E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat “djegin” Greqinë, qeveria shpall gjendjen e jashtëzakonshme



Ervin KOÇI

Gjatë protestave kundër politikës së kursimit të qeverisë në kryeqytetin grek ka pasur veprime të dhunshme. Policët kanë përdorur gaz lotsjellës dhe granata tymuese kundër demonstruesve, që hidhnin gurë para parlamentit në Athinë. Në të njëjtën kohë një valë grevash paralizoi dje sërish jetën publike në Greqi. Të gjithë autobusët në Athinë si dhe metrotë kanë ndërprerë punën për 24 orë. Mjekët në spitalet shtetërore trajtojnë vetëm rastet urgjente. Edhe mësuesit dhe gazetarët e medieve shtetërore kanë hyrë në grevë. Grevat mbahen në shenjë proteste ndaj masave të kursimit të qeverisë në Athinë. Parlamenti grek votoi dje për paketën e kursimeve të miratuar nga qeveria prej 4,8 miliardë eurosh. “Nuk po kërkojmë para. Nuk duam të jemi ‘Lehman Brothers’ e Bashkimit Europian”- ka deklaruar Kryeministri grek Jorgo Papandreu në një intervistë të publikuar dje në të përditshme gjermane “Frankfurter Allegemeine Zeitung”, citon agjencia e lajmeve “Bloomberg”. “Nuk po kërkoj që Greqia të mund të marrë hua me të njëjtat kritere që ka Gjermania - ka shpjeguar Kryeministri grek- por tani kemi nevojë për kushte financimi më të favorshme se këto aktualet”. Vendi i tij ka nevojë më tepër për ndihmë nga BE-ja, në mënyrë që të marrë kredi me kushte më të favorshme në tregjet financiare. Ndërsa Zv. Ministri i Jashtëm i Greqisë, Droucas ka thënë se, “asaj nuk i duhen ndihma të drejtpërdrejta financiare të partnerëve në BE-së për përballimin e krizës së huave”.

Parlamenti
Parlamenti grek votoi dje për paketën e kursimeve të miratuar nga qeveria në kuadrin e planit të shpëtimit nga kriza ekonomike që ka përfshirë vendin fqinj. Ai parashikon kursime dhe rritje të tatimeve në shumë të përgjithshme prej 4,8 miliardë eurosh, me anë të të cilave qeveria greke kërkon të rifitojë besimin e tregjeve financiare dhe të shpëtojë vendin nga falimentimi shtetëror. Por të tilla masa janë pritur me greva të tjera nga ana e sindikatave të sektorit publik dhe ekonomisë private. Zëdhënësi i parlamentit, Filipos Pecalnikos, tha se ligji është miratuar në tërësi. Ligji parasheh reduktim prej 4.8 miliardë euro për shërbimet publike, ku rrogat i kushtojnë shtetit 26 miliardë euro.

Protestat
Policia u përplas dje sërish me demonstruesit në qendër të Athinës, të cilët protestojnë kundër masave të kursimit të propozuara nga qeveria për të zgjidhur krizën e rëndë financiare që ka goditur vendin. Policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit që hodhën gurë para ndërtesës së parlamentit ku ligjvënësit janë tubuar për t’i miratuar masat. Qeveria greke tha se ulja e shpenzimeve nevojitet për të shmangur falimentimin e vendit. Dy sindikatat kryesore në vend sot bënë thirrje për grevë të përgjithshme në 11 mars, ndërkohë që kryeministri George Papandreou udhëtoi në Gjermani për të kërkuar mbështetje për vendin e tij që t’u ballafaqohet me krizën e rëndë financiare. Ndërkohë po dje, ministri gjerman i Financave, Rainer Bruderle, deklaroi se, "qeveria nuk do t'i japë asnjë cent Greqisë”. Deklarata e tij u bë vetëm disa orë para takimit mes kancelares, Angela Merkel dhe kryeministrit grek, Jorgos Papandreu.

BOX////////////////////
Bankat për shlyerjen e borxhit
Greqia ndërmori dje një mision për shlyerjen në 10 vjet të rreth pesë miliardë eurove, theksoi një burim i Ministrisë greke të Financave. Qeveria mandatoi bankat britanike ''Barclays'' dhe ''HSBC'', japonezen ''Nomura'' dhe greken Bankën Kombëtare të Greqisë (BNG) dhe Bankën e Pireut, sipas të njëjtit burim. Greqia është përballur që prej disa muajsh me një krizë financiare të pazakontë që ka rritur në mënyrë të konsiderueshme kushtet e kredisë në vend. Nën presionin e Bashkimit Evropian, qeveria socialiste mori dje masa të rrepta destinuar ekonomizimit të 4,8 miliardë dollarëve për reduktimin e deficitit publik dhe për t'i rikthyer besueshmërinë tregjeve.

Shkurt/////////////////////////////
Ecuria shumë e keqe e të ardhurave, shkarkohet drejtori i radhës i tatimeve në Fier

Drejtori i degës së Tatimeve dhe Taksave në rrethin e Fierit, Agim Isufaj, u shkarkua nga detyra dy ditë më parë, pasi u pa se të ardhurat e buxhetit të shtetit në këtë zonë qenë shumë më të ulëta nga sa shpresohej. Një urdhër i firmosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri që Isufaj të “dorëzojë çelësat”. Ai është drejtori i gjashtë që shkarkohet nga detyra në këtë qytet në më pak se tetë muaj. Për shkak të industrisë së naftës, si dhe aktiviteteve të shumta tregtare, Fieri është një nga zonat më të rëndësishme për të ardhurat tatimore në vend. Motivacioni i shkarkimit të drejtorit Agim Isufaj, nga burime të sigurta brenda degës së Tatimeve, mësohet se ka qenë pikërisht mosrealizimi i treguesve financiarë. Agim Isufaj drejtoi degën tatimore të Fierit për tre muaj. Ai është emëruar si drejtor menjëherë pas shkarkimit dhe arrestimit të ish-drejtoreshës Nevila Bani për disa vepra penale si falsifikimin, vjedhje etj. Gjatë gjithë daljeve publike të tij, Agim Isufaj ka pranuar se treguesit e mbledhjes së taksave dhe detyrimeve tatimore kanë qenë të ulëta edhe si shkak i krizës financiare që ka prekur ekonominë botërore, reflektuar kjo edhe në ekonominë e vendit. Po ashtu, ai ka pranuar se borxhet e mëdha ndaj degës së Tatimeve janë shkaktuar si pasojë e shmangies së detyrimeve nga ana e institucioneve shtetërore. Për këto të fundit, Isufaj ka aplikuar edhe masat shtrënguese, duke u bllokuar numrat e llogarisë e duke i paralizuar në lëvizjet financiare. Duket se mosgjetja e një konsensusi me institucionet shtetërore lidhur me debitë e mbartura, si dhe publikimi i borxheve të tyre ka shkaktuar edhe “valën e zemërimit” që ka pasuar me shkarkimin e drejtorit Agim Isufaj. Por urdhri i shkarkimit është shoqëruar me emërimin e drejtorit të radhës. Ai është Albert Malaj. Prej shumë kohësh drejtues i disa bankave të nivelit të dytë që operojnë në Fier, Malaj ka marrë emërimin e drejtorit të Tatimeve. Pas emërimit Malaj është shprehur se do të përmbushë pikërisht objektivat e përcaktuara nga drejtoria e përgjithshme lidhur me vjeljen e të ardhurave tatimore, si dhe do të krijojë një frymë partneriteti mes biznesit dhe degës së Tatimeve Fier. Administrate e Tatimeve Fier është shokuar nga të gjitha lëvizjet e ndodhura gjatë tetë muajve të fundit, aq më shumë dhe nga ajo e një dite me parë.

Kriza ekonomike, Kisha Katolike kërkon marrjen e masave

Situata e vështirë ekonomike që po kalojnë vende të ndryshme të botës, përfshi dhe Shqipërinë, detyron Kishën Katolike t’i japë përgjigje disa dilemave, në një takim që zhvillohet sot në Tiranë. Enciklika ekonomike e Papës Benedikti XVI “Caritas in Veritate” (Dashuri në të vërtetë) do të komentohet nga disa folës, mes tyre ekspertë të fushës në ambientet e një universiteti privat. Simpoziumi organizohet nën kujdesin e Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë dhe të Karitasit kombëtar të Shqipërisë. “Dokumenti në fjalë është një pikë referimi doktrinore, që mbart firmën e autoritetit të Papës aktual, me anë të të cilit të krishterët shikojnë sfidat e globalizimit të teknikës dhe të krizës ekonomike planetare. Lidhja ndërmjet ekonomisë dhe etikës, qendërsia e personit në procesin e zhvillimit ekonomik, ndihma që ekonomitë e forta duhet t’u japin popujve të varfër për një zhvillim global dhe integral, solidariteti ndërplanetar, krijimi i një autoriteti botëror që garanton rregullat për të gjithë, janë temat që përshkojnë këtë dokument”, u shpreh Gjergj Meta, përfaqësuesi i Kishës Katolike në Tiranë.

6 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›