E Diel, 1 Nëntor 2026

Subashi: Penalitete për partitë që s'kanë kthyer lekët

Nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi vlerëson si realist raportin e OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet, pavarësisht rezervave për disa pika

Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi shprehet se partitë fituese do të përfitojnë të gjitha fondet që parashikohen në Kodin Zgjedhor, edhe pse partitë joparlamentare mund të mos i kthejnë fondet që me ligj duhet të kthejnë në KQZ. Ajo gjithashtu, thotë se zbardhja e financave të përdorura nga subjektet zgjedhore në fushatë, do të përbëjnë dhe fundin e procesit zgjehdor të 28 qershorit. Kurse, përsa i përket rapoteve përfundimtare të vëzhguesve të OSBE/ODHIR-it dhe Transparency International Albania, znj. Subashi thekson se, partitë u përpoqën ta komentojnë atë sipas interesave politikë. Gjithsesi, sipas saj këto raporte kërkojnë më shumë vëmnendje ndaj mangësive që janë përmendur si dhe zbatimit rigoroz të 30 rekomandimeve që jepen për zgjedhjet e ardhshme.
Znj. Subashi, a ekziston mundësia që të zbatohen dispozitat për partitë e vogla joparlamentare dhe që ato realisht të përjashtohen në zgjedhjet e ardhshme?
Kodi Zgjedhor ka parashikuar financimin e partive politike parlamentare për fushatë zgjedhore nga buxheti i shtetit. KQZ-ja në bazë të kësaj dispozite me një vendim të posatshëm ka bërë shpërndarjen e fondit  të akorduar nga Këshilli i Ministrave, partive sipas përcaktimeve të këtij kodi, duke i dhënë 50 përqind partive që kanë mandate në Kuvend dhe që janë regjistruar si subjekte zgjedhore, si dhe 50 përqind partive që kanë deri në dy mandate në Kuvend. Kodi Zgjedhor gjithashtu ka parashikuar që: partia që ka përfituar financime nga buxheti i shtetit, nëse nuk përfiton mandate në Kuvend në zgjedhjet parlamentare, jo më vonë se 30 ditë nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve duhet të kthejë shumën e përfituar nga buxheti i shtetit. Në qoftë se një parti nuk e kthen shumën e përfituar, humbet të drejtën e financimeve nga buxheti i shtetit për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës. Nga ky përcaktim, është e detyrueshme të zbatohen këto dispozita, qoftë edhe nga parti që ju i quani të vogla.
Kur Kodi përcakton që partitë politike që nuk kanë fituar mandate në Kuvend, duhet të kthejnë financimet e marra nga buxheti 30 ditë pas shpalljes së rezultatit, a mendoni se ky afat është djegur dhe KQZ-ja duhet të kishte marrë vendimmarje të mëparshme për këtë çështje?
Kodi Zgjedhor, në nenin  87 pika 3 përcakton detyrimin e partive politike që kanë përfituar fonde nga buxheti i shtetit dhe nuk kanë marrë mandate në Kuvend, të kthejnë fondet e përfituara 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, pa shkaqe të përligjura, KQZ-ja i kërkon Ministrit të Financave të urdhërojë Zyrën e Thesarit, që këto shuma t'i mbajë nga fondet e tjera buxhetore që përfitojnë këto parti dhe t'i kalojë ato në buxhetin e KQZ-së. Nga kjo dispozitë, kuptohet qartë, që detyrimi i partive politike për të kthyer fondet brenda 30 ditëve pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, nuk parashkruhet, por mendoj se nuk kërkon as edhe një vendim të posatçëm të KQZ-së për këtë çështje. Ky është një detyrim që rrjedh nga ligji dhe duhet të zbatohet nga këto parti politike që kanë detyrimin. KQZ-ja, për ato parti politike që nuk kanë shlyer detyrimet ndaj saj, duhet t'i drejtohet Ministrit të Financave, për të bërë të mundur që nëpërmjet Zyrës së Thesarit, këto detyrime t'i mbahen partive politike nga fondet e tjera që ato përfitojnë nga buxheti dhe të kalojnë në buxhetin e KQZ-së. Kurrësesi, nuk mund të shuhet detyrimi për shkak se ai nuk është kthyer brenda afatit të kërkuar në Kod. Përkundrazi, moszbatimi i këtij detyrimi sjell përveç mbajtjes së kësaj shume nga buxheti i partisë përkatëse për llogari të KQZ-së edhe penalitete që përcaktohen në pikën 4 të nenit 87 të këtij Kodi. Këto penalitete janë humbja e së drejtës për të përfituar fonde publike për një periudhë jo më pak se pesë vjet si dhe nuk mund të regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e rradhës.
Në mbledhjen e fundit të KQZ-së u vendos, që partitë e vogla joparlamentare duhet të kthejnë paratë, por nuk u përcaktua një afat kohor, a ka pasur veprime të këtyre partive dhe a ka përcaktuar Ministria e Financave një afat për kthimin e parave?
Unë nuk besoj se kërkohet afat tjetër përveç atij të përcaktuar në Kod për këtë qëllim.
Si do t'i kompensojë KQZ-ja partitë e mëdha në qoftë se partitë joparlamentare nuk i kthejnë paratë?
KQZ-ja ka marrë një vendim për rishpërndarjen e fondit, duke përcaktuar edhe partitë që detyrohen t'i kthejnë këto fonde, por gjithashtu edhe partitë që përfitojnë nga këto fonde. Partitë përfituese i marrin të drejtat e tyre edhe kur ndonjë parti nuk i ka kthyer plotësisht fondet e përfituara dhe Këshilli i Ministrave i kompenson KQZ-së nga Buxheti i Shtetit, shumën përkatëse.
Realisht, a mendoni se është  e mundur të bëhen transparente fondet që partitë politike kanë harxhuar në fushatë?
Është një pyetje e vështirë për t'iu përgjigjur me një "po" apo një "jo". Kodi Zgjedhor ka parashikuar disa rregulla për financimin e fushatës së partive politike, si për shembull dokumentacioni që duhet të mbajë financimet, donacionet dhe shpenzimet që partitë bëjnë në një fushatë zgjedhore. Në bazë të Kodit Zgjedhor, KQZ-ja detyrohet të bëjë auditimin e fondeve dhe të zhvillimit të fushatës. Janë përcaktuar ekspertet kontabël për këtë qëllim dhe kanë filluar nga puna. Besoj se më 2 nëntor, duke iu referuar vendimit të KQZ-së, do të kemi një raport të ekspertëve, për të parë transparencën e fondeve. Ky raport do të bëhet publik nga KQZ-ja.
Çfarë veprimesh do të ndërmarrë vetë KQZ-ja përveç atij që është parashikuar në Kodin Zgjedhor?
Nuk besoj se KQZ-ja do të ketë mundësi të ndërmarrë veprime të tjera, përveç atyre detyrimeve, që janë përcaktuar në Kodin Zgjedhor dhe në Udhëzimin e KQZ -së në zbatim të këtyre dispozitave të Kodit. Në cilën periudhë priten të dalin rezultatet e ekspertëve për fondet e partive politike të harxhuara në fushatë?
Me vendim të KQZ-së është përcaktuar data 2 nëntor, për dorëzimin e raportit të auditimit të fondeve të partive politike, të përdorura në zgjedhjet e Kuvendit të Shqiperisë, në 28 Qershor 2009.
Cili është komenti juaj për raportin e zgjedhjeve të 28 qershorit të OBSE/ODHIR-it dhe TIA-s?
Unë, sigurisht, kam opinionin tim për raportet e vëzhgimit. Në bindjen time duhet të tërhiqet vëmendja e gjithkujt, që merret me proceset zgjedhore te mangësitë që përmenden për këtë proces dhe që nuk janë të pakta, si dhe në zbatimin rigoroz të 30 rekomandimeve, që ato japin për zgjedhjet e ardhshme. Sigurisht, që ky është një opinion i përmbledhur dhe që meriton më shumë vëmendje teknike. Partitë politike kanë fokusuar politikën e tyre mediatike me raportin në interesa politikë, çka në gjykimin tim, nuk pasqyron realisht atë që përmban raporti në tërësinë e tij. Gjithsesi, unë mendoj se për të bërë të ditur bindjen time për këto raporte vëzhgimi, duhet të diskutohet për çdo faqe të këtij raporti, çka ndoshta në këtë intervistë do të bëhej e pamundur.
Sa realist ju duket raporti o OSBE/ODHIR?
Për t'i dhënë përgjigje pyetjes suaj, sigurisht që nevoitet një analizë e gjerë për 32 faqe që përmban ky raport për procesin zgjedhor të 28 Qershorit të zhvilluar në Shqipëri. Megjithatë, duke iu referuar disa nga problemeve që trajton ky raport në pjesën përmbledhëse të tij, në vlerësimin tim, raporti i OSBE/ODHIR ka renditur drejt problematikat që shoqëruan zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit. Në raport pasqyrohet fushata parazgjedhore, ku evidentohet fakti që nga 730 000 shtetas, të cilët nuk dispononin një pasaportë të vlefshme, si mjet i vetëm indentifikimi për zgjedhjet, 257 000 shtetas nuk aplikuan. Për këtë problem, misioni nënvizon se vërtetoi disa raste të përfshirjes së panevojshme në proces të aktivistëve të PD-së dhe se pjesa më e madhe e problemeve vinin për shkak të administrimit dhe problemeve të infrastrukturës. Në fushatën parazgjedhore, misioni ka konfirmuar disa raste të presionit për të marrë pjesë në fushatën e PD-së apo që të shmangen nga fushata e opozitës me kërcënimin për heqje nga puna dhe kryesisht kishte të bënte me kategorinë e punojësve publik dhe të studentëve. Këto raste përbëjnë disa nga shkeljet më të rënda të parimeve të Kodit Zgjedhor, por edhe të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së. Dita e zgjedhjeve ndonëse është cilësuar si ndër më të arriturat, OSBE/ODHIR në raportin e tij evidentoi, se në disa raste ka konfirmuar blerje të votës në komunitetet rome. Gjithashtu, raporti nënvizon se në ditën e zgjedhjeve problematik ishte votimi i shumfishtë, një numër i madh firmash në dukje të njejtë në listën e zgjedhësve, ku i njejti person që ndihmonte disa zgjedhës, bënte përpjekje për të influecuar te zgjedhësit për të bërë presion ndaj tyre ose zyrtarëve të zgjedhjeve. Pas ditës së zgjedhjeve, edhe numërimi i votave pati probleme. Raporti evidenton se ekranet e mëdha të vendosura në tavolinat e numërimit, pjesërisht ia arritën qëllimit të transparencës dhe besimit ndaj procesit. Nuk arrihej të dallohej se cila ishte partia për të cilën ishte votuar dhe në cilin pirg vendosej fleta e votuar. Në 22 nga 66 qendrat e numërimit të votave, numurimi u vlerësua i keq ose shumë i keq. Në përmbledhjen e raportit të OSBE/ODHIR-it thuhet se keto zgjedhje nuk realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për të përmbushur standardet më të larta të zgjedhjeve demokratike. Kuadri ligjor siguron një bazë të mirë teknike për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, por duhet të rishikohen disa dispozita me qëllim që kuadri ligior të përputhet tërësisht me standardet ndërkombëtare. Duke renditur këto që shkruaj, por që natyrisht në një intervistë është e pamundur të jenë të pranishme të gjitha detajet, unë e vlerësoj këtë raport realist, por padiskutim nuk mund të mos kem rezerva për ndonjë paragraf të raportit, që lidhet me administrimin profesional të zgjedhjeve. E rëndësishme është që ky raport t'i shërbejë qëllimit që një herë të mund të kemi një raport të vëzhgimit që të thotë se zgjedhjet në Shqipëri i arritën standardet e një vendi anëtar të Natos dhe standardet më të larta të zgjedhjeve demokratike në Shqipëri.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›