E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e pacientit nga gjaku, fillon hetimi kundër mjekëve

 

Trazhgim Sokolaj

Fillon procedimi penal ndaj mjekëve që kuruan pacientin Sotiraq Naumi nga Korça, i cili gjeti vdekjen javën e kaluar në Spitalin Ushtarak. Prokuroria e Tiranës regjistroi dje procedimin penal që bën fjalë për vdekjen e 53-vjeçarit Sotiraq Naumi, duke i hapur rrugë kështu zyrtarisht nisjes së hetimit ndaj mjekëve që trajtuan pa sukses pacientin që humbi jetën. Materiali hetimor për vdekjen e 53-vjeçarit kishte mbërritur pak ditë më parë në Prokurorinë e kryeqytetit ndërsa dje, dosja penale me të gjitha materialet e saj i është dorëzuar një prokurori, të cilit i është ngarkuar të zhvillojë hetimet për të zbardhur nëse ka pasur gabime, shkelje, pasaktësi apo veprime të paligjshme nga mjekët, me pasojë vdekjen e pacientit që nuk arriti të shpëtonte nga kthetrat e vdekjes. Sotiraq Naumi, humbi jetën të shtunën më 23 gusht 2008 në Spitalin Ushtarak pasi qëndroi aty në gjendje “vdekje klinike”. Në këtë gjendje pacienti kishte mbërritur në Tiranë për trajtim të specializuar, pas tri ditësh trajtimi mjekësor të pasuksesshëm në spitalin e qytetit të Korçës. Menjëherë pas lajmërimit për vdekjen e 53-vjeçarit në Spitalin Ushtarak, policia e Tiranës dërgoi atje hetuesit e saj, të cilët hartuan një raport për ngjarjen dhe ia dërguan atë për vlerësim, Prokurorisë. Kjo e fundit pasi ka analizuar materialet hetimore në dosje, ka vendosur të regjistrojë procedimin penal ndërsa fashikulli me provat i kaloi një prokurori që do t’i shqyrtojë ato e më pas do të vendosë për hetimet e mëtejshme për veprën penale “mjekim i gabuar ose i pakujdesshëm”. Lajmi është konfirmuar dje nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës. Sipas këtyre burimeve, grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje fillimisht do të kërkojë të njihet me raportin e autopsisë për shkaqet e vdekjes së Sotiraq Naumit. Më pas hetuesit dhe prokurori i çështjes do të vendosin për ecurinë e hetimit, megjithëse dosja ka gjasa të transferohet për kompetencë në Prokurorinë e Korçës, pasi mjekët e këtij qyteti janë të dyshuarit kryesorë si shkaktarë të ngjarjes. Pas paraqitjes së Sotiraq Naumit në spitalin e këtij qyteti më 20 gusht, me temperaturë dhe shqetësime të tjera të dukshme, mjekët e Korçës bënë një analizë ku përjashtuan infeksionin, sëmundjen prej të cilës dyshohej se vuante pacienti. Për tri ditë me radhë ai u mjekua me ilaçe për shqetësime të tjera derisa gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm. Në gjendje “vdekje klinike”, 53-vjeçari është nisur nga Korça për në Spitalin Ushtarak në Tiranë ku ka vdekur 14 orë pas mbërritjes pa shfaqur asnjë përmirësim në gjendjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›