E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi, drejtësia greke ekstreme me shqiptarët

Deutsche Welle

Sipas një studimi, mesatarja e viteve të dënimit për grekët është 5,1, kurse për shqiptarët 10.5 dhe për afrikanët 8.3. Shqiptarët i nënshtrohen një trajtimi më të disfavorshëm në krahasim me imigrantët aziatikë

Fjalët e kriminalistit të shquar Thorsten Sellin shumë dekada më parë, se “emigranti gjatë procesit të menaxhimit të së drejtës përbën objekt trajtimi të veçantë” dhe se “kur dërgohet në burg, ka të ngjarë të burgoset me një masë dënimi më të madhe nga një person i lindur në vend”, ngjajnë si profetike për ato çka ndodhin 20 vitet e fundit me të huajt në Greqi. Për të njëjtat shkelje penale, të huajt marrin dënime shumë më të rrepta në krahasim me vendësit. Profesori grek i së Drejtës Penale në Universitetin e Athinës, Vasilis Karidis, i tha DW: “problematika është e njohur, por studimi i parë i këtij lloji në vendin tonë”. Së pari ishte “befasimi i shtetit dhe i shoqërisë, që u treguan jo të gatshëm nga ana organizative dhe psikologjike për të menaxhuar fenomenin e shndërrimit të papritur të vendit në destinacion emigrimi dhe sidomos lidhjen jo të drejtë, në fazën e parë, të krimit me emigracionin. Sigurisht, një arsye tjetër është problemi i madh i mbipopullimit të burgjeve, që krijon probleme të mëdha dhe në një masë të madhe i dedikohet masës së madhe të dënimeve që jepen për të huajt”, thekson Karidis. Sipas rezultateve të studimit për vitet 2004-2006, të zhvilluar mbi 767 të dënuar, ku, pas grekëve me 385 vetë ose 50.2%, vijnë shqiptarët me 174 vetë ose 22%; të akuzuarit grekë për çështje droge marrin dënime të shkallës më të ulët, nga 3 muaj deri 6 vjet, kurse 60% e të huajve marrin dënime të shkallës më të lartë, nga 6 vjet deri në burgim të përjetshëm. Me burgim të përjetshëm dënohet vetëm 1.3% e totalit të shkelësve grekë të ligjit, kurse për të huajt kjo shifër arrin në 6.3%. Kuota e të huajve që dënohet nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm është 3 herë më e madhe se ajo respektive e të dënuarve grekë. Në lidhje me llojin dhe sasinë e drogës, konstatohet se të huajt e akuzuar dënohen me 3 vjet më shumë se shkelësit grekë të ligjit për “drogën e butë”. Është e dukshme se edhe vetë gjykatësit bashkohen me konceptet e popullsisë në përgjithësi, se të huajt janë përgjegjës për kriminalitetin. “Me interes të veçantë është fakti i trajtimit më të disfavorshëm të emigrantëve shqiptarë në krahasim me emigrantët aziatikë”, nënvizon Karidis, duke theksuar rolin e “stereotipit negativ”, të zbehur në fakt, siç vëren, me kalimin e viteve. Kështu, në qoftë se për grekët mesatarja e viteve të dënimit është 5.1 vjet, për shqiptarët është 10.5 dhe për afrikanët 8.3 vjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›