Fabrika e dënimeve të përsosura staliniste - Rasti i poetit Osip Mandelshtam
Një natë maji të 1934-s, poeti Osip Mandelshtam recitoi përpara funksionarit të policisë sekrete këto fjalë: “Jetojmë pa nuhatur njerëzit poshtë nesh”. Dhe kështu firmosi fundin e tij: Stalini nuk ia fali kurrë dhe e çoi të vdiste në gulag. Tashmë nga arkivat dalin dokumente mbi hetimet që tregojnë si ndërtohet një sentencë politike pa apel.
Poeti e dinte se diktatori nuk kishte për t’ia falur kurrë. Poeti ishte i lodhur, i zhgënjyer, i sigurt se një nga miqtë e tij do ta tradhtonte, duke e çuar në makinën e pafalshme të terrorizmit stalinist. Psherëtin një varg, të parin: “Ne jetojmë pa nuhatur njerëzit poshtë nesh”. Nga ana tjetër e tavolinës së zyrës gri të Lubjankës, funksionari i caktuar për hetime filloi të shkruajë mbi një fletë me viza fletoreje me një stilolaps blu. Avash-avash, në mënyrë burokratike, pa ndryshuar asnjëherë mimikën e fytyrës. Poeti e vazhdoi krejt me një frynë rrëfimin në rimë “Fjalët tona nuk dëgjohen dhjetë hapa me larg...” funksionari shkruante, dhe zëri i poetit bëhej gjithmonë e më i sigurt kurse teksti i ndaluar fillonte të shkruhej sepse më parë nuk kishte guxuar të pikonte të zezë mbi të bardhë, midis të gjitha atyre letrave hetimore dhe raporteve të policisë që shërbenin për të treguar rrezikshmërinë e tij “për autoritetin e Sovjetëve” duke shënuar kështu fundin e vet. Poeti e firmosi çka i dhanë për të firmosur. Ai tekst, i daktilografuar në një natë maji të 1934-s është i vetmi dorëshkrim autograf i Poetit më të famshëm të asaj kohe, e cila ruhej për më shumë se 70 vjet në arkivat e NKVD-së, policisë sekrete sovjetike, ku mbi një dosje ngjyrë bezhë shkruhej: “Fashikulli personal N. 662 i të burgosurit Osip Emileevic Mandelshtam”.
Brenda saj gjendet historia e luftës pa shpresë mes njërit prej poetëve më të mëdhenj të Rusisë dhe Pushtetit. Një lojë me kërcënime, izolime dhe represione, që u mbyll me 27 dhjetor të 1938 me vdekjen e Mandelshtam në gulagun e Vtoraja Recka, afër Vladivostokut. Ai ishte 47 vjeç. Historia e tij po del në dritë falë fondacionit “Mandelshtame” të gazetës ruse “Novaja Gazeta”, duke u bazuar në dokumente të vërteta dhe dossierët e policisë sekrete. Poeti Mandelshtam konsiderohej i rrezikshëm për të gjithë dhe në çdo kohë. Një nga arrestimet e tij të para i takon viteve ’20, me akuzën paradoksale të kundërt me atë që e kishte çuar në gulag. U mor në pyetje për herë të parë në qytetin e Feodossia, në Krimenë që i rezistonte komunizmit. U torturua nga njerëzit e gjeneralit Vranghel, njëri nga komandantët e Rojeve të Bardha, që e dyshonin për bashkëpunim me bolshevikët. Kështu që “Me një shpirt rebel. Dhe tendenca anti-konformiste” ishin të vetmet burime dyshimi. Por kaq mjaftonte të turbullonte biografinë e tij: hebre i lindur në Varshavë, student më parë në Paris, pastaj në Heildelberg dhe në fund në Shën Peterburg. I liruar në njëfarë mënyre nga Rojet e Bardha, u arrestua më pas në Butumi, në Gjeorgji. Kësaj here nga menshevikët gjeorgjianë që e akuzonin se ishte një spiun bolshevik, akuza që pastaj do mund të ishin vlera dhe medalje për merita në Bashkimin Sovjetik pas luftës civile. Por nuk ndodhi kështu. Protagonist i qarqeve letrare, mik i poetes Ana Ahmatova, themelues i lëvizjes Akmeiste, megjithatë Mandelshtam konsiderohej i pabesueshëm për regjimin.
Fillimi fundit ishte udhëtimi me gruan e tij në Ukrainë në 1933, në horrorin e holomodorëve, me të frikshmen uri të programuar nga Stalini në luftë kundër kulakëve, e cila solli miliona të vdekur. Nga indinjata e tij mbetet vetëm një varg i diktuar inkuizitorit në hetuesinë e 1934: “pranverë e ftohtë, dhe Krimea e ndrojtur është pa bukë...”, por më shumë se çdo gjë tjetër vlen raporti i policisë sekrete të mbajtur në fashikullin 662: “Pas rikthimit nga Ukraina, humori i Mandelshtam mori ngjyrime anti-sovjetike. është i izoluar dhe i mban tendat gjithmonë të mbyllura. është i pështirosur nga skenat e varfërisë ekstreme, por edhe nga dështimi i tij letrar. Shtëpia botuese Gikhi (e cila ishte e reshtur krah partisë) do të heqë nga katalogu poezitë e vjetra. Dhe për vepra të reja as që bëhet fjalë”. E informuar edhe nga persona afër Mendelshtam, policia vijonte të ndërtonte një kështjellë provash. Dhe një informativë tjetër: “Mandelshtam mendon t’i shkruajë shokut Stalin por mendimet e tij që e shtyjnë këtë gjest nuk janë të qarta. Ka thënë se vetëm po të bënte një udhëtim jashtë do të bënte gjithçka për të qëndruar atje. Mbi të tjera kohët e fundit është shprehur kështu “tek ne letërsia nuk ekziston më, shkrimtari tashmë është një burokrat, një magnetofon që regjistron gënjeshtra”. Por ajo çka precipiton situatën është një takim me miqtë që i konsideronte të besueshëm. Mandelshtam reciton me memorie poezinë e tij kundër Stalinit: “Ne jetojmë pa...”, dhe zëri i tij i shkoi të ngarkuarit të policisë sekrete për ta regjistruar.
Arrestimi u bë në natën e 13 majit të 1934. Mandelshtam u mbajt për katër ditë në një burg afër Lubjankës, pastaj u çua përpara inkuizitorit, Nikolaj Shivarov, funksionar i shërbimeve dhe ekspertizave letrare, njeriu që do të daktilografojë vargjet e tij. Për këtë arrestim Mandelshtam ishte i përgatitur. Kishte kaluar net të tëra me mikun e tij Arkadij Furmanov, një ish-funksionar i “çeka-s” policisë sekrete ruse, duke luajtur me pozicionet e hetuesit, për të mësuar sesi t’u shmangej pyetjeve. Por i shërbeu shumë pak. Mendonte se teksti tashmë ishte i njohur nga autoritetet. Filloi të vetë-denoncohej duke e recituar me zë të lartë poezinë. Dhe po ashtu bëri të ditur emrat e atyre që ishin prezent në mbledhje. Tre prej tyre më pas do të arrestoheshin. Për fat të tij koha nuk ishte pjekur akoma. Drejtori i Izvestjia, Bukharin, ndërhyri personalisht tek Stalini por duke bërë një akuzë tjetër, duke e sinjalizuar që edhe shkrimtari tjetër Boris Pasternak po e mbronte kolegun e vet, bile ai po qante publikisht. Diktatorit i pëlqenin këto situata dhe shfaqi një nga performancat më të preferuara. I telefonoi Pasternakut dhe i bëri të qartë se “çeshtja Mandelshtam është ri-ekzaminuar. Besoj do të shkojë gjithçka mirë”. Dhe më pas shtoi për të qetësuar shkrimtarin e terrorizuar: “edhe unë do të kisha bërë gjithçka për të shpëtuar shokun tim në vështirësi. Mes të tjerave ai është një gjeni, apo jo?”. Pasternak ishte pështjelluar dhe kërkoi të takohej për t’u sqaruar. Por Stalini e mbylli telefonin. Kështu më 1934, Mandelshtam i shpëtoi dënimit me vdekje dhe ia kaloi me tre vjet ekzil të sforcuar në Cerdyn, në Urale, dhe pastaj në Voronez. Por jetesa në Lubjankë tashmë e kishte cfilitur. Vuante nga halucinacionet dhe kishte ethe të jashtëzakonshme. Tentoi edhe vetëvrasjen. Më 1937 i dërgoi Stalinit një vjershë për të cilën mendonte se do të riparonte diçka, por ndodhi e kundërta. Në Kremlin vargjet dukeshin hapur përqeshëse dhe të mbushura me dy kuptime. Fundi erdhi me 15 tetor 1937. Për këtë datë Mandelshtam kishte organizuar një darkë me Lidhjen e Shkrimtarëve.
Një lëvizje gati reklamë për të hyrë në qarqet letrare dhe për të dalë nga ankthet. Në fashikullin e shërbimeve sekrete është ruajtur një mesazh nga Lubjanka për sekretarin e Lidhjes së shkrimtarëve. Ja: “I Dashur Shok. Me datë 15 në orën 6 do të mbahet leximi i poesive të Mandelshtam. Ju lutem merrni masa për sallën!”. I firmosur: sekretari i byrosë se seksionit të Poetëve, Surkov. Urdhër i ekzekutuar. Mandelshtam shkoi plot shpresa, në një sallë komplet bosh. Arrestimi përfundimtar erdhi pas një muaji, me 2 maj 1938. I gjykuar për “sjellje anti-sovjetike”, u dënua përjetësisht në një gulag. Vdiq pas pak kohësh. Midis ketrave të tij, një poezi rinore: “ Mbi pyllin kur vinte nata, ngrihet hëna bronz, po përse kaq pak muzikë, përse vallë kjo heshtje?”. (vijon)