E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milkani bën për vete publikun e Valencias

"Trishtimi i zonjës Shnajder", filmi i regjisorit shqiptar Pirro Milkani, është prezantuar në "Mostra", në Festivalin e 29-të të Filmit në Valencia javën që shkoi. Pirro Milkani, i cili ka bërë filmin e tij të parë më 1968-ën, ishte në Valencia bashkë me distributorin Gianfranco Liuzzi dhe aktorin Nik Xhelilaj. Filmi ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet të rinjve shqiptarë që studiojnë në Pragë. "Trishtimi i zonjës Shnajder" është një kritikë për diktaturën shqiptare, e cila detyroi me forcë 50 000 studentë të kthehen në shtëpitë e tyre e të linin studimet për t‘i shërbyer regjimit. Pirro Milkani vërejti gjatë konferencës për shtyp në Valencia, se në Shqipëri janë bërë vetëm dy filma në vit dhe këto mbuloheshin me 70% të buxhetit. Pjesa tjetër duhej gjetur në rrugë të tjera. Milkani theksoi në një intervistë, se "Shqipëria është një shtet evropian dhe se shqiptarët, nuk e di pse, e kanë dashur në mënyrë të veçantë Republikën Çeke. Më shumë se njëmijë shqiptarë kanë studiuar në ish-Çekosllovaki", ka thënë ai.

Regjisori e ka përshkruar filmin si "një kontribut në kulturën evropiane. Ky është bashkëprodhimi i parë çeko-shqiptar përgjatë 110 vjetëve historie kinematografike", ka vazhduar më tej Milkani. Një nga bashkëpunëtorët në projektin e tij ishte djali, Eno. Këtë vit, në Festivalin e Valencias do të projektohen mbi 160 filma dhe është ftuar si e ftuar speciale ylli francez Isabel Huppert. Organizatorët gjithashtu do t‘i kushtojnë një homazh special Paul Newman. Përgjatë seksionit të filmave të rinj do të shfaqen edhe kontribute nga Tajvani, Maroku, Brazili dhe Japonia.

Ndërkaq, filmi i regjisorit Milkani është përzgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë në sesionin e filmave të huaj (jo në gjuhën angleze) për çmimet "Oskar". Presidenti i Akademisë, Sid Ganis, ka thënë se në këtë edicion të 81-të të ngjarjes më të rëndësishme kinematografike, është shënuar një rekord për vendet që kanë paraqitur filmat për konkurrim. Janë plot 67 vende. Vetëm dy herë më parë filmat shqiptarë kanë tentuar "Oskar". Në vitin 1996 me "Kolonel Bunker" të Kujtim Çashkut dhe në 2001-shin me filmin "Parullat" të Gjergj Xhuvanit. Lista e nominimeve do të shpallet nga Akademia më 22 janar, ndërsa çmimet do të shpallen më 22 shkurt 2009.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›