Berisha çuditet kur shqiptarët e pyesin për bashkimin Shqipëri-Kosovë
Zyrtarët e lartë të Tiranës dhe Prishtinës thanë dje, se Kosova është shtet i pavarur, sovran, unik dhe i pandashëm. Ata thanë gjithashtu, se Shqipëria dhe Kosova janë faktor paqeje dhe qëndrueshmërie në rajon. Komentet u bënë në takimet e drejtuesve të të dy shteteve shqiptarë në rajon, përkatësisht kryetarit të qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçit me presidentin Bamir Topi, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Hashim Thaçi tha se pretendimet për ndarje etnike apo territoriale të Kosovës nuk do të kenë sukses. Ndonëse një pjesë jo e vogël e veriut, veriperëndimit dhe lindjes së Kosovës nuk kontrollohen nga qeveria e shtetit më të ri në botë, kryeministri i Kosovës theksoi me vendosmëri, se “integriteti territorial i Kosovës është i garantuar dhe i njohur ndërkombëtarisht” dhe se “duhet bërë ndarja e qartë mes serbëve, shtetas të Republikës së Kosovës, që janë të përfaqësuar në Parlamentin e Kosovës, në qeverinë e drejtuar nga unë, por edhe në autoritetet vendore”. Thaçi garantoi gjithashtu, se “në Kosovë nuk do të ketë enklava, do të ketë lëvizje të lirë dhe të tillë ka në tërë territorin e Kosovës”. Ai nuk iu shmang komenteve që dëshmojnë qenien shqiptare të Kosovës, kur pohoi se ne jemi i njëjti komb, me të njëjtën gjuhë, kulturë e traditë, përkundër zhvillimeve që po e ngrenë Kosovën në nivele të tjera simbolesh, për shkak të shtetësisë, me flamur e himn tjetër joshqiptar. “Dashuria jonë vëllazërore nuk ka ndryshuar. Jemi shtete të ndara, por jemi një komb dhe kemi një gjuhë. Jemi zotuar për mosndryshim të kufijve, por duam një rajon pa kufijtë dhe rrugë që ofrojnë Prishtinën dhe Tiranën”, - tha ai. Thaçi nuk dha përgjigje kur u pyet nëse në të ardhmen do të ketë bashkim mes Shqipërisë dhe Kosovës. “Së pari, ky është viti i një rëndësie historike për rajonin. Shqipëria mori ftesën për në NATO. Së dyti, shqiptarët, kudo që ata jetojnë, kurrë në historinë e tyre politike nuk kanë qenë më të avancuar, më stabël dhe në pozicion më të mirë. Në këtë mënyrë, do të ketë vetëm ecje përpara për të gjithë qytetarët e rajonit. Të dy vendet tona punojnë për mosndryshim të kufijve, por punojnë edhe për hapje, demokratizim dhe për një model e realitet evropian, si rajon i bashkëpunimit dhe integrimit”, - tha ai. Mirëpo më i qartë ishte Berisha në këtë çështje. Ai tha se çuditej që ia bënin këtë pyetje shqiptarët, të cilët në të vërtetë janë i njëjti popull në të dy pjesët e pavarura të Shqipërisë, përveç asaj së shpallur në 1912, tani edhe Kosovës. “Për sa i përket pyetjes lidhur me bashkimin mes dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, mendoj se kësaj pyetjeje i ka dhënë përgjigje përfundimtare pavarësia e Kosovës. Në bindjen time më të thellë, pavarësia e Kosovës ka qenë dhe është projekti më i besuar, më madhor, projekti për të cilin dhe rreth të cilit qytetarët e Kosovës ndërtuan rezistencën më legjendare të kohërave moderne, sepse, ashtu siç e theksova, pavarësia e Kosovës është një kryevepër e qëndresës. Ky projekt është projekti më i respektuar në Shqipëri. Kur të huajt më pyesin lidhur me këtë çështje, unë i mirëkuptoj ata, sepse e kanë nga ndikimi i fobive të trashëguara për shqiptarët. Por, kur këtë pyetje ma bëjnë shqiptarët, unë çuditem”, - tha Berisha. Thaçi më pas iu drejtua Kuvendit me një fjalë, në të cilën shpalosi pikëpamjet e tij për ecurinë e marrëdhënieve mes Kosovës e Shqipërisë, por duke kujtuar rolin e shtetit shqiptar që u shpall i pavarur në vitin 1912, pas kryengritjeve në krahinën e tij etnike Kosovë. “Për një shekull përpjekjesh për liri, Kosova kishte gjithë ndihmën e institucioneve shqiptare dhe popullit shqiptar. Kur Kosova ishte në luftë edhe Shqipëria ishte në gjendje lufte, vendi juaj dha dëshmorë për Pavarësinë e Kosovës, por edhe Kosova dha dëshmorë për pavarësinë e Shqipërisë. Kosova krenohet me Shqipërinë, Kosova dhe Shqipëria krenohen me njëra-tjetrën”, - tha ai. Ndërsa në takimin me Thaçi, kryekuvendarja Topalli tha se vizita e tij si kryeministër “i Kosovës së pavarur në Tiranë shënon një ngjarje historike në marrëdhëniet midis dy shteteve tona, që rrahin me një zemër për të njëjtin vizion, perspektivën evropiane për një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Evropian”. Një ditë e gjatë takimesh në Tiranë u mbyll për kryeministrin e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, Thaçi, me bisedimet e zhvilluara pasdite me Ilir Metën, kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe njëherazi, kryetar i komisionit të Kuvendit për Integrimin. Thaçi dhe Meta vunë në dukje rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit mes Tiranës dhe Prishtinës, me synim integrimin euroatlantik.