E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen krimet mes adoleshentëve

Berat

Rriten frikshëm rastet e krimeve ordinere mes adoleshentëve beratas. Sipas psikologëve, faktorët që ndikojnë në rritjen e fenomenit janë përdorimi i alkoolit dhe drogave, si dhe familjet me probleme. Përplasja e radhës ka qenë mbrëmjen e së dielës, kur një 18-vjeçar nga qyteti i Beratit është plagosur rëndë me thikë nga një 14-vjeçar, i cili tashmë është ndaluar nga policia. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se 14-vjeçari A.T., banor i lagjes “30 Vjetori”, mbrëmjen e së dielës ka goditur me thikë 18-vjeçarin V.V., banor të së njëjtës lagje. Pas grindjes me fjalë, 14-vjeçari ka rrëmbyer një thikë nga një dyqan i lagjes dhe pasi e ka goditur të riun në shpatull, është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. I plagosuri ndodhet në spitalin e qytetit, ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhet në gjendje të rëndë, ndërkohë që policia ndaloi autorin. Sipas psikologes Bruna Syri, pjesa dërrmuese e këtyre adoleshentëve problematikë janë fëmijë, të cilët i kanë prindërit e divorcuar ose në emigrim. Sipas saj, duhet ndërhyrë sa më parë, pasi po rritet një brez i cili do të sjellë pasoja jo të vogla në shoqëri.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›