E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet kërkesa e plotë e gjobvenies ndaj tre biznesmeneve vlonjate

Thimi Samarxhiu

Zbardhet kërkesa për gjykim e gjobëvënësit nga Vlora. Gazeta “Albania” ka arritur të sigurojë kërkesën e plotë për gjykim, të depozituar nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Gjykatë për të pandehurin Nikollaq Taullaraj, i cili akuzohet për veprën penale të shtrëngimit me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, në shumën 20 000 euro, në dëm të shtetasit Gëzim . Hoxhaj, kryer në bashkëpunim me një person ende të paidentifikuar; shtrëngim me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë në shumën 500 000 lekë, në dëm të shtetasit Xhevahir Hanaj; shtrëngim me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë në vlerën 24 000 lekë, në dëm të shtetasit Dule Harizaj. Ndërsa për personin tjetër të arrestuar me të, Astrit Alushaj, Prokuroria nuk ka ngritur asnjë akuzë, pasi sipas saj, Alushaj nuk ka pasur asnjë dijeni lidhur me planin e mikut të tij, ai vetëm sa e ka shoqëruar me makinë.
Hetimet
Në datën 23.12.2009, në regjistrin e njoftimit të veprave penale është regjistruar procedimi penal nr. 80, në ngarkim të personave ende të paidentifikuar, për krimin e shtrëngimit me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë në dëm të disa shtetasve, sipas Nenit 109/b të Kodit Penal. Nga hetimet e kryera dhe të dhënat me vlerë provuese dhe provat e mbledhura, në përfundim të veprimeve të nevojshme hetimore rezultoi sa vijon: Në Vlorë, në data të ndryshme, midis 22 dhe 26 dhjetor 2009, disa sipërmarrës me veprimtari në këtë rreth, të cilësuar më sipër si personat e dëmtuar nga krimi i kryer prej të pandehurit, janë kanosur për dhënien e pasurisë me anën e SMS-ve dhe thirrjeve telefonike. Të dëmtuarit kanë kallëzuar faktet në dëm të tyre në polici, e cila e referoi veprën penale të kryer në Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë, e cila procedoi me urdhërimin e Policisë Gjyqësore për kryerjen e veprimeve të nevojshme dhe me vënien në përgjim të disa numrave telefonikë celularë. Në vijim të veprimeve hetimore, në datën 26.12.2009, në zyrën e shitjeve të shoqërisë "B.... V....", te një objekt në ndërtim pas hotel “D.......”, i pandehuri Nikollaq Taullaraj u paraqit për të zhvatur shumën prej 500 000 lekësh, për të cilën ishte rënë dakord që t'i dorëzoheshin pas tratativave të vazhdueshme telefonike me të dëmtuarin Xhevahir Ranaj. Në këtë moment kanë ndërhyrë operatorët në terren të Policisë Gjyqësore, të cilët e arrestuan atë në flagrancë të krimit për të cilin është akuzuar. Si burime të provës dhe të dhëna me vlerë provuese në këtë proces shërbejnë: procesverbalet e kallëzimit të krimit të kryer; deklarimet e personave të dëmtuar, të cilët do të thirren në gjyq në cilësinë e dëshmitarit; të dhënat e marra nga pyetja e personit të akuzuar. Tashmë pritet që dosja në fjalë të hidhet në short, nga ku do të dalë dhe trupi gjykues që do ta marrë në shqyrtim.

BOX
Akuzat

1. Shtrëngim me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë në shumën 20 000 euro, në dëm të shtetasit Gëzim Hoxhaj, kryer në bashkëpunim me një person ende të paidentifikuar, sipas neneve 109/b/I e 25 të Kodit Penal.
2. Shtrëngim me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë në shumën 500 000 lekë, në dëm të shtetasit Xhevahir Hanaj, sipas Nenit 109/b/I të KP.
3. Shtrëngim me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë në vlerë 24 000 lekë, në dëm të shtetasit Dule Harizaj, sipas Nenit 109/b/ I të KP.

Sherri në autobus, theret me thikë 37-vjeçari

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku një 37-vjeçar ka mbetur i vdekur pas një zënke të çasti në autobus. Policia e kryeqytetit bënë të ditur se viktima është 37-vjeçari Arben Goga, ndërsa autori i dyshuar që tashmë është vënë në pranga është 42-vjeçari Nazir Malliku. Sipas dëshmitarëve të ndodhur në autobusin e linjës Ndroq-Tiranë, bëhet e ditur se shkak i sherrit që përfundoi me vdekjen e Gogës ka qenë debati lidhur me shtyrjet në autobus. Por sherri banal nuk ka mbetur me aq. Nezir Malliku, i dyshuari kryesor i krimit, e ka vazhduar zënkën edhe jashtë autobusit, duke e goditur me thikë në fyt 37-vjeçarin Goga. Goditja ka qenë fatale për Gogën, i cili ka humbur jetën rrugës për në spital.
Policia e Tiranës bën të ditur se vetëm një orë pas ngjarjes ka arritur ta vërë në pranga autorin e dyshuar, 42-vjeçari, Nezir Malliku, me banim në Ndroq, Tiranë. Në këtë operacion u angazhuan afro 150 forca policore. Ndaj Nezir Mallikut u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale të “vrasjes me dashje”, parashikuar nga Neni 76 i Kodit Penal. Materialet hetimore të përpiluara do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme. Në ditët në vazhdim pritet që Malliku të përballet me gjykatën, e cila do të caktojë dhe masën e sigurisë për këtë të arrestuar.

12 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›