E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kryeministri të largohet me votë, jo vetëm nga qeveria

"Partia Socialiste është lokomotiva e politikës shqiptare dhe shikon përpara". Ky ishte konstatimi i djeshëm i kreut të Partisë Socialiste Edi Rama sipas të cilit "kush vjen prapa nesh është i mirëpritur, por njëkohësisht nuk është një arsye që ne të humbasim vëmendjen dhe kohën". Lideri i opozitës tha se koha është tërësisht në dispozicion të Shqipërisë dhe të njerëzve të saj, me bindjen e është koha e një politike të re të bashkimit të qytetarëve. "Në këtë aspekt ne ndahemi me shumë të tjerë dhe jemi të keqardhur për këtë fakt, për arsyen e thjeshtë se Partia Socialiste është pasuri politike e popullit shqiptar, ndërkohë që plot parti të tjera janë prona private", theksoi ai. Rama mendon se partia politike është alternativë qeverisëse, nuk është as mision dhe funksioni i saj të bëj rolin e gazetarit investigativ, prokurorit apo gjykatësit. Këto, shtoi ai, janë role të ndara dhe lavdi Zotit që ne sot po i japim politikës këtë dimension, në mënyrë që ajo çka thotë media, dhe që është pronë intelektuale e saj, të mos mbulohet dhe as mos relativizohet nga tymi i fabrikimit politik për arsye të fitimit politik. "Në këtë kuptim opozita që bën Partia Socialiste është emancipuese, opozita që bën partia socialiste është rruga e re për të hapur para shqiptarëve një mundësi të re, nuk është detyra jonë të investigojmë dhe të ngremë akuza", tha ai. Rama konstatoi se tellallët e qeverisë, janë vënë të gjithë në funksion të mbrojtës së kryeministrit të vendit, i cili është i përfshirë në një konflikt privat me institucionet kushtetuese të së drejtës. "Dhe kjo është arsyeja e mjaftueshme për t‘i ri kërkuar Sali Berishës dorëheqjen, në mënyrë që të ulë koston e vijimësisë qeverisëse në këto muaj dhe njëkohësisht për t‘ju kërkuar shqiptarëve e shqiptareve, që përgjigjen negative lidhur me këtë kërkesë, ta shënojnë në arsyet pse Sali Berisha duhet të largohet me votë dhe jo vetëm nga qeveria, por edhe nga politika", u shpreh Rama. Opozita që i duhet vendit, vijoi Rama, është opozita që bëjmë ne, Partia Socialiste, të vendosur në rrugën tonë për të ndryshuar politikën, sepse duke ndryshuar politikën mund të ndryshojmë qeverisjen, mund të ndryshojmë Shqipërinë. D.Malaj

"Trebicka"

Kreu i PS sqaron polemikat

Kreu i socialistëve sqaroi dje sërish polemikat rreth të ndjerit Kosta Trebicka. Sipas tij, Sali Berisha dhe tellallët e tij vazhdojnë t‘i referohen Kosta Trebickës të ndjerë, duke kërkuar respekt për të vdekurit, dhe duke e nxjerrë e rinxjerrë një të vdekur, me spekulimin që ne paskëshim bërë mbi vdekjen e tij një shfaqje politike. "E vërteta është se, siç akuzohet sot nga Sali Berisha, u akuzova ato ditë nga të tjerë, që e quanin dobësi mos shqiptimin e fjalës vrasje me bindje, ndërkohë që unë kam thënë dhe rithënë, problemi më i madh që ka qenë dhe mbetet, është pse e gjithë Shqipëria, gjëja e parë që mendoi ishte vrasja", theksoi ai. Rama mendon se nuk do të kishte ndodhur në asnjë vend të Evropës e njëjta gjë, ku opinioni publik nuk do të mendonte se një person që ishte dëshmitar për një çështje të rëndësishme dhe që u gjet i vdekur ishte vrarë. "Fakti që kjo u mendua dhe vazhdon të mendohet në Shqipëri, ka të bëjë me mosbesimin e shqiptarëve te shteti, qeveria e Sali Berishës dhe ai vet", tha Rama. Me dyshimin e madh, shtoi ai, se kjo qeveri dhe ky Kryeministër janë në gjendje për t‘i bërë të gjitha, për të mbajtur këtë pushtet të korruptuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›