Himarë, rrihet polici bashkiak se shembi objektin pa leje
23/12/2009 Dërgohet në spitalin e Vlorës Kastriot Hallkaj, kishte çarje rreth 10 cm në kokë
HIMARE- Një prej efektivave të policisë së Himarës është dhunuar sipas tij gjatë kohës që ishte në krye të detyrës. Ditën e djeshme në një inspektim që i kishin bërë para disa ditësh punonjësit e Policisë Bashkiake, se në zonën e Spillesë kishin konfirmuar se po ndërtohej një ndërtim pa leje, një tip strehe me konstruksion të lehtë druri.
Dhuna
Dy punonjës të kësaj policie kanë shkuar për të pezulluar këtë punim pasi konfirmuan se ishte ndërtim pa leje. Roland Gjini përgjegjësi i Policisë Bashkiake së bashku me inspektorin Kastriot Hallkaj kanë shkuar në vend për të parë nga afër dhe për të pezulluar ndërtimin. Sipas të plagosurit Kastriot Hallakj, i cili shprehet se në vendngjarje shkuan për të zbatuar vendimin e Këshillit Bashkiak si dhe të kryetarit të saj Vasil Bollano. “Në momentin që ne po largonim punëtorët dhe shefi i Policisë Bashkiake po debatonte me Vllado Bollanon, i cili po shante dhe na ofendonte, unë për të shuar dhe për të ulur tensionin e debatit ndërhyra”, është shprehur Hallkaj. Ndërkohë personi Vllado Bollano në pabesi mori një dru nga ato të skelerinave në formë katrore dhe më godet në pabesi në pjesën e kokës ku nga kjo goditje unë humba ndjenjat dhe rashë në shesh”, vazhdon rrëfimin inspektori i Policisë Bashkiake Kastriot Hallkaj. Ndërkohë më çojnë pa ndjenja në spitalin e Himarës ku aty unë mora dhe mjekimin e parë, por plaga ishte tepër e thellë dhe ishte e pamundur të qepej nga ana e mjekëve të Himarës kështu që më pas më sjellin në Vlorë për një kurim më të mirë pasi plaga ime është e thellë dhe kërkonte një specialist të mirëfilltë. Koka më është çarë rreth 10 cm dhe është një çarje e thellë. Ndërkohë në Prokurorinë e Vlorës është bërë dhe kallëzimi penal ndaj shtetasit Vllado Bollano, i cili ka goditur me mjete të forta në krye të detyrës shtetasin Kastriot Hallkaj. Hallkaj shprehet se ka pasur edhe herë të tjera presione për shkak të detyrës, por dhuna e ushtruar ditën e djeshme ka arritur kulmin. Sipas mjekëve, gjendja e të dëmtuarit është jashtë rrezikut për jetën edhe pse ka një krisje të kafkës.