E Shtunë, 31 Tetor 2026

Synoi arin, argjend për Qerimajn

Botërori i të rinjve, peshëngritje

Erkand Qerimaj mund të kishte fituar medaljen e arit dhe titullin botëror për të rinj në peshëngritje, por u detyrua të kënaqej vetëm me vendin e dytë në shtytje. Shkodrani 19-vjeçar provoi 153 kg në shkëputje, por nuk arriti ta ngrinte peshën dhe dështoi në të tria provat, duke e bërë të sigurt dështimin në dygarësh. Sidoqoftë, ai nuk e humbi kurajën dhe në stilin tjetër, atë të shtytjes, arriti të realizonte një rezultat shumë të mirë, 185 kg. Me këtë provë, shqiptari fitoi vendin e dytë dhe medaljen e argjendit në shtytje, duke mbetur vetëm prapa kampionit të botës, egjiptianit Ramadan Ibrahim dhe duke lënë 3 kilogram prapa fituesin e medaljes së argjendtë në dygarësh, turkun Semih Jagxhi. Nëse do të realizonte 153 kg në shkëputje, Qerimaj do të kishte rezultatin përfundimtar prej 338 kg, që do t’i kishte dhënë arin botëror pa asnjë diskutim, madje me diferencë prej 6 kilogramësh nga vendi i dytë. Kjo nuk ndodhi.

Erkandi është një nga 11 sportistët shqiptarë të kualifikuar për në Lojrat Olimpike Pekin 2008, ndërsa këto rezultate janë më të dobëta se ata të arritur në Botërorin e të zhvilluar vjet në Çeki (Pragë), ku ngriti 193 kg në shtytje, por edhe se Europiani i Linjanos në Itali ku ngriti në dygarësh 345 kg (155+190).

Briken Çalja, medalje bronzi

Një tjetër peshëngritës shqiptar, Briken Çalja, fitoi medalje bronzi në këtë botëror, në peshën 69 kg. Ai ngriti 136 kg në shkëputje dhe 164 në shtytje, me dygarëshin prej 300 kg. Me këtë rezultat, ai doli i katërti në dygarësh, vetëm 2 kg larg medaljes së bronzit fituar nga armeni Arakel Mirzojan, ndërsa në shkëputje fitoi bronzin, për peshë trupore më të vogël se kolumbiani Luis Migel Pineda. Edhe në këtë stil, ai mbeti vetëm 1 kg larg medaljes së argjendit. Pjesëmarrës të tjerë të Shqipërisë në Botëror janë edhe Elvis Tabaku (85 kg), Endri Karina (95 kg) dhe Marie Veli (63 kg).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›