E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi/Fëmijët shqiptarë janë të pasigurtë në lagje dhe në shkolla

Studimi tregon se fëmijët shqiptarë janë të pasigurt në lagje dhe në shkolla. Fëmijët sdalin të luajmë në lagje, kanë frikë nga rrëmbimi me makina

Fëmijët: Kemi dëgjuar në TV, se fëmijët rrëmbehen dhe trafikohen për organe

Puna-e-femijeveFëmijët shqiptarë nuk ndihen të sigurt në jetën e tyre të përditshme; përfshirë lagjen ku jetojnë apo edhe shkollën ku mësojnë. Të paktën këto janë përgjigjet që kanë dhënë vetë fëmijët e moshës 10 deri në 17 vjeç, gjatë një anketimi të zhvilluar së fundmi nga një grup OJF-sh që operojnë në Shqipëri, me mbështetjen edhe të UNICEF-it, dhe BKTF (Koalicioni Shqiptar Bashkë për Kujdesin Tërësor të Fëmijëve).
Fëmijët në rrezik
Fëmijët janë pyetur se sa të sigurt ndihen në komunitet, dhe shumica e tyre janë shprehur se ndihen të pasigurt në çdo vend. Komuniteti, lagja apo rruga siç e thonë ata ka rreziqet e tyre. Shumica shprehen të frikësuar, dhe nuk duan të dalin jashtë shtëpisë në një orë të caktuar kur errësohet, sepse kanë dëgjuar në media që moshatarë të tyre janë rrëmbyer me makina për tu trafikuar më pas në Kosovë apo diku gjetkë, për tu shitur për organe. Në shkollë ata rrëfyen për raste të ofendimeve nga ana e mësuesve deri edhe dhunë psikologjike apo fizike, për efekte të notës dhe kurseve private. Një tjetër problem janë edhe grindjet mes bashkëmoshatarësh që nisin në shkollë, dhe zgjerohen më shumë jashtë ambienteve të shkollës, ku të rinjtë grupohen për tu zënë me njëri-tjetrin. Familja është vendi ku ata ndihen më të sigurt, por edhe këtu në disa raste shfaqen shenja të dhunës apo shfrytëzimit për punë, tha dje gjatë prezantimit të studimit: çfarë i mban fëmijët të sigurt?, Kristina Voko, përfaqësuese e Qendrës Shqiptare për Zhvillimin e Shëndetit Mendor.
Qendrat e internetit
Përfaqësuesit e OJF-ve theksuan se një problem më vete është edhe frekuentimi i qendrave të internetit nga ana e fëmijëve, sidomos për vajzat. Këto të fundit janë shprehur gjatë intervistave se ambienti i qendrave të internetit është i papërshtatshëm për fëmijët, pasi aty flitet me një gjuhë të pisët; shfaqen video me përmbajtje erotike; apo në disa raste ka edhe shenja të ngacmimeve seksuale. Fëmijët kanë rrëfyer edhe për përdorimin e internetit dhe adresat që kanë hapur në rrjetet sociale. Shumë pak ishin ata fëmijë që nuk kishin Facebook, madje më shumë se një adresë, duke përdorur edhe emra të rremë. Madje fëmijët na kanë treguar se shumica e kërkesave për miqësi, janë nga të panjohur, dhe se pjesa më e madhe e fëmijëve i kanë pranuara këto kërkesa, duke u vënë kësisoj përballë rrezikut se kush qëndron mbrapa një adrese të caktuar, dhe çfarë qëllimesh ka, shprehen më tej përfaqësuesit e OJF-ve.
Komunat pa buxhet
Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve të ngritura tashmë në disa bashki dhe komuna të vendit, përveçse identifikimit të rasteve nuk kanë bërë asgjë tjetër për ti ndihmuar fëmijët. Kjo edhe për shkak të buxhetit të vogël që disponojnë komunat dhe bashkitë në këtë drejtim. Sipas të dhënave tona rezulton se gjatë një viti (2012), një komunë e vetme ka identifikuar 3 deri në 50 raste të fëmijëve në rrezik. Këto për ne janë shifra alarmante. Problemi me NJMF-të qëndron te fakti që ato nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për ta ndjekur rastin në vijimësi, por edhe për faktin që punonjësit e këtyre njësive nuk kanë kualifikimin e duhur. Shumë pak prej tyre e kanë arsimin përkatës, dhe që janë të diplomuar në Punë Sociale, pjesa më e madhe zotërojnë diploma jashtë fushës për të cilën punojnë, dhe kjo gjë ka pasojat e veta negative, tha Aurela Guxholli, pjesë e OJF-ve, në prezantimin e saj për monitorimin e ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Puna e fëmijëve
Një tjetër fenomen i shkeljes dhe abuzimit të të drejtave të fëmijëve është edhe shfrytëzimi i tyre për punë duke filluar që nga mosha 5 vjeçare e deri 17 vjeç. Studimi i prezantuar dje nga OJF-të referuar edhe të dhënave nga INSTAT flet për 54 mijë fëmijë që detyrohet të punojnë sot në Shqipëri, duke braktisur në këtë mënyrë edhe shkollën. Sektorët ku janë të punësuar pjesa më e madhe e fëmijëve janë bujqësia; tregtia (shitja me pakicë); restorantet apo ndërtimi, ku ky i fundit në shumë vende është një sektor i ndaluar për persona nën moshën 18 vjeç. Gati 90 % e të gjithë fëmijëve që punojnë nuk paguhen, vetëm 4.6 % e tyre marrin pagesë në fund të muajit. Mospagesa lidhet me faktin se shumica e të vegjëlve janë të punësuar në biznese të familjes si në restorante; dyqane shitjesh etj, dhe për këtë arsye nuk kanë të lidhur një rrogë, megjithatë edhe kjo mënyrë është kundra rregullave dhe të drejtës së fëmijës. Ndërkohë 56 % e fëmijëve që punojnë janë të përfshirë në punë të rrezikshme, ku nuk ka as kushte dhe nuk respektohet asnjë standard apo normë e kërkuar me ligj, tha Etleva Vertopi, përfaqësuese e Zyrës së Programit ILO-IPEC, në Shqipëri.
Rekomandimet
Raporti i prezantuar dje ka dalë më disa rekomandime ku kërkon rritjen e vëmendjes së ministrive të linjës; komunave, bashkive dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, për të qenë më afër fëmijëve, jo vetëm në identifikimin e rasteve që janë pre e rrezikut, por edhe në dhënien e  ndihmës gjatë gjithë kohës që fëmija ka nevojë.

12 % e fëmijëve shqiptarë të moshës 5-14 vjeç, sipas UNICEF shfrytëzohen për punë të rënda dhe lypje

1800
fëmijë punojnë si shitës në rrugë, duke braktisur shkollën, për të tregtuar cigare; bajame, lule apo dhe sende të tjera

50
raste të fëmijëve që ndodhen në rrezik raportojnë NJMF-të çdo vit për një komunë apo baski të vetme. OJF-të i quajnë këto shifra, alarmante

45 %
e fëmijëve kanë përjetuar dhunë fizike dhe verbale në familje, dhe 42 % e fëmijëve janë dhunuar në shkollë

1.8 %
e fëmijëve jetojnë në varfëri ekstreme (sipas LSMS, Leaving Standard Measurements, ndërsa 17.14 % jetojnë në varfëri

54.3 %
e fëmijëve të grupmoshave 6 deri në 18 vjeç që nuk e ndjekin shkollën, pranojnë se nuk përballojnë dot shpenzimet (studimi i fundit i UNICEF).      

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›