Studimi i ISHP-së: 50% e fëmijëve kanë mungesë jodi
TIRANE- Rreth 50 për qind e fëmijëve në vendin tonë kanë mungesë të sasisë së nevojshme të jodit. Ndërkohë që, 38 për qind e kripës që shitet në treg nuk ka sasinë e rekomanduar të jodit edhe pse pasurimi i saj me këtë substancë është detyrim ligjor. Të dhënat i përkasin studimit të realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik gjatë periudhës shtator-dhjetor 2012. Në studim u përfshinë 1027 fëmijë të moshave 6-13 vjeç, ndërsa përzgjedhja e tyre u bë në shkollat e gjithë vendit. Atyre iu ekzaminua urina, ndërkohë që për të plotësuar studimin u morën mostra për përqendrimin e jodit në kripë. Qëllimi i tij ishte vlerësimi i sasisë së jodit, duke qenë se ai është një prej problemeve më të mëdha shëndetësore. “Çrregullimet e mungesës së jodit aktualisht përbëjnë një problem të madh global të shëndetit publik. Këto çrregullime mbeten një shqetësim për shëndetin publik edhe në Shqipëri. Ne e ndërmorëm këtë sondazh në Shqipëri për të përcaktuar përqendrimin mesatar urinar të jodit te fëmijët e shkollave, si dhe nivelin e jodit në mostrat e kripës që përdoren nëpër familje”, - shpjegojnë autorët e studimit. Gjithashtu, nga të dhënat rezulton se fëmijët që paraqesin mangësinë më të madhe të përqendrimit të jodit në urinë u përkasin zonave rurale, ndërsa në zonat urbane ky nivel rezulton të jetë më i lartë. Megjithatë, të dhënat e studimit treguan se mesatarja e përqendrimit të jodit në urinë ishte pothuajse brenda normave, ndërsa saktësohet se një person ka nevojë vetëm për 150 mg kripë në ditë për të evituar defiçencën jodike. “Mesatarja e përqendrimit të jodit në urinë ishte 100.4 mg, duke mos treguar mangësi të jodit. Nga ana tjetër, 49.6% e mostrave të ekzaminuara të urinës treguan mungesë të jodit. Përmbajtja e jodit u gjet në sasinë e përcaktuar në 62.1% të mostrave të kripës. Përqendrimi mesatar i jodit te mostrat e kripës ishte 18.5 mg/kg”, - thuhet në studim.
REKOMANDIMET
Duke marrë parasysh të dhënat e mësipërme, autorët e studimit e konsiderojnë nivelin e mungesës së jodit ende si një problem të shëndetit publik, ndërsa rekomandojnë marrjen e masave të menjëhershme për të ndryshuar situatën. “Gjetjet tona tregojnë se mungesa e jodit është ende një problem i rëndësishëm për shëndetin publik në Shqipëri. Këto rezultate tregojnë domosdoshmërinë për forcimin e programit për kontrollin e çrregullimeve të mungesës së jodit në vendin tonë dhe nevojën për të ndaluar prodhimin, tregtimin dhe përdorimin e kripës së pajodizuar”, thuhet në konkluzionet e studimit.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)