Ministrat Ruli e Basha inspektojnë zonat e përmbytura
23/12/2009 Lënë detyrat për vendorët. Banorët: Jemi mes ujit, kemi humbur dhe bukën e gojës
FIER- Ministrat e qeverisë Berisha, Basha, Ruli, drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli, zhvilluan pasditen e djeshme një takim urgjent me pushtetarë vendorë të qarkut Fier. Pas situatës së shkaktuar nga dalja e lumit Vjosë nga shtrati i saj. Në takim kanë marrë pjesë prefekti i qarkut Fier Bujar Hasa dhe prefekti i qarkut Vlorë Hasan Halili, drejtorë të Ndërmarrjes së Ujësjellësit, Bordit të Kullimit, policisë së qarqeve etj
Masat
Ministrat kanë kërkuar të merren masa ndaj banorëve dhe familjeve të përmbytura, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit. Ata e cilësuan situatën kritike dhe kërkuan ndërhyrje të menjëhershme. “Është e domosdoshme që të bëjmë ndërhyrje të menjëhershme. Kulturat e grurit janë të përmbytura”,- ka thënë prefekti i qarkut Fier, Bujar Hasa. Nga ana e tij ministri Basha ka kërkuar domosdoshmërinë e verifikimit të dëmeve të shkaktuara dhe marrja e masave për të mos lejuar përmbytje të tjera të këtij lloji. “Bashkëpunoni me institucionet vendore dhe merrni masa për evakuimin e banorëve në rast të vazhdimit të reshjeve, të cilat nuk mund të përjashtohen”,-ka thënë ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha.
Banorët e përmbytur
Një ditë pas përmbytjes sërish vazhdon gjendja tepër e rënduar tek familjet e fshatrave të përmbytur në rrethin Fier. Dhjetëra familje në zonën e përmbytur nga ujërat e lumit Vjosa edhe natën e mbrëmshme e kanë kaluar mes baltës dhe llucës si dhe të ftohtit e motit. Në të gjitha fshatrat e komunës Frakull dhe Levan sidomos ato fshatra përgjatë lumit Vjosa, Ferras, Frakull, Kashishtë, Kafaraj, Cerven etj. gjendja mbetet e vështirë. Shumë prej shtëpive janë përmbytur tërësisht duke mos mundur të nxjerrin asgjë. Veç orendive shtëpiake prurjet e lumit kanë përmbytur bagëtitë e imta si dhe sipërfaqet e kulturave bujqësore, ushqimin e bagëtive dhe drithin që banorët e mbanin si rezervë ushqimore për vete. Banorët janë përfshirë nga paniku se prurjet e lumit kanë rrezikuar edhe jetën e tyre. Ata tregojnë se nuk kanë as bukë për të ngrënë sepse uji i ka përmbytur edhe thasët e drithit me miell e misër që ata siguronin dimrin si rezervë ushqimore brenda banesave të tyre. Uji ka mbërritur në banesat e tyre deri në 1 m dhe banorët të revoltuar kërkojnë ndihmë nga shteti, sepse ende nuk u ka dhënë ndihmën emergjente për të përballuar situatën e rëndë ku ndodhen. Banorët tregojnë se shumë prej tyre sidomos fëmijët, moshat e treta dhe të sëmurët invalidë janë me temperaturë, kollë dhe bronkopneumoni për shkak të ujërave ku jetojnë dhe familjarëve të sëmurë ata nuk u japin dot as ndihmë mjekësore. Ata janë shprehur se urgjentisht shteti duhet të punojë për eliminimin e ujërave për të hapur kanalet kullues, i cili është brenda banesave dhe oborreve të tyre. Të përmbyturit ankohen se nuk kanë asnjë mundësi financiare për të rikuperuar dëmet, pasi rastet e përmbytjes së tyre janë raste të përsëritura. “Unë kam shumë dëme të mëdha, ka thënë një banor i Ferrasit. Me bereqet, me bagëti, pula, kaponj etj. janë mbytur. Vajzën e kam të sëmurë me temperaturë, i kërkojmë ndihmë shtetit, pasi jemi të papunë dhe 5 veta pa asnjë lloj ndihme”. Ndërkohë Shtabi i Emergjencës ka evidentuar dhe ka bërë gati listën e banorëve që kanë nevojë për ndihmë emergjente. Sipas prefektit të qarkut Fier, Bujar Hasa, ditën e sotme do të fillojë edhe shpërndarja e ndihmave ushqimore për këto familjet, ndërsa për dëmet e tjera do të jetë një komision që do të verifikojë dhe inspektojë në çdo familje të dëmtuar edhe shkallën e ndihmës përfituese.
Deklarata: Janë shkaktarë të përmbytjes
Kryekomunari i Frakullës, padi Bordit të Kullimit
FIER- Kryetari i komunës së Frakullës, Viktor Cervanaku, ka bërë kallëzim penal për shkaktarët e përmbytjes në fshatin Frakull e madhe. Ai akuzon Bordin e Kullimit, të cilët sipas tij kanë lejuar ujërat e lumit Vjosë të kalojë në kanalin vaditës Vjosë-Levan- Fier. Si pasojë e këtij veprimi janë përmbytur më shumë se 100 ha tokë. Cervanaku thotë se sipërfaqet e tokës bujqësore në këtë fshat nuk janë përmbytur asnjëherë më parë, pasi ndodhen shumë larg shtratit të lumit Vjosa.
“Është e disata herë që përmbytemi, ka thënë Cervanaku me dëme të shkaktuar dhjetëra ha tokë bujqësore. Dje është bërë një skandal edhe më i madh. Është mbushur me ujë kanali Vjosë-Levan-Fier dhe janë përmbytur tokat e fshatit Frakull e Madhe. Një përmbytje e tillë nuk ka bërë vaki kurrë më parë. Është lëshuar kanali nga Varibopi në Cakran dhe janë hapur të gjitha portat e kanaleve kullues të mëdhenj, gjë e cila ka bërë përmbytjen e tokave që nga Cerveni e deri në Frakull e Madhe. Tokat bujqësore janë tejet të përmbytura. Sot në zyrë më kanë ardhur dhjetëra fermerë që ankohen nga përmbytja e tokave të tyre me grurë dhe është një dëm shumë i madh. Askush nga qeveria nuk mban përgjegjësi për këtë skandal. Unë kam 8 vjet kryetar i komunës Frakull dhe të tërë pushtetarët që kanë ardhur e ikur këtë kanë thënë: Dëmshpërblim, dhe asnjë fshatar deri më sot nuk është dëmshpërblyer.”