Dëshmia: “Mashtrova me çeqet bankare për ti plotësuar dëshirat të dashurës”
Thimi Samarxhiu
KORÇË – Sot, të kesh një të dashur mund të të kushtojë shumë shtrenjtë, pasi dëshirat e tyre janë të pafundme dhe të duhet të gjesh mënyra dhe rrugë për të siguruar të ardhurat, për t’i plotësuar ato. Këtë gjë e ka provuar dhe Eduart Jaku, i cili, për të pasur në krah një të dashur, i është dashur të mashtrojë me çeqe false duke arritur të përfitojë shuma të mëdha parash nga 4 biznesmenë të ndryshëm në qytetin e Korçës, por kjo gjë i ka kushtuar shtrenjtë 26-vjeçarit shkodran, i cili ka përfunduar në pranga. Përpara uniformave të policisë ai mësohet të ketë deklaruar: “Mashtrimet me çeqet bankare i bëra pasi nuk kisha lekë për t’i plotësuar dëshirat të dashurës time”. Agjentët e Krimit Ekonomiko-Financiar në qarkun e Korçës e kishin vënë nën vëzhgim mashtruesin, të cilin e kanë prangosur në mjediset e njërit prej hoteleve që ndodhet në qytetin e Pogradecit.
Arrestimi
Burimet e policisë kanë sqaruar se 26-vjeçarit, në momentin e arrestimit i është gjetur një dokument identiteti, edhe pse ai prezantohej me emrin Eduart Dibra. Policia ka nisur hetimet dhe kërkimet për të riun që kishte mashtruar të paktën katër persona në qytetin e Korçës, shtetasit R. K., 47 vjeç, lindur dhe banues Korçë; K. S., 48 vjeç, lindur dhe banues në Korçë; M. L., 28 vjeç, banuese në fshatin Bulgarec të rrethit të Korçës; si dhe P. Z., 61 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, të cilët kanë depozituar kallëzimi në drejtim të këtij personi. Eduart Jaku ishte zhdukur që prej pesë ditësh nga qyteti i Korçës dhe mendohej që qysh në fillim të jetë vendosur në një prej hoteleve të Pogradecit. Ai ka deklaruar se nuk do të kthehej më në qytetin ku kishte bërë disa “viktima” përmes mashtrimit. Sipas policisë, 26-vjeçari nga Bushati, në momentin e ndalimit ishte i shoqëruar me një vajzë nga qyteti i Vlorës. Gjatë marrjes në pyetje nga ana e policisë, Jaku ka thënë se e ka bërë gjithçka për t’i plotësuar dëshirat dhe kërkesat të dashurës së tij, së cilës i ishte prezantuar si biznesmen.
Arsyet e mashtrimit
Për të joshur vajzën vlonjate, 26-vjeçari nga Bushati kishte mbajtur portofolin plot me lekë dhe një bllok me çeqe, për t’i vërtetuar se ishte i kamur. “E pranoj që kam mashtruar, por nuk kisha tjetër rrugëzgjidhje. I kisha thënë të dashurës se jam shumë i pasur”, - mësohet të ketë thënë Jaku. Pas disa ditësh, i larguar nga qyteti i Korçës, i riu që lëshonte çeqe për marrjen e parave borxh ose për pagesa të pashlyera, më në fund është zbuluar nga policia. Ai ka deklaruar se shumat e marra nga viktimat e tij nuk do t’i kthente më, edhe pse i mbante gjatë gjithë kohës me shpresë. Tashmë ndaj 26-vjeçarit kanë nisur veprimet hetimore për veprën penale të mashtrimit. Me nisjen e hetimeve pritet të zbulohet se si ai ka mundur të sigurojë bllokun e çeqeve, të cilat ai i lëshonte nën një identitet të rremë. Eduart Jaku u shfaq në qytetin e Korçës gjatë ditëve të festave të fundvitit. Për të fituar kohë ai lëshonte çeqe në ditët kur bankat ishin pushim, me qëllim që “klientët” e tij të mos kishin mundësi verifikimi deri në largimin e tij nga qyteti i Korçës. Policia bën të ditur se “në momentin e ndalimit, këtij personi i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një bllok çeqesh të BKT (Bankës Kombëtare Tregtare).
VIKTIMAT E MASHTRIMIT
R. K., 47 vjeç, lindur dhe banues në Korçë
K. S., 48 vjeç, lindur dhe banues në Korçë
M. L., 28 vjeç, banuese në fshatin Bulgarec
P. Z., 61 vjeç, lindur dhe banues në Korçë
12 Janar 2010