Legalizimet, kompensim për 375 familje
Nertila Maho
Vendimi i fundit i Qeverisë kompenson 375 familje, pronat e të cilave janë zënë nga ndërtimet informale. Këshilli i Ministrave dha dje "ok" për pronarët përfitues, pasuritë e të cilëve janë nën administrimin e qarqeve Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Shkodër, Gjirokastër, Dibër, Lezhë dhe Durrës. Gazeta boton sot listën me emrat e familjeve, sipërfaqen që ju kompensohet dhe vlerën monetare që i takon secilit. Burime nga Agjencia e Legalizimeve bëjnë të ditur se kompensimi do të bëhet me këste, sipas ecurisë së mbledhjes së fondit nga procesi i legalizimeve. Përfituesit e këtij vendimi fillimisht do të përfitojnë 20% të vlerës totale që ju takon dhe më vonë do të vijohet me pjesën tjetër. Vendimi në total përfshin një sipërfaqe 48 849, 90 (dyzet e tetë mijë e tetëqind e dyzet e nëntë presje nëntëdhjetë) m², tokë truall, me vlerë të përgjithshme 757 664 073, 8 (shtatëqind e pesëdhjetë e shtatë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëdhjetë) lekë. Ndërkohë që paralelisht me procedurën e kompensimit do të vijojë edhe puna e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, e cila do të kryejë ndryshimet përkatëse për të kaluar parcelat përkatëse në pronësi të shtetit.
Dokumentet për kompensim
Këshilli i Ministrave me një tjetër vendim miratoi dje ndryshime edhe në dokumentacionin e nevojshëm që duhet paraqitur për të përfituar kompensim për pronat e zëna nga ndërtimet informale. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që është edhe institucioni "kyç" në këtë proces, publikon listat e përfituesve nga fondi i kompensimit dhe më pas merret me pranimin apo shqyrtimin e kërkesave. Kjo procedurë kryhet nga një grup pune i ngritur me urdhër të Drejtorit të AKKP-së, për çdo fond të vënë në dispozicion për kompensim të pronarëve, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet informale. Pas kësaj, përfituesi duhet të paraqesë pranë AKKP-së dokumentacionin e nevojshëm për të vazhduar me kompensimin. Kështu mes të tjerash, ai duhet të paraqesë kërkesën për kompensimin e pronës, dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata, për testamentin e bërë me akt noterial, të sillet certifikatë familjare e personit, për të cilin është lëshuar kjo dëshmi trashëgimie. Gjithashtu në vendim përcaktohet se është e nevojshme të paraqitet prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Duhet edhe vërtetimi i lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të transferohet vlera financiare e përfituar. Dhe në fund edhe fotokopje e dokumentit të identifikimit, si dhe certifikatë familjare e kërkuesit bashkë me mandatpagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit. Në një bashkëpunim zinxhir, AKKP sëbashku me Agjencinë e Legalizimeve dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme bëjnë verifikimin e konfirmimin e të dhënave për subjektet përfituese. Pas një sërë procedurash, në fund autoritetet përkatëse të përfshira në proces njoftojnë për miratim ose kundërshtim të kompensimit me argumentimin përkatës.
Kriteret dhe procedurat për legalizimin
Një vendim i Këshillit të Ministrave përcakton kriteret dhe procedurat e legalizimit të parcelave ndërtimore. Agjencia e Legalizimit është autoriteti që lëshon lejen e legalizimit, për objektin ose shtesën pa leje, në ndërtime me leje, në një sërë rastesh: kur është kryer vetëdeklarimi vullnetar brenda afatit ligjor, kur objekti nuk ndodhet në kushtet e përjashtimit nga legalizimi, kur është plotësuar dokumentacioni tekniko-ligjor i përcaktuar me ligj ose kur subjekti posedues ka shlyer pagesat e parashikuar. Procedurat e pajisjes me leje legalizimi, për objektet informale ose shtesat pa leje në ndërtime me leje, të kualifikuara për legalizim, kryhen nga ALUIZNI. Më pas publikohen emrat e personave që përfitojnë, bëhet përllogaritja e saktë e detyrimit financiar dhe më pas vijohet me procedurat e tjera deri në marrjen e tapisë.
LISTEN E PLOTE , MUND TA LEXONI NE FORMATIN PDF