E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, prova e re e Prokurorisë që rrëzon pretendimet e ish-ministrit Mediu

Laureta Rryçi

Prokuroria kërkon që Gjykata të administrojë prova të reja që hedhin dritë mbi tragjedinë e rëndë të Gërdecit. Përfaqësuesi i organit qendror të akuzës i konfirmoi gjatë seancës së djeshme trupit gjykues se më 8 janar të këtij viti forcat e Ushtrisë, që punojnë ende për rehabilitimin e zonës, kanë gjetur një mbetje saldatriçeje afër banesës thuajse të shkatërruar të një prej viktimave të tragjedisë, Qemal Deliu. Prokurorët këmbëngulën se ky është një element shumë i rëndësishëm në zhvillimin e procesit dhe kërkuan që kjo të administrohet si provë në dosjen hetimore. Por trupi gjykues vlerësoi se do të japë një vendim pas paraqitjes së argumenteve me shkrim nga ana e organit të akuzës. Ndërsa kjo provë e re pritet t’i japë një tjetër rrjedhë procesit gjyqësor, seanca vijoi me dëshmitarët e radhës të thirrur nga akuza. Njësoj si dhe ish-punëtorët e tjerë, edhe dje u dëshmua se zjarre sporadike në fabrikë ka pasur dhe herë të tjera, si dhe punësimi i tyre ishte bërë pa kurrfarë instruktazhi për demontimin e armëve.
Kërkesa
Në dosjen hetimore Prokuroria ka përmendur shpërthimin e karrocës gjatë saldimit si shkakun e shpërthimit tragjik më 15 mars të 2008-s. Prova e paraqitur dje mund të hedhë plotësisht dritë mbi faktin se Gërdeci ishte një aksident teknologjik. Në këtë mënyrë rrëzohen edhe pretendimet e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, se tragjedia ishte pasojë e një sabotimi. Sipas Prokurorisë, shtëpi e Deliut ndodhej fare pranë fabrikës së demontimit dhe në momentin kur viktima ka qenë duke salduar karrocën, kanë shërbyer shkëndijat për të hedhur në erë të gjithë fabrikën. Zjarrin e ka ndihmuar edhe sasia e madhe e barutit që atë ditë ndodhej në oborrin e fabrikës.
Në seancën e djeshme dëshmoi dhe ish-drejtori i fabrikës së demontimit në Gërdec, Dritan Minxholli, i cili pranoi se me vetëdije kishte punësuar 18 minorenë. Minxholli tha se për këtë ishte nisur nga gjendja e vështirë e familjeve të minorenëve dhe se vetë ai kishte marrë riskun përsipër. Minxolli gjithashtu tregoi me detaje takimet e para që kishte pasur me të afërmit e këtyre minorenëve dhe bisedat midis tyre për të cilat kishin rënë dakord për punësimin.
Dëshmitë
Në seancën e djeshme kanë vazhduar edhe dëshmi të reja minorenësh. Një ish-punëtor i mitur, Edjon Leci, tha se ka punuar në Gërdec fillimisht në procesin e demontimit dhe më pas atë të paketimit. Ai konfirmoi faktet e përmendura dhe në dëshmitë e tjera më parë se ka pasur edhe raste të tjera sporadike zjarri në fabrikë. I mituri pohoi se punonte pa asnjë kusht sigurie dhe pa kontratë pune. Dëshmitari tjetër ishte po i mitur, tani 16 vjeç, dhe tregoi se kur ishte punësuar kishte firmosur mbi një letër të bardhë. Ai kishte punuar për rreth 6 muaj në fabrikë duke paketuar barut. Ditën e tragjedisë kishte qenë në shtëpi, prandaj nuk kishte asnjë dëmtim nga ngjarja. Prej disa ditësh, procesi për çështjen "Gërdeci" ka hyrë në fazën e pyetjes së dëshmitarëve dhe personave që kanë dijeni për ngjarjen nga Gjykata.
Të pandehur në këtë proces janë 29 persona, shumë nga të cilët ish-funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë. Të pandehur që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari, administratori i kompanisë "Alba Demil", Mihal Delijorgji dhe ish-drejtori Teknik të fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, si dhe ish-punonjësi i MEICO-s Sokol Gjeçi, janë në gjendje arresti.
Këta akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur më 15 mars 2008 në fshatin Gërdec, Tiranë, kur si pasojë e një shpërthimi në ish-fabrikën e demontimit të municioneve luftarake, humbën jetën 26 persona, shumë të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa pati dëme të konsiderueshme materiale. Në grupin e dëshmitarëve është dhe ish-ministri i Mbrojtjes në kohën që ndodhi shpërthimi, Fatmir Mediu. Gjykata e Lartë pushoi çështjen e ngritur ndaj tij pasi ai u rizgjodh deputet. Ndërsa së fundmi dy padi civile në ngarkim të ish-ministrit Mediu pritet të nisin gjykimin gjatë këtij muaji po në Gjykatën e Lartë.

Procesi ku pritet të dëshmojnë tre ish-ministrat
Gjykata e Tiranës do t’i drejtohet me një letër Parlamentit për të lejuar thirrjen si dëshmitarë të tre deputetëve, një prej të cilëve sot gëzon edhe postin e ministrit. Disa seanca më parë, një nga të pandehurit kërkoi thirrjen e këtyre ish-ministrave duke argumentuar se Fatmir Mediu duhet të shpjegojë përse urdhëroi ngritjen e fabrikës; Enkeled Alibeaj të shpjegojë për konsulencën që ka dhënë për ligjin që lejoi demontimin e municioneve, ndërsa Aldo Bumçi për shkak të postit që ka pasur në kohën e tragjedisë si ish-ministër i Drejtësisë. “Të tre zyrtarët e lartë duhet të vijnë në proces pasi do të dalë pafajësia ime”, - i tha trupit gjykues ish-gjenerali Ndue Marku, i liruar nga detyra pas tragjedisë së 15 marsit 2008.

Kërkesa për gjykim, faktet që i sollën Gjykatës

Prokuroria, gjatë leximit të kërkesës për gjykim, numëroi para Gjykatës të gjitha faktet që shpjegojnë se përse shpërtheu fabrika e demontimit në Gërdec. Në kërkesën për gjykim, në 108 faqe shkruhej se kjo tragjedi solli: 26 viktima, 27 persona të plagosur rëndë, 109 personave të plagosur lehtë nga kjo vepër penale, 67 persona me dëmtime të tjera të lehta, 61 persona të tjerë të trajtuar në spitale, për të cilët nuk është mundësuar përcaktimi i shkallës së dëmtimit, 5829 personave u është shkaktuar dëm material në vlerë 2 141 343 616 lekë, nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfaqësojnë shkatërrime dhe dëmtime banesa, biznese, orendi të tyre, 13 ferma bujqësore dhe blegtorale. Për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ishte hequr termi i pandehur dhe gjatë gjithë kohës thuhej shtetasi.

12 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›