Shpatulla 20 mijë euro
Një projektligj i kohëve të fundit i qeverisë për rritjen e nivelit të garancisë për depozitat e kursimeve nga 3.5 milionë lekë të vjetra në 25 milionë (rreth nëntë herë ose afro njëzet mijë euro) kaloi disi në hije në dijen dhe opinionin e njerëzve, për shkak te zjarrmisë parazgjedhore. E megjithatë, ky projektligj (i cili lypset të shndërrohet në ligj sa më parë) ia vlen të shikohet dhe vlerësohet për atë që realisht është, një ndihmesë, shpatull e rëndësishme për qetësinë dhe zhvillimin e financave të ekonomisë sonë. Po përse? Sepse ai realizon atë qetësi të depozituesve, largon hijen e panikut të kotë për gjoja kolaps bankash tek ne dhe pamundësi për të rimarrë kursimet. Një panik që dëmtoi për vetëm tre muajt e parë kritikë të krizës (muajt tetor-dhjetor 2008) me jo pak, por një rrjedhje prej afro 200 milionë eurosh. Afro tri herë më shumë se paniku i kotë i prillit të vitit 2001. U tërhoqën në këta tre muaj nxitimthi nga qindra qytetarë depozitat në lekë, euro e dollarë. Për fat, shumica e këtyre parave kaluan nga po qytetarët në blerjet për bono thesari. Por kjo dukuri nuk ndihmon në ecurinë ekonomike të vendit, pse është në të mirë të zhvillimit të ekonomisë që këto para të qëndrojnë tek bankat tona tregtare. Kjo, ngaqë është tërësisht i ndryshëm përdorimi i tyre nga banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë, e cila shet bonot e thesarit. Kjo bankë nuk jep kredi për individë apo biznese. Me paratë e thata që siguron nga shitja e bonove, ajo i jep hua para qeverisë. Me këtë aktivitet, banka jonë qendrore nuk arrin dot të na ndihmojë shumë fort në zhvillimin e ekonomisë. E kundërta ndodh me bankat tregtare, të cilat ndodhen në treg për fitimin. Po t’i kenë ato depozitat tona, nuk mund kurrsesi t’i mbajnë si dikur skemat piramidale në vitet 1993-96. U duhet t’i kalojnë këto në kredi, hua për qytetarët dhe bizneset, pse vetëm kështu mund të jenë të suksesshme. Dhe realisht bankat tona tregtare këto tri vitet e fundit e kanë rritur portofolin e kredisë rreth dy herë. Një zhvillim fantastik. Bankat janë ato që mund të konsiderohen si kontribuueset e gati gjysmës së ritmeve të forta të zhvillimit ekonomik që kemi siguruar në vitet e fundit. Ato u kanë dhënë mundësi mijëra qytetarëve të blejnë shtëpi të reja, t’i mobilojnë këto shtëpi apo dhjetëra mijëra të tjerëve të zgjerojnë apo hapin një biznes të ri. Këto banka (janë rreth katërmbëdhjetë të tilla) duhen ndihmuar, se janë pikërisht këto institucione që përcaktojnë ritmin e zhvillimit të ekonomisë sonë. Nga ana tjetër, shtimi me herë i garancisë për depozitat u mundëson bankave tregtare të marrin frymë dhe të përpiqen të lirojnë disi yzengjinë e kreditit, pra përqindjen e rritur të huadhënies. U jep zemër qytetarëve të rikthejnë paratë e marra nxitimthi nga bankat tregtare, në frikë se mos falimentojnë. Ka pasur edhe shtetas që mendonin, dhe në muajt shtator-nëntor 2008 i kanë shpërndarë kursimet e tyre në 5-6 banka njëherazi, për të kapur garancinë 3.5 milionë lekë të vjetra për secilën depozitë në banka të veçanta. Kjo, në mënyrë që të vijojnë t’i mbajnë paratë ndër banka, për të vjelë interesat. Kuptohet lehtë mbështetja në besimin ndaj bankave me këtë garanci të re të rritur deri në afro njëzet mijë euro për depozitë kursimi. Ndoshta kjo nuk kënaq të gjithë depozituesit shqiptarë (ata që kanë mbi njëzet mijë euro depozita), por mund të thuhet pa frikë se të paktën tetëdhjetë për qind të tyre po. Dhe këta janë jo pak, por rreth katërqind mijë vetë. Ose një në dhjetë shqiptarë. Më të qetë mund të ndihen edhe emigrantët tanë për paratë që mund të duan ose kanë depozituar tashmë në bankat tregtare të mëmëdheut. Sigurisht që rritja e garancisë për depozitat do të shoqërohet edhe me shpenzime shtesë nga bankat për të përballuar garancinë (provigjionet). Por dobia në rritjen e numrit të depozituesve dhe sasisë së parave të tyre si depozita do ta tejkalojë pa dyshim me të tepërt shpenzimin. Vetë ekonomia jonë ka një përfitim të dyfishtë. Kjo, sepse kur depozituesit shqiptarë blejnë vetëm bono thesari (ose ndryshe i depozitojnë paratë në këto letra me vlerë), ndihmojnë qeverinë me para të thata për shpenzimet e saj. Kur depozitojnë nëpër bankat tregtare, ndihmojnë këto banka të japin kredi më shumë. Dhe rritja e kreditit, huadhënies për biznesin dhe qytetarët është në radhë të parë rritje ekonomike, sepse shtohen nismat për biznes ose për zgjerimin e tij, blerjet e popullatës e në këtë mënyrë zinxhir nxiten prodhuesit e tregtarët të prodhojnë e shesin më shumë. Një kundërveprim i tillë është mënyra më e mirë për të përballuar pasojat e krizës botërore që ka përfshirë ekonomitë më të fuqishme të planetit. Prandaj, mirë se vjen shpatull financiare 20 mijë euroshe!
Fatos Çoçoli