E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stuttgarti ndal kampionen Barcelona

Stuttgarti ishte mikpritës i Barcelonës në Mercedes-Benz Arena për të zhvilluar takimin e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve, takim i cili përfundoi me rezultat të barabartë 1-1.
Në gjysmën e parë të ndeshjes, kampioni në fuqi i garës më prestigjioze të futbollit evropian për klube, Barcelona, ishte skuadër inferiore kundrejt ekipit që mban vendin e nëntë në Bundesligan gjermane.
Stuttgarti pati më shumë raste në 45 minutat e para, shënoi një gol dhe iu mohua një penallti.
Një krosim të bukur të Gebhart e shfrytëzoi lojtari më i rrezikshëm i vendasve në pjesën e parë, Cacau, i cili shënoi me kokë në portën e Valdes (25').
I vetmi rast për t'u përmendur i Blaugranëve në pjesën e parë ishte kur pas goditjes së lojtarit më të mirë në botë, Leo Messi, dhe intervenimit të portierit Lehman, topi goditi shtyllën (40').
Në fraksionin e dytë të lojës, tempi i vendasve filloi të bjerë dalëngadalë, ndërsa mysafirët shtuan numrin e sulmeve në drejtim të Jens Lehman.
Në minutën e 52-të, pas një gabimi të mbrojtësve të Stuttgartit erdhi goli i barazimit, të cilin e realizoi Zlatan Ibrahimoviç. Megjithëse xhirimet treguan se paraprakisht kishte pasur pozitë jashtë lojë, gjyqtari e pranoi golin.
Edhe pse ky rezultat nuk e favorizon ekipin gjerman, duhet pranuar se Stuttgarti zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë përballë skuadrës më të mirë në botë, e cila nuk ishte në ditën e saj më të mirë.
Sido që të jetë, takimi që do të zhvillohet në Camp Nou do të tregojë se kush do të vazhdojë në çerekfinale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›