E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra, gardisti: Na bënë grackë në Cërrik në 1997



Armand Bajrami

Dy ish-efektivë të forcave speciale, të pranishëm në ngjarjen e njohur si "ma-sakra e Cërrikut" në maj të vitit 1997, thanë dje tek Krimet e Rënda se prita e armatosur ndaj "njerëzve të shtetit" ishte një "grackë".Sipas tyre, kur forcat e gardës së bashku me forcat speciale janë futur në qytet, rrugët ishin boshatisur nga njerëzit dhe dyqanet ishin mbyllur. Petrit Nikolli dhe Pashk Doda dëshmuan dje për minutat kur ishin shënjestruar nga njerëz të armatosur në qendër të Cërrikut dhe kur ndjenin plumbat t'u fishkëllenin përpara syve. Dëshmitari Nikolli tregoi për ciflën e granatës që i kishte dëmtuar këmbën, teksa po mundohej të ndihmonte dy kolegë të tij të plagosur. Dëshmitari nuk dinte se kush i kishte qëlluar në Cërrik, por nuk ngurroi të thotë se "drejtues turmash në Cërrik ishte një grabitqar".
PETRIT NIKOLLI
"Në vitin 1997 kam qenë i punësuar në polici në Repartin 312. Kam filluar punë në shkurt të vitit 1997. Në 24 maj jemi nisur nga Tirana për në Elbasan. Në 25 në mëngjes ikëm për në Cërrik. Në Elbasan kemi qenë mbi 20 veta. Njihja aty Dritan Hasën nga Shkodra, Petrit Prengën, Lek Mark Gjokën dhe shumë të tjerë. Armatim me vete unë kisha një pistoletë dhe ishim të veshur me uniforma ngjyrë bari. Unë kam qenë në një blind me goma. Kanë qenë dhe dy tanke të tjera. Kur u futëm në Cërrik për herën e parë unë isha tek blindi i parë në radhë. Para se të hynim në Cërrik kishim një informacion për një arsenal armësh në një shtëpi. Kemi shkuar dhe kemi gjetur pushkë, kallashnikovë dhe municion. Aty dëgjuam në radio se në Cërrik posta e policisë është marrë nga bandat e armatosura. Ndoqëm për pak kilometra një furgon policie. Menduam se ishin policë dhe thamë të kontaktojmë dhe të shoqëroheshim me ta. Furgoni iku me shpejtësi. Kur e arritëm, e gjetëm të ndaluar dhe pa njerëz brenda. Aty kërcitën armët pastaj. Afër meje u plagos Dritan Hasa. Plaga ishte mbi tetë centimetër. I thashë një shokut tim të blindit, Pashk Doda: Kujdes! Në atë kohë ai mori një plumb në shpinë, që i doli në pjesën e parme të gjoksit. Më tha: Vdiqa! I thashë që nuk kishte gjë, por nëse dinte, të izolonte plagën. Më pas me rripat e nxjerrë nga grisja e një bluze lidha këmbën e Dritanit. Për 5 minuta u izolua edhe plaga e Pashkut. Plumbi ishte i pastër dhe vrima hyrëse mbyllet vetë. I kapa të dy nga krahët, me qëllim për t'i çuar nga kompania. Aty pashë që 50 metër larg nesh ishte ndezur një tank i yni. Lëviza tek një kioskë e vogël. Ata më thoshin mua: Ik, na lër këtu! U thashë: gjallë a vdekur, unë do t'ju çoj në Tiranë. Duke ecur në trotuar rreth 50 metër larg kioskës mora një plumb në këmbë. Më pas, pas ekzaminimeve mjekësore rezultoi se plagosja ishte një cifël granate. Tanku ku do të shkonim ishte 5 pallate më tej. Në tank gjeta një të plagosur rëndë në kokë. Ishte Petrit Ndoi, i cili më pas ndërroi jetë. U kthyem tek kompania dhe marrim vesh që kishte të vrarë, të plagosur dhe të rrëmbyer. Prita është bërë tek Pallati i Kulturës. Njerëzit ishin mbi tarracat e pallateve. Mbi tarraca, që në vendin ku isha unë kam para nja 5-6 lëvizje. Kur u futëm ne në Cërrik nuk kishte asnjë lëvizje dhe as lokale të hapura. Kjo na bëri përshtypje. Ne na kanë qëlluar me automatik. Dëgjonim fishkëllimën e plumbave në trotuar. Pasi dolëm nga Cërriku, pas 10 km na doli përpara policia e Elbasanit me makina. Unë nuk pranova të mjekohesha në Elbasan dhe jam transportuar me helikopter në Tiranë. Ajo ishte grackë. Në qytet, drejtues turmash ishte një grabitqar", dëshmoi para gjykatës dëshmitari Nikolli.

Doda: Në Cërrik policia nuk iu përgjigj bandave

TIRANE- Dëshmitari Pashk Doda tha dje para gjykatës se as ai dhe asnjë nga kolegët e tij nuk i ishte kundërpërgjigjur me armë sulmit ndaj tyre në maj të vitit 1997 në Cërrik. Doda, i plagosur në ngjarje, pohoi se operacioni në Cërrik ishte operacioni i fundit ku ai kishte marrë pjesë, pas disa të tillëve në qytete të tjera të vendit. Ditën e ndërhyrjes në Cërrik dëshmitari tha se "kam qenë i armatosur me automatik. Arritën në Cërrik në orën 06:30. Lëvizjet në qytet ishin normale. Kontrolluam një shtëpi private. Në vijim u udhëtuam për 5 minuta në dalje të Cërrikut. Atje gjetëm armatime 'me arka'. Kur u rikthyem në Cërrik, aty nuk kishte asnjë lëvizje. Ne vazhduam rrugën drejt rajonit të policisë. Aty filluan krismat. Nga personat që kisha në blind dhe nga unë nuk është qëlluar absolutisht me armë. Ndaj nesh është qëlluar me të gjitha llojet e armatimeve", tha dëshmitari. Ai u shpreh dje se burri edhe mund të vritet, por askush nuk prek kufomat. "Nuk di kush na qëlloi. Por në Cërrik kanë vrarë dhe i kanë tërhequr kufomat zvarrë. I kam parë në foto në një revistë", tha ai para gjykatës. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›