E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi, përdoruesit e Facebook-ut më pak të lumtur

SHBA - Studime të kryera gjatë viteve të fundit tregojnë se personat që përdorin shumë mediat sociale priren të jenë më pak të lumtur se personat që nuk i përdorin ato. Por një studim i ri akademik thotë se mediat sociale si Facebook-u mund të ndikojnë gjithashtu në mënyrën se si ne perceptojmë lumturinë e të tjerëve.

Studiues të Universitetit Utah Valley në Orem, të shtetit Utah pyetën qindra studentë, për të zbuluar se si ndikonte tek ata koha që kalonin duke parë aktivitetet e njerëzve të tjerë në Facebook.

Studiuesit vunë re se studentët që e përdornin Facebook-un më tepër ishin më të prirur të mendonin se njerëzit e tjerë kishin një jetë më të lumtur e më të mirë. Kjo vihej re veçanërisht tek studentët që lejonin më tepër të panjohur në faqet e tyre në Facebook.

“Ata dëgjojnë gjithë këto gjëra të mrekullueshme që u ndodhin njerëzve të tjerë dhe i krahasojnë me veten. Ata mendojnë për veten: “Jeta ime nuk është aq interesante apo e kënaqshme sa duket ajo e të tjerëve.” – shpjegoi psikologu Tod Kashdan.

Në rastin e Facebook-ut, është e lehtë të mendohet se miqtë janë gjithmonë aq të lumtur sa shfaqen në profilin e tyre sepse ata nuk paraqesin aty ngjarje apo veti negative, por vetëm ato pozitive.

Psikologët thonë se përdoruesit e Facebook-ut mund të zbusin ndikimet negative, duke u përqëndruar tek miqtë e tyre të vërtetë dhe jo tek ata miq të Facebook-ut që nuk i njohin mirë.

(er.nu/VOA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›