Konkurrenca: BSH ndjek politika monopoliste në tregun e bonove të thesarit
Autoriteti i Konkurrencës doli në konkluzionin se Banka e Shqipërisë ka shtuar gjatë viteve të fundit barrierat për individët që dëshirojnë të blejnë bono thesari, si dhe i sugjeroi të rikthejë skemën e vjetër të depozitimit me para në dorë. Pas një hetimi njëvjeçar për tregun e borxhit të brendshëm, Autoriteti vendosi të mos gjobisë bankat e nivelit të dytë, të cilat qenë hetuar për manipulim të tregut të bonove, duke përdorur fuqinë e tyre të ndjeshme, pasi nuk u siguruan provat e mjaftueshme. “Banka e Shqipërisë e ndryshoi politikën e saj të aksesit të individëve dhe bizneseve të vogla që investonin në bono thesari duke i detyruar që të hapnin një llogari pranë saj (pra nuk i zhvendosi individët nga sportelet e Bankës Qendrore) ku mund të transferonin paratë e depozituara në një nga bankat e nivelit të dytë kundrejt komisioneve që variojnë nga 1/1000 e shumës (por jo më pak se 1000 lekë) deri në 3500 lekë”,- thotë AK në vendimin e saj final. “Duke i shtuar kësaj kostoje dhe efektet negative të asimetrisë së informacionit për klientët në banka lidhur me shërbimin e investimit në bono thesari, konkludojmë se janë rritur barrierat për pjesëmarrësit në ankandet e tregut primar të bonove të thesarit dhe ka kufizuar konkurrencën ndaj bankave”,- vijon më tej vendimi. Tregu i borxhit të brendshëm shpërndan fitime prej afro 350 milionë dollarësh në vit. Shqiptarët kanë mundësi të zgjedhin nëse duan t’i vendosin paratë e tyre në depozitë apo duan t’i investojnë te borxhi publik. Ky i fundit ofron fitime më të mëdha, por depozituesit e zakonshëm nuk e kanë informacionin e nevojshëm. Për të grumbulluar informacion mbi situatën në terren, Autoriteti dërgoi ekspertët e tij nën maskimin e klientit në zyrat e bankave të ndryshme. Rezultoi se vetëm njëra prej bankave jepte informacion të plotë mbi mundësinë e investimit në bono thesari, ndërsa bankat e tjera jepnin informacion të përciptë. Sjellja e bankave varet nga fakti se një pjesë e biznesit të tyre konsiston në mbledhjen e depozitave të qytetarëve dhe bizneseve dhe investimin e këtyre depozitave me interes më të lartë te bonot e thesarit. Për këtë arsye, Autoriteti mendon se i takon BSH-së dhe MF-së ta konsiderojnë bonon e thesarit si një produkt që ka nevojë për reklamë. Në fund, AK-ja kreu disa rekomandime, të cilat duket se kanë rënë në vesh të shurdhët, pasi as BSH dhe as MF-ja, nuk kanë marrë ndonjë masë. Autoriteti vendosi “t’i propozojë BSH-së të rikthejë depozitimin ‘cash’ në sportelet e saj në Tiranë dhe në 5 rrethet kryesore ku ajo ka degë për pjesëmarrjen në ankandet e tregut primar të bonove të thesarit, si një mënyrë efikase për eliminimin e kostos së transaksionit të shumave të investuara për bono thesari nga bankat e nivelit të dytë drejt Bankës së Shqipërisë”, thuhet në vendim. Autoriteti i propozoi “Ministrisë së Financave rritjen e marketingut të produktit të bonove të thesarit për të rritur gamën e pjesëmarrësve në ankandet e tregut”, përmes njoftimeve publicitare të vazhdueshme në median kryesore. Individët zënë aktualisht rreth 10 për qind të tregut të borxhit të brendshëm, por besohet se rritja e informimit të tyre mund të sjellë edhe rënie të interesave që paguhen aktualisht nga buxheti i shtetit. Shqipëria paguan afërsisht 2.8 për qind të PBB-së ose 10 për qind të të gjithë të ardhurave të qeverisë për interesat e borxhit të brendshëm. Disa ekspertë besojnë se është më mirë që një pjesë më e madhe e kësaj shume t’i shkojnë direkt qytetarëve, pa pasur nevojë për të kaluar përmes bankave.
Kursi, dollari amerikan arin kuotën e 114 lekëve
Dollari amerikan u shtrenjtua me 1.64 për qind dje kundrejt lekut, duke u ngjitur përtej nivelit prej 114 lekësh, si pasojë e trazirave të reja në tregjet financiare ndërkombëtare. Sipas kursit fiks të Bankës së Shqipërisë, dje në mesditë dollari kushtoi 113.79 lekë ose 1.83 lekë më shumë se të premten. Pasdreke dollari vijoi të forcohej duke kaluar deri në 114.2 lekë. Euro humbi 44 qindarka kundrejt lekut dhe u këmbye mesatarisht për 136.24 lekë. Ndryshimi i fortë erdhi si pasojë e nënçmimit të shpejtë të euros kundrejt dollarit në tregun ndërkombëtar. Dje një euro kushtoi 1.193 dollarë, nga 1.22 që kushtonte të enjten. Kjo është kuota më e ulët e shënuar nga euro kundrejt dollarit që nga fillimi i vitit 2006. Nëpër bursat e botës janë përhapur spekulime që thonë se euro ndoshta do të ecë drejt barazimit me dollarin në vlerë nominale. Forcimi i dollarit jep efekte negative të kufizuara në ekonominë shqiptare, e cila në shumicën dërrmuese të rasteve, përdor euron në marrëdhëniet me jashtë. Megjithatë, borxhi i jashtëm i vendit, i cili është në masë të madhe në dollarë, pritet t’i kushtojë qeverisë më shtrenjtë nga sa qe menduar, ndërsa nafta dhe disa mallra të tjerë të rëndësishëm si çeliku, do të shtrenjtohen gjithashtu. Që nga fillimi i këtij viti, dollari është shtrenjtuar me 19 për qind kundrejt lekut. Në janar, një dollar kushtonte vetëm 96 lekë.
Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 07.06.2010
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.20%
12M 12-mujor 6.99%
6M 6-mujor 6.12%
3M 3-mujor 5.34%
1M 1-mujor 5.09%
1Ë njëjavor 4.94%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.63%
1Ë njëjavor 6.29%
o/n njëditor 6.19%
12M 12-mujor 8.75%
6M 6-mujor 7.76%
3M 3-mujor 7.01%
9 Qershor 2010