E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alfons Balliçi: Kur shqiptarët kërcenin Elvis Preslin

 

ALMA MILE

Kur ai merrte kitarën në duar, njerëzit nuk i mbante më vendi. Kërcenin gjatë... “Ishim të rinj, euforikë”, - kujton kompozitori dhe kitaristi Alfons Balliçi, kur e pyet për vitet ’60-’70 në Tiranë. Tanimë që kanë kaluar rreth 40 vjet, nuk i mbetet veçse të kujtojmë me nostalgji kohët kur të luaje Elvis Preslin nuk ishte e ndaluar, edhe pse në Shqipëri ishte vendosur sistemi komunist. Edhe pse i njohur më së shumti si kompozitor i muzikës së lehtë dhe instrumentist, Balliçi i ofrohet sot publikut në një tjetër dimension, si krijues i muzikës popullore. Në një koncert që organizohet sot në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në bashkëpunim me trupën e Ansamblit Popullor, ai do të shpalosë krijimtarinë e tij në këtë lëmë, duke ndjekur gjurmët e muzikantëve më të mirë elbasanas, por njëkohësisht, duke i shtuar frymën e re.
Si lindi ideja e realizimit të këtij koncerti?
Ky koncert e ka zanafillën 2 vjet më parë në një bisedë me drejtorin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Zhani Ciko, i cili më propozoi një bashkëpunim. Grumbullova materialet, bëra orkestrimet dhe tani si duket erdhi koha për të realizuar këtë koncert.
Çfarë i ofroni publikut përmes tij?
Unë jam elbasanas, jam rritur dhe edukuar me muzikën e qytetit tim dhe shumica e krijimtarisë sime popullore është ndikuar nga muzika elbasanase. Në programin e këtij koncerti do të ketë suita, gjini vokale, këngë popullore, pjesë instrumentale, pra një program i larmishëm, që mundohet të ofrojë elementët më të rëndësishëm të muzikës elbasanase, të sjellë në një vështrim të ri, bashkëkohor. Krahas këngëve të krijuara dhe orkestruara nga unë janë edhe 4-5 këngë të vjetra të qytetit ët Elbasanit. Duhet thënë që ky është një material i mbledhur qysh 45 vite më parë. Me këtë krijimtari kam mbrojtur edhe diplomën, më pas kam shkruar edhe një libër për Isuf Myzyrin, që do të thotë se kam vite që merrem me muzikën popullore. Në koncertin e nesërm (sotëm), krahas këngëtarëve me përvojë si Sabahet Vishnja, Irini Qirjako, etj., jam munduar të aktivizoj edhe elementë të rinj, duke i dhënë një mundësi për t’u shfaqur në skenën e koncertit.
Megjithatë, ju njiheni më shumë si kompozitor i muzikës së lehtë, keni ndonjë projekt për t’i ardhur publikut me anë të saj?
Që të shfaqesh me krijimtarinë popullore është e nevojshme mbështetja e një trupe me përvojë, të përgatitur, siç është kjo e Ansamblit Popullor. Në qytetin tim, këto mundësi ishin të pakta. Aktivitetet muzikore ishin shumë të rralla, thuajse sporadike, ndërsa festivali i këngës në RTSH, ishte një organizim i përvitshëm, në të cilin ke mundësi të afirmohesh. Kjo mundësi mu dha edhe mua në fushën e muzikës së lehtë, kështu që është normale që të jem më i njohur me të. Sa i përket kësaj të fundit, në planet e mija është organizimi i një koncerti me këngët më të bukura të muzikës së lehtë, të para viteve ’90, por të sjella në kohë, pa kufizime lirie, sepse në të kundërt do të dukeshin të vjetruara.
Por ju jeni edhe një kitarist i pasionuar, thonë se ju keni qenë një mit i rinisë në vitet ’60-’70...
Kjo nuk më takon mua ta them, megjithatë, nëse unë merrja kitarën në dorë, njerëzit do të kërcenin gjatë. Ishim të rinj, energjikë dhe njerëzit na donin. I kujtoj me shumë nostalgji ato vite. Ishte koha kur frynte pak erë liberalizimi, kur organizoheshin mbrëmje rinie e njerëzit kërcenin nën ritmet e muzikës që luhej kudo në botë. Por ishte një erë që ngriu me Festivalin e 11-të.
Ç’muzikë luhej më shumë aso kohe?
Ishin vitet ’62-’67, kohë gjatë së cilës unë kam punuar në Tiranë. Asokohe ishte shumë në modë këngët e Elvis Preslit. Ato të jepnin mundësi që të merrje kitarën dhe të tregoje virtuozitet. Aso kohe njerëzit ngriheshin për një kërcim 5-minutash, por uleshin vetëm pas treçerek ore. Dhe kjo nuk ndodhte vetëm në mbrëmjet studentore, por edhe në tavernat “Dajti” e “Vollga”, ku unë kam punuar më së shumti.
Përmendët Festivalin e 11-të, a solli ai pasoja tek ju?
Ai festival më ka kushtuar tre vjet krijimtari. Në Festivalin e 11-të u paraqita me këngën “Rruga e Dibrës”, kënduar nga Sherif Merdani dhe nga kompleksi im i kitarave, gjë që ishte e re aso kohe dhe u trajtua si hyrje moderne. Sherifi u dënua, kurse mua më hoqën për tri vite të drejtën e krijimtarisë.
Si i përjetuar këto vite ndërprerjeje?
Atëherë nuk e përjetova edhe keq, sepse tre vite ndërprerje krijimtarie, mund të ishte kthyer edhe në burg. Më vonë mu dha mundësia të kthehesha sërish në festivale me krijimet e mija dhe t’i nënshtrohesha censurës si të gjithë. Kështu që u mjaftova me aq, por sot kur e mendoj... T’i ndalosh krijimtarinë një artisti, është si ta vdesësh para kohe.
Si u bë kitara pasioni juaj?
Thonë se kam filluar të marr kitarën në duar qysh në moshën 4–vjeçare, por unë nuk mbaj mend asgjë. Në skenë jam ngjitur në moshën 7-vjeçare. U rrita në një ambient muzikor. I atë ishte kitarist dhe me gjasë, kjo është arsyeja që unë nisa t’i bija kitarës, e cila më pas u bë pasioni im.

Cikli i koncerteve
Mbrëmje koncertore tipologjike, është një formulë e re, që po realizohet nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore. Ky cikël nisi me “Prurja Kosovare”, në vitin e pavarësisë, “Malli për Çamërinë”, “Dëbora zbardhi maleve korçare”, me krijimtarinë më të mirë të kësaj zone, për të ardhur ca më pranë, në muzikën elbasanase me koncertin “Një lulishte me trëndafila”.

Kujtime nga “Rruga e Dibrës”

“Vitet ’60-të, ai që nuk i mban mend nuk duhet t’i ketë jetuar. Pati një gjallërim të jetës krahasuar me varfërinë dhe izolimin që afronte. Këndohej dhe vallëzohej në Tiranë”, - kujton muzikologu Zamir Këlliç. Ai përmend lokalet verore me orkestrina të mira, që luheshin në “Brodway”-in e famshëm shqiptar, në “Rrugën e Dibrës”. “Mbi të gjitha pëlqehej orkestrina e “Vollgës”, ku spikatnin dy vëllezërit Shkoza e sidomos kitaristi i njohur Mehdi Prodani dhe saksofonisti i famshëm Sazani. Herë pas here në këtë ansambël orkestral luante edhe një kitarist i ri virtuoz, të cilin e admironin të gjithë. Qe vërtet virtuoz dhe premtonte shumë të ardhmen, çka u vërtetua në vitet e mëvonshme”, - thotë Këlliçi, teksa shton se ata që i kanë jetuar ato kohë me siguri, që do ta kenë kuptuar se bëhet fjalë për të mirënjohurin Alfons Balliçi, Artist i merituar, kompozitor, instrumentist dhe dirigjent. Si kompozitor me krijimet e tij ka marrë pjesë në festivalet e Këngës në Radio Televizion, “Kur vjen pranvera”, anketat muzikore, koncertet e Majit, Festivalet e Muzikës popullore, por edhe festivalet e fëmijëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›