorë.

Investimi në bujqësi
Shumë biznesmenë ndërtimi tani i kanë orientuar investimet e tyre në bujqësi dhe blegtori. Shkak për këtë është blerja ndër të tjera e shumë sipërfaqeve të tokës së lirë në zona rurale në afërsi të qyteteve kryesore të vendit, ku rënia e interesit për të ndërtuar i ka kthyer ndërtuesit në investitor të sektorit bujqësor. Por shumë prej këtyre ndërtuesve rezultojnë sot të kenë ngritur ferma dhe pulari, në një kohë që nuk mungojnë edhe linjat e prodhimit të sektorit agro-ushqimor. Kjo duket se ka ndodhur edhe sepse një pjesë e mirë e sugjerimeve të ekspertëve të ekonomisë duket se, kanë rënë në veshët e sipërmarrësve, të cilët po vlerësojnë mundësitë e investimeve në sektorë potencialë në vend si turizmi, tregtia, përpunimi dhe prodhimi vendas. Me përvojën në ndërtim, ata janë drejtuar kryesisht në ndërtimin e fshatrave turistikë, megjithatë, ekspertë të ekonomisë theksuan në një takim të fundit të organizuar nga Banka e Shqipërisë, se sektori i turizmit ka bërë hapa mbrapa gjithë këto vite me betonizimin e bregdetit, duke bërë që të humben mundësitë e shfrytëzimit të këtij potenciali. Ekspertë të ekonomisë, të ftuar nga BSH-ja në një debat të hapur për modelin ekonomik, vlerësuan si sektorë të mundshëm atë të turizmit, bujqësisë, agro-përpunimit, duke vënë në dukje se mbi të gjitha nevojitet një përdorim efektiv dhe i kujdesshëm i burimeve natyrore.

9 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›