E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berati, sot zyrtarisht në UNESCO

Zhvillohet sot në Berat ceremonia e regjistrimit të qytetit të Beratit në listën e pasurisë botërore. Me këtë rast, në Berat do të zhvillohen një sërë aktivitetesh, por mbi të gjitha do të tërhiqet vëmendja se tashmë fillon përgjegjësia e zhvillimit prioritar për qendrën historike të këtij qyteti. Ceremonia e përfshirjes së Beratit në UNESCO, por dhe të gjitha aktivitetet që do të shoqërojnë këtë ditë të rëndësishme qytetin, do të organizohen nga Ministria e Turizmit Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dega e monumenteve në Berat, si dhe bashkia e këtij qyteti. Kryetari i bashkisë Berat, Fadil Nasufi, ka bërë të ditur se ceremonia në fjalë do të shërbejë për të theksuar edhe një herë rëndësinë e ngjarjes, e më shumë akoma për të tërhequr vëmendjen e të gjithëve se tashmë fillon përgjegjësia e zhvillimit prioritar të qendrës historike të Beratit dhe rritet angazhimi për menaxhimin e vlerave dhe realizimin e projekteve në lartësinë e statusit si pasuri universale. Nëpërmjet kësaj ceremonie, synohet të përcillet mesazhi se qendrat historike të qyteteve janë një kapitull i rëndësishëm dhe një privilegj për qytetet që posedojnë. Berati është shembulli më i shkëlqyer universal, i një historie dhe kulture mbi 2400-vjeçare. Dita e celebrimit të Beratit në UNESCO do të shërbejë për të menaxhuar burimet financiare për zhvillim të shpejtë të qendrës historike në veçanti dhe për t‘u dhënë fund praktikave të deritanishme të pritjes për ndërhyrjet mirëmbajtëse e integruese. Në këtë ceremoni marrin pjesë autoritetet më të larta të vendit, si Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, si dhe përfaqësues të UNESCO-s. Më 8 korrik të këtij viti, këshilli i UNESCO-s vendosi pranimin e qytetit të Beratit si pjesë e trashëgimisë botërore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›