E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërhiqni Formularin A2 deri në 9 korrik!

Të gjithë maturantët të cilët kanë vendosur të vazhdojnë studimet e larta, mund t’i tërheqin Formularët A2 nëpër të gjitha drejtoritë arsimore. Për plotësimin e këtij formulari, afati është deri në 9 korrik. MASH-i këshillon të gjithë maturantët që të presin shpalljen e rezultateve të provimeve të detyruara Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë, para se ta plotësojnë këtë formular, për të zgjedhur 10 programet e preferuara në bazë të pikëve të grumbulluara. Për të marrë Formularin A2, nxënësi duhet të ketë kryer pagesën prej 2000 lekësh në një bankë ose në Postën Shqiptare, dhe të paraqesë faturën e pagesës së kryer. Maturantët mund të fotokopjojnë këtë formular për t’u praktikuar, por duhet të dorëzojnë formularin origjinal të plotësuar. Ata duhet të lexojnë me kujdes udhëzimin për plotësimin e Formularit A2. Në fillim, mësuesi kujdestar bashkë me maturantin plotësojnë mesataren e shkollës së mesme me numra dhe me fjalë. Pasi është vendosur për programet e preferuara të studimit dhe renditjen e tyre, plotësohet kodi i programit të studimit për secilën preferencë, nga preferenca 1 deri në preferencën e 10-të. Pas kësaj, në kuadratin pranë programit të studimit do të vendosni numrin e preferencës. Kodi i programit të studimit, i shënuar tek tabela e preferencave, duhet të jetë i njëjtë me atë ku është shënuar numri i preferencës përkatëse. Maturanti, mësuesi kujdestar dhe drejtori i shkollës duhet të plotësojnë emrin, mbiemrin dhe të firmosin Formularin A2.
 
 
Si renditen preferencat
Para se të rendisë preferencat, maturanti duhet të bëjë një llogaritje të përafërt të pikëve që ka grumbulluar nga rezultatet e mesatares së shkollës së mesme dhe provimeve të detyruara Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë. Pas kësaj duhet të konsultojë te Guida e Maturës Shtetërore 2008 pikët minimale për çdo program studimi që kanë bërë fitues, kandidatët e një viti më parë. Në këtë moment, maturanti duhet të  ketë një ide se çfarë programesh studimi duhet të zgjedhë brenda 10 të mundshmëve. Pas kësaj, ai duhet të formojë një listë, ku programet e studimit t’i rendisë jo vetëm sipas preferencave, por edhe mundësisë që ai ka për të fituar në këto preferenca. Pra, programi i parë do të jetë dega që ai preferon më shumë dhe, e dyta, ajo që preferon nëse nuk do të fitojë në preferencën e parë, e kështu me radhë deri tek preferenca 10. Është e detyrueshme që të mbushen të 10 kutitë e preferencave, ndryshe formulari quhet i pavlefshëm.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›