E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stuhi politike kundër republikanit MekKein

Votuesit e shteteve që lëkunden mes dy kandidatëve presidencialë, duke filluar nga Kolorado e deri në Ohajo, po bombardohen nga telefonata automatike, përmes të cilave Barak Obama portretizohet si njeri pranë qarqeve terroriste, si dhe mik i Hollivudit.

Telefonatat, të njohura tashmë me termin "robotelefonatat", ku zëra të regjistruar thonë, "Ngjatjeta, po ju telefonoj në emër të Xhon MekKeinit dhe RNC-së (Komiteti Kombëtar Republikan)", kanë shkaktuar një stuhi politike, duke qenë se jo vetëm demokratët, por edhe disa republikanë, kanë nisur të akuzojnë fushatën e MekKeinit si jo të ndershme, duke shtuar se është një taktikë së cilës vetë veterani i Vietnamit e ka kundërshtuar historikisht.

Versione të shumta të këtyre telefonatave, ku adresohen çështje që shtrihen nga aborti te terrorizmi, janë raportuar nga zgjedhës të shumtë nga Ohajo, Kolorado, Nju Meksiko, Uiskonsin, Pensilvania, Virxhinia, Misuri, Karolina e Veriut, Florida Teksasi, Virxhinia Perëndimore, Meini dhe Xhorxha.

Telefonatat që fokusohen te qëndrimet e kandidatit republikan, sipas të cilave Obama është mik i afërt i Uilliam Ajers, radikalit majtist të viteve të Vietnamit thonë: "Duhet të dish që Barak Obama ka punuar krah për krah terroristit Bill Ajers, organizata e të cilit sulmoi me bomba selinë e Kongresit Amerikan, Pentagonin, shtëpinë e një gjykatësi dhe vrau amerikanë. Demokratët do të vënë në jetë një axhendë të ekstremit të majtë në rast se fitojnë kontrollin mbi Uashingtonin".

Një tjetër model telefonate thotë: "Barak Obama dhe kolegët e tij demokratë vënë Hollivudin mbi Amerikën. Gjatë po asaj dite kur, liderët tanë të zgjedhur nga populli u mblodhën në Uashington për t‘i gjetur zgjidhje krizës financiare, Barak Obama shpenzoi vetëm 20 minuta me këshilltarët e tij ekonomikë, por orë të tëra në një shoqatë grumbullimi fondesh të Hollivudit. Cilat janë prioritetet e demokratëve?".

Një telefonatë tjetër sjell në vëmendje një sulm të përdorur nga MekKeini gjatë debatit të fundit presidencial: Duhet të dish që Barak Obama... iu kundërvu ligjit që i vë mjekët para detyrimit të kujdesen për foshnjat e lindura të gjalla pas përpjekjeve për abort... Barak Obama dhe demokratët e tij liberalë janë shumë ekstremistë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës...".

Lideri i mazhorancës demokrate në Senatin Amerikan, Herri Rid, u shpreh i habitur për këto taktika kaq "të ulëta". "Nuk arrij ta besoj që Xhon MekKein ka dijeni për të gjitha këto", tha ai. "Këto lloj taktikash nuk mund të gjejnë vend në politikën e shtetit Mein", tha zëdhënësi i senatores republikane të Meinit, Suzan Kollins. Vetë senatorja është e përfshirë në një betejë të ashpër elektorale për t‘u rizgjedhur.

Kritikët e përdorimit të "robotelefonatave" gjatë fushatës, vërejtën se MekKeini u është vënë historikisht kundër taktikave të tilla dhe se ka këmbëngulur pa pushim që rënia e tij gjatë primareve presidenciale republikane të vitit 2000 i detyrohej në masë të konsiderueshme përdorimit të këtyre taktikave nga rivali i tij atëhershëm, Xhorxh Bush.

Vetëm pak ditë larg fushatës, zgjedhësit e Karolinës së Jugut morën telefonata ku u shtrohej pyetja: "Mos do të kishte më pak gjasa t‘ia jepje votën Xhon MekKeinit... po të dije se ai ka sjellë në botë, në mënyrë të paligjshme, një fëmijë të zi?".

Xhorxh Bush i fitoi votat e Karolinës së Jugut duke servirur në formë të shtrembëruar adoptimin nga MekKeini të një vajze nga Bangladeshi. Ajo fushatë u orkestrua në pjesën më të madhe nga Çarli Kondon, ish-prokuror i Përgjithshëm i Karolinës së Jugut. Gjatë muajve të parë të këtij viti, po Kondon u vendos në detyrën e drejtuesit të fushatës së MekKeinit për Karolinën e Jugut.

Raportohet se telefonatat e javës së shkuar janë produkt i një kompanie të zotëruar nga Xhef Larson, një konsulent republikan - ashtu siç qenë edhe telefonatat e drejtuara kundër MekKeinit në vitin 2000. Në atë kohë, MekKeini e denoncoi këtë praktikë me fjalët: "Ju premtoj se nuk kam pranuar dhe nuk do të pranoj kurrë të përdor taktika të tilla politike".

I pyetur nëse kishte ndërmend që t‘i jepte fund këtyre telefonatave, MekKeini u shpreh se, në këtë rast, qenë të ndryshme nga tetë vite më parë. "Janë të vërteta e legjitime dhe janë tërësisht të ndryshme nga ato telefonata që u bënë kundër familjes sime. Rasti i sotëm është krejtësisht i ndryshëm dhe, nëse nuk i keni parasysh telefonatat e vitit 2000... do të thotë se nuk jeni në gjendje të dalloni ndryshimin mes shpifjeve dhe asaj që është e ligjshme dhe nëse senatori Obama po tregohet apo jo i ndershëm me popullin amerikan".

Një prej zëdhënësve të Obamës tha për të përditshmen amerikane "The New York Times" se përdoruesi i "robotelefonatave", reminishencë e fushatës së vitit 2000, tregon "se sa shumë ka ndryshuar që nga ajo kokë MekKeini - tani ka bërë të vetat jo vetëm politikat e Presidentit Bush, por edhe taktikat e tij".

Përgjigjja nga kampi kundërshtar nuk mund të vononte. Një zëdhënës i fushatës së MekKeinit i mbrojti telefonatat automatike dhe tha për "The New York Times": "Do doja të vëreja se pjesa më e madhe e telefonatave bazohen te fakte të vërtetë e të pakundërshtueshëm, të cilat, votuesit amerikanë, duhet patjetër t‘i mësojnë".

Gjatë fazës primare të zgjedhjeve presidenciale, Stiv Shmid, menaxheri i fushatës së MekKeinit i konsideroi këto lloj telefonatash si lojë mjaft e ulët politike dhe si mënyrë e thjeshtë për të nxjerrë nga goja shpifje për kundërshtarët. Mësohet se "robotelefonatat" janë pjesë e një programi 70 milionë dollarësh të Partisë Republikane në bashkëpunim me fushatën e MekKeinit në shtete me rëndësi kyçe për sa u përket zgjedhjeve.

Ndërkohë që sipas Xhon Gir të Universitetit Vanderbilt, përdorimi i kësaj taktike është i diskutueshëm. "‘Robotelefonatat‘, tha profesori në një intervistë për ‘The Washington Post‘, mund të shkaktojnë kthesa të forta, por u duhen drejtuar njerëzve të duhur. Por i duhet ruajtur shumë efektit bumerang dhe në rast se sulmet mbërrijnë në segmentet e medias, efekti mund të jetë shumë i rëndë për atë që i bën këto telefonata".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›