Sherri për mandatet e Partisë Socialiste transferohet në KQZ
Ristani: Vendimi për zëvendësim, me 4 vota. Laze: Duhet shumica e cilësuar. Varfi: Debat i parakohshëm
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, deklaroi dje se vendimi për zëvendësimin e mandateve të deputetëve socialistë që nuk janë betuar në Kuvend, nuk e bllokon këtë institucion, pasi ai merret edhe me shumicë të thjeshtë. Pra mjaftojnë katër vota “pro” këtij vendimi dhe gjithçka merr rrugë ligjore. Votimi me shumicë të thjeshtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mund të bëjë zëvendësimin në listë proporcionale të deputetëve të cilëve u ndërpritet mandati sipas nenit 71 të Kushtetutës. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, e mbështet këtë logjikë në Kodin Elektoral, i cili shprehet qartë për rastet e vendimmarrjes së cilësuar, pikërisht në nenin 24 të tij. Sipas Ristanit, procedura ligjore parashikon që KQZ të veprojë sapo të marrë njoftimin nga Kuvendi për mungesën e deputetëve. Neni 164 i Kushtetutës thotë se KQZ merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të këtij kodi. Kjo procedurë, që sipas Ristanit votohet edhe me një shumicë prej vetëm 4 anëtarëve të komisionit, nuk do të mund të bllokohej edhe në rast vënie në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese. Deputetët që sapo kanë përfituar mandatin, tashmë kanë një afat edhe më të ngushtë, brenda së cilit Kodi Elektoral i ngarkon me detyrimin që të bëjnë betimin, vetëm 30 ditë. Pas kësaj, KQZ do të përfshihej në një tjetër procedurë zëvendësimi mandatesh në listën proporcionale të subjektit politik.
Por dy ditë më parë, anëtari i këtij institucioni, Artan Laze, përfaqësues i PS-së, tha se vendimi për dhënien e mandateve nga ana e KQZ kërkon domosdoshmërish pesë vota “pro” që akti të bëhet i ligjshëm, ndaj dhe heqja e mandatit duhet të ketë të njëjtin raport votimi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka votuar me raportin 7 me 0 ndarjen e mandateve për çdo qark të vendit e me të njëjtin rezultat edhe në rastin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Edhe pse debati më i shpeshtë në muajt e fundit lidhet gjithmonë me fatin e mandateve të deputetëve socialistë, KQZ është munduar të qëndrojë jashtë debatit, duke bërë me dije se do të veprojë vetëm në momentin që do i vijë kërkesa nga ana e Kuvendit. Por me afrimin e afatit kohor që përcakton fundin e tyre, KQZ është vënë në qendër të komenteve e debateve për mënyrën se si do t’i duhet të veprojë nëse PS nuk futet në Parlament. Anëtari Pandeli Varfri është shprehur se ky është një debat i parakohshëm dhe i pavlefshëm, në një kohë kur çdo gjë do të diskutohet e vendoset kur kërkesa të vijë në tryezë.
#