E Shtunë, 31 Tetor 2026

Substancat e rrezikshme Mediu Nderhyrje te Metalurgjiku

Pavarësisht se aksidentet në punë nga substancat e rrezikshme në vendin tonë nuk janë të shumta, ato vazhdojnë të jenë shqetësuese për autoritetet e mjedisit. Propozimet më të fundit që kanë bërë këto autoritete, për shmangien e këtyre aksidenteve janë të përfshira në një draft, i cili do të disktutohet me të gjithë aktorët e interesit. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu ka kërkuar ndërhyrje emergjente në të gjitha subjektet që përpunojnë çelikun, në veçanti në Elbasan, si dhe në ato të çimentos.

“Krijimi i fondit mjedisor është detyrim imediat, jo thjesht për interes të Ministrisë së Mjedisit, por për interes të qytetarëve shqiptarë dhe çështjeve mjedisore. Krijimi i këtij fondi do bënte që padyshim të kishim një këndvështrim më të gjerë në kuptimin sektorial të çështjeve mjedisore, një manaxhim më të drejtë sa i përket burimeve financiare”-tha Mediu.

Kreu i mjedisit u shpreh se duhet sa më shpejt krijimi i fondit për mjedisin, nëse duam të jemi si shtetet europiane në politikat që ato ndjekin për këtë sektor.

“Duke kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dhe për industrinë e çelikut, sidomos për Elbasanin një ndërhyrje emergjente për të plotësuar të gjitha standartet nga ana e atyre që ushtrojnë këtë aktivitet, por dhe Ministria e Mjedisit për të ushtruar të gjithë kontrollin e nevojshëm për të mos lejuar ndotjen e mëtejshme të mjedisit. Duke vazhduar pastaj me industritë e reja të çimentos që kanë për detyrë të monitorojnë dhe krijojnë të gjitha kushtet dhe standartet mjedisore”-u shpreh ai.

Në këtë takim ka marrë pjesë dhe ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi, i cili u shpreh se ndihma e BE-së shkon në 2 milonë euro, për të përafruar legjislacionin, por edhe për hartimin e politikave, me qëllim, shmangien e tragjedive njerëzore, që mund të shaktojnë substancat e rrezikshme, por hapi i parë tha Sequi, duhet të vijë nga vetë autoritetet shqiptare.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›